(Kushtuar Dr Sami Qazimit)
Ky varg i kushtohet Kombinatit të Tekstileve, por rri aq bukur edhe për mjekësinë beratase. A nuk ishte fat për Beratin Dr Ymer Dishnica, Dr Lluka, Dr Maksut Dërrasa, Dr Sami Qazimi, Dr Zino Matathias, Dr Koço Stamo e shumë të tjerë nga ajo e nga kjo kohë ? Jo më kot në kohën e të sipër përmëndurve spitali i Beratit u caktua si vendi ku specializoheshin mjekët e rinj nga disa rrethe të vendit.
Kam shkruar për disa prej ikonave të mjekësisë beratase, si Dr Ymeri, Dr Maksuti, Dr Zino, Dr Koço, Dr Karemani dhe ndonjë tjetër. Siç shihet kam lënë goxha të tjerë pa shkruar, siç janë edhe dy të mëdhenjtë, Dr Lluka dhe Dr Samiu. Pikërisht për këtë të fundit, për ikonën dhe emblemën e gjinekologjisë beratase, Dr Sami Qazimin, po shkruaj tani…këto rreshta janë të gjitha për Të.
Që të jem i sinqertë, emrin e Dr Qazimit e kam dëgjuar shpejt, në rininë e hershme. Kishte një mik doktori në Q.Stalin, dasmën e të cilit e la në mes për shkak të një situate urgjente në maternitet. Episodin e mësipërm e ka përshkruar me hollësi Thanas Gjika, në shkrimin me titull “Jetim me Nënë dhe Babë gjallë”, ku përpos të tjerave ai sjellë edhe pohimin e mëposhtëm të Dr Samiut :
“- Ajo e djelë do të ishte dita më e zezë e jetës sime, ku brenda 12 orëve bëra 8 operacione Çezariane, dhe të 8-a me sukses”.
Dr Samiu i përket sojit të njerëzve të suksesshëm, por me fëmijëri të vështirë. I lindur më 16 Janar 1931 në Selanik të Greqisë, Samiu, i vetëm, pa pjestarët e tjerë të familjes, vjen me gjyshin në Berat, në Qershor 1942, dhe mbetet këtu deri në vitin 1994, kohë kur iu bashkua familjes në USA. 11 vjeçari tash e mbrapa do të mbetej jetim me prindërit gjallë. Ai u rrit e u burrërua më shpejt se shokët, edhe për shkak të faktit të mësipërm. Përfundoj Teknikumin Mjekësor në vitet 1948-1951 dhe fakultetin e Mjekësisë në vitet 1953 – 1957…gjithnji me rezultate të larta.
Pasi kryen edhe dy vjetë specializim për obstetër – gjinekolog, Dr Samiu kthehet në Beratin e tij të fëmijërisë e rinisë së hershme.
Kësisoj Dr Sami Qazimi konsiderohet si babai i obstetri – gjinekologjisë beratase, siç pohon edhe Dr Miltjadh Veveçka më poshtë :
“- Dr Samiu është specialisti i parë obstetër – gjinekolog në Qarkun e Beratit dhe si i tillë është merita e tij vetjake krijimi i këtij shërbimi të veçantë mbi baza tërësisht shkencore. Mjekun e ri do ta priste një jetë intensive me urgjenca të panumërta ditën dhe natën, me mijra e mijra lindje të zakonshme e të vështira, me qindra e qindra ndërhyrje kirurgjikale ndër gra të reja e të moshuara, me teknikat moderne të atyre viteve.”
Po Dr Miltjadhi nuk është i vetmi në atë që thotë më sipër, ja si shprehet një tjetër ikonë e mjekësisë beratase, i madhi Zino Matathias :
“Dr Sami Qazimi ishte për mua si vëlla i madh. U njoha me të në Berat, na lidhi puna. Unë shkoja në maternitet dhe u jepja pacienteve narkozë intratrakeale dhe e ndihmoja atë në operacione. Kur unë fillova të punoja në Kucovë, Dr Samiu dhe Dr Isa Xhia më ndihmonin mua në operacionet e kategorisë së parë. Samiu ishte njeri shumë i dashur, një kirurg dhe gjinekolog, shumë i përgatitur, ai vuri bazat e fertilitetit në Berat. Dr Sami Qazimi ishte edhe një drejtor shumë i aftë, kërkues, por edhe i dashur me punonjesit. Miqësia jonë vazhdoj edhe kur ai shkoj në SHBA dhe unë në Izrael. Kemi qënë me gruan miq në familjen e tij dhe kam derguar vajzën në dasmën e djalit të tij. Herën e fundit më ftoj përsëri, por kur unë i thash se e kam vështirë, ai insistoj…ishte i sëmurë. Shkova përsëri me Valin dhe ndenja disa javë. Kur u ndamë, unë fillova të qaja, kurse Ai me jepte kurajo dhe më thoshte : “do takohemi prapë.” Ndoshta kishte të drejë, ndoshta takohemi….”
Dr Samiu ka mbetur i gjallë në memorjen beratase për sakrificën dhe përkushtimin, Ai u kthye në perëndi për raste të veçanta, aq sa edhe pse kanë kaluar goxha vite, beratasit flasin me respekt dhe dashuri për Të. Ja ç’thotë beratasi Sotir Sharavolli për Dr Samiun :
“Samiu ishte doktor gjinekolog me emër, dhe për mua, i pari në Shqipëri. Vinin nga rrethet, përfshi edhe shkodranë për të gjetur derman te dr Samiu. Shkodranit i kishin thënë se vetëm dr Samiu në Berat mund t’ia zgjidhte problemin. Dhe ashtu ndodhi, dr Samiu e bëri çiftin shkodran me fëmijë. Gëzimi dhe mirënjohja e tyre ishte e pakufishme. E sa e sa raste të tjera të tilla dinë beratasit, këdo që të pyesësh. Po si njeri ? Më i miri, kampion, fisnik. Unë i kam vajtur në shtëpi këtu në USA sepse njihesha mirë, kam pasur edhe Mirkën mësuese, një fisnike edhe ajo. Ladi! Unë kam aq shumë për të thënë për dr Samiun sa ti të mund të bëshë edhe roman për Të”
Në fakt Sotiri më shkruajti gjatë, me shumë dashuri, nderim e mirënjohje për atë çka bërë Dr Sami Qazimi për qytetin e Beratit. Dr Samiu e ngriti obstetri – gjinekologjinë, e rriti nga një “kuvli” me 10 shtretër në Spital me 170 shtretër.
Më sipër, në pohimin e tij Dr Zino e ka quajtur ‘vëlla’ Dr Samiun, dhe ashtu kanë qënë, vëllezër, siç duket edhe në fotot e mëposhtëme. Por Dr Samiu kishte edhe një ‘vëlla’ tjetër, të mirënjohurin dhe vlerën beratase Koço Stamo. Koçua nuk është mes nesh sot , Ai bashkë me të ‘vëllanë’, Samiun, janë në parajsë dhe shohin prej andej gjithë krenari se si i çmojnë e nderojnë beratasit e më gjërë atë çfarë ata ishin.
Por nëse Koçua nuk është, është Loreta, bija e tij që realizoj endrrën e çdo fëmije, të bëjnë të tyren thënien “Koçua – babai i Loretës”. E pra, Loreta thotë si më poshtë për Dr Samiun :
“Dr. Samiu Qazimi ka qënë koleg dhe shok i prindërve të mi që në vitet kur ata i shërbenin me devotshmëri Beratit. Por sidomos pas 1997-ës kur u ribashkuak në Amerikë, u bëmë si një familje e madhe që ndanim gëzimet e shqetsimet bashkë, megjithse ishim 2 orë larg. Unë e konsideroja gjithmonë si xhaxhain tim të madh. Ai ishte shumë i drejtpërdrejtë në analizat dhe vlerësimet që bënte, nuk i sheqeroste fjalët kot dhe të impononte respekt e fjala e tij ishte ligj! Unë isha me fat s’e isha futur në faqen e mirë të librit të tij . Kur u lidha me Agronin, pata më shumë siklet t’ia prezantoja Xhaxhi Samiut se babit tim! Por shyqyr ai e pëlqeu! Më mungon shumë xhaxhi Samiu dhe ato vite të mrekullueshme!”
Dr Samiu, për atë çfarë ishte në shpirt e pamje, një king me zemrën behar, u shpërblye nga zoti në mënyrën më të mirë të mundshme. Si kompesim të “vetmisë” në fëmijëri (jetim me prindër gjallë), zoti i dha në krahë si shoqe jete Mirkën e mirë, një fisnike tiranase që shumë shpejt do ta bënte të sajin këtë titull edhe në Beratin 2400 vjeçar. Gjithashtu zoti e bekoi këtë çift me dy vajza e një djalë, njëri më i mirë se tjetri.
Dr Samiu iku nga kjo jetë i plotësuar, “aristokrat” në profesion, ndër më të mirët në specialitetin e tij jo vetëm në kufijtë shqiptar, por edhe i plotë si njeri, fisnik e me emër të mirë si familje.
Dr Samiu mban gradën shkencore “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, ekuivalent me titullin e sotëm “Doktor i Shkencave Mjekësore”, sikurse në 28 Nëntor 1997 u përzgjodh një ditë Major i qytetit Waterbury.
Beratasit i’a njohin madhështinë Dr Samiut, edhe pushteti aty, në 8 Korrik 2019, i dha titullin “Qytetar Nderi”. Më në fund, po më mirë vonë se kurrë, Berati bëri detyrën…por ka mbetur edhe diçka. Një spital Obstetrik Gjinekolog me emrin “Sami Qazimi” do ishte gjëja më e bukur që mund të ndodhte në Berat në këtë fushë.
Nëse Samiu do të ishte gjallë as do t’i shkonte mendja për të tilla gjëra, por pikërisht edhe për këtë pushteti duhet t’a bëjë sa më sipër. Që nipër e mbesa të Dr Samiut, të thonë :
“Sa i madh paska qënë gjyshi ynë, Ai kurrë nuk e mbajti veten për të madh.”
Burimi/Facebook


Leave a Reply