Tema
Kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka reaguar për vdekjen e Ruzhdi Aliut, protestuesit që vdiq pas dhunës së policisë. Roshi ka thënë se ai nuk ka vdekur nga Zoti, por nga tërbimi hakmarrës i Sali Berishës.
“Sot humbi jetën qytetari ynë. Ishte një qytetar i mirë, një familjar i mirë, një sportdashës i mirë i Besës së Kavajës. Nuk vdiq sepse kështu vendosi Zoti apo shëndeti i tij. Vdiq sepse e vrau shteti. E vrau policia politike e këtij pushteti. E vrau tërbimi hakmarrës i Sali Berishës me Kavajën që ia tregoi vendin këtij kryeministri komunist në 8 maj 2011, njësoj siç ia tregoi presidentit komunist Ramiz Alia në vitin 1991.
Ai vdiq nga torturat në polici pasi u mor zvarrë nga forcat policore që u dyndën në Kavajë pas ndeshjes Besa- Tirana për të kriminalizuar me çdo kusht kryetarin e bashkisë.
Nuk është shqiptari i parë që pushteti i Sali Berishës i merr jetën. Mijëra shqiptarë shkuan në botën tjetër në vitin 97 për fajin e Sali Berishës. 26 u vranë në Gërdec për zullumet e Sali Berishës. 4 u vranë në Bulevard me urdhër të Sali Berishës.
Sali Berisha sot është një i mbytur që rrezikon të mbysi gjithë Shqipërinë në lumin e poshtërsive të pushtetit të tij. Nesër gjithë Kavaja do ta përcjellë në varreza sportdashësin e shkretë të Besës, që sot nuk jeton më vetëm sepse Sali Berisha kërkon përditë hakmarrje ndaj Kavajës. Nesër Kavaja do të protestojë me pjesemarrjen masive të qytetarëve në varrimin e të ndjerit Aliu. Nesër Kavaja do të tregojë me qytetari përbuzjen më të thellë ndaj atij që pasi e talli dhe mashtroi Kavajën për 20 vjet, tani kërkon edhe ta vrasë në shpresën e rilindur me votën e 8 majit, duke përdorur dhunën që shkaktoi vdekjen e një kavajasi të mirë e të urtë.
Sali Berisha, unë jam Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe në emër të gjithë këtij qyteti, të garantoj se në 23 qershor Shqipëria do shpëtojë përgjithmonë nga ty. Kurse ti s’do flesh më kurrë gjumë me gjithë këto krime që ke bërë”, thuhet në reagimin e Roshit.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply