Nga Nexhat Halimi
Ikën nga njëri restorant te tjetri. E prek dorëzën e metaltë, gjysmë të ngrirë, e me duar të akullta, të cilat i hukatë orë e çast mësynë ndër shkallë një e një, hynë mjegullës e del te mjegulla, e cila i shpërndahet e vakët fytyrës, para se të bëjë hapat e parë në restorantin, ku mjegull tjetër rri pezull mbi koka dhe tavolina, e përzier me erë të alkoolit dhe e pijeve të ndryshme të vluara…
Sytë i ka të skuqur, fytyrën e ndrojtur, e, etjen gjithnjë të zgjuar. Ec nëpër frikë, nga tavolina në tavolinë, ikën, e një buzëqeshje e lehtë vetëm më shumë ia zbehë fytyrën e ndezur nga acari i rrugës. E fut dorën në xhep, prapë e nxjerr… shikon sa para i ka, a i ka me tamam kaq sa i ka bërë hesap nga vinte rrugës nga restoranti tjetër . Të gjitha i regjistron në mendje. Fitimin e ditës-deri në para të fundit, e derdh para babait, që flamujt e bardhë të kohës iu kanë shpaluar në kokë-në takimet e tyre të rëndomta, në orët e vona të natës. çdo gjë rrjedhë në heshtje, pa e zgjatur më shumë me babanë apo me nënën. A vetëm kaq arrite të fitosh këtë herë. As nëna e as babai nuk flasin… Ndoshta ke mundur të fitosh më shumë, apo… megjithatë, ke mundur më shumë! Ulet në një kënd të dhomës gjysmë të ftohtë. E merr fletoren apo librin dhe nis të lexojë, përderisa aty ta mashtrojë gjumi.
… ja, me të dy sytë e skuqur ec, me frymën e thellë e shpreh tërë këtë mjegull, me këtë dhembje që i zgjohet me kollitje të ashpër e të thatë.
Për çdo mbrëmje vjen në tavolinën time, e s’do flasë asgjë, nuk do të pi asgjë. Sytë i ka zjarr, e flokët pak të ngatërruar. Me shpartë në dorë,
Pëshpërit mbytur.
„… a doni fara … kungulli, me kripë e pak të pjekura?
Me shportë në dorë të majtë kalon mes tavolinash, nga të cilat vjen erë mishi dhe pijesh të forta…
…A doni kikirikë natyral, të pjekur pak e të rreshkur, pa vaj…
A doni… a doni… – refren që gjithmonë përsëritet.
Në dorë të majtë ka shportën me fara, në dorë të djathtë shportën me kikirikë. Lëviz. Këtë herë e sheh në krye të restorantit, herën tjetër në fund të restorantit. Shikon përreth mos ndokush do ta ngreh dorën, të kërkojë ndonjë gjë. Fara apo kikirikë?
E unë në vete mendoj, pse vallë asnjë herë nuk e thotë emrin e mbiemrin, çfarë ëndërron ndërsa ec mes tavolinash me gjumë në sy. Ndoshta kotet në mendime për mësimet e nesërme, për detyrat që ende nuk i ka bërë, për ëndrrat e paharruara në hapësirat me lule…
Pse vallë asnjëherë nuk flet. Të paktën mirëmbrëma të thotë, a jeni mirë këtë mbrëmje të mjegullt dhe me acar. Pse gjithherë vini këtu e diçka të ngjashme, veç sa për ta hapur bisedën, ta nisë rrugën, në të cilën me siguri ka çka të thotë gjëra të panjohura për veten.
Ai kalon bri meje i heshtur, e unë ende mendoj në vete. Kush është ai, e bën këtë punë nga nevoja e madhe apo për ndonjë fitim të vogël, prej nga vjen, a ka kënd të afërm, shkon apo nuk shkon në shkollë, puna dhe fitimi që i del në krye të ditës – i del apo nuk i del për bukë, për libra, ka kohë apo nuk ka mundësi të shkoj ndonjë herë ,në kinema, a ndahet nga rreshti i gjatë në mungesë parash, të cilëve arsimtarja u prin një herë në krye jave për në teatër, a flet ndonjëherë për veten, për dëshirat e pafundme, të cilat do t’i realizonte po ta kishte një biçikletë, me të cilën do të vinte nga periferia në qytet e do të kthehej nga qyteti në periferi, i ngazëllyer me fitimin e mbrëmjes do të dalë i buzëqeshur para nënës e babait, të rënduar nga pleqëria e rëndë… E prapë, iku perit të hollë të mendimit, i ndarë në shumë copëza për jetën që e bën ai, e për të cilën nuk i flet asnjëherë askujt. Të gjitha i ka ndryrë në vetvete. E sidomos më intereson të mësojë pse i ka sytë e ndezur, zjarr, pse i ka flokët k aq të ngatërruar?!
-Ka tre ditë, në mbrëmje, bisedova shtruar me të. Kaq i mërdhezur ia behu në restorant, me duart e ngrira dhe shportat që i lëviznin pandërprerë, ngaqë nuk ia dilte t’i qetësonte të dridhurat e duarve të bëra akull.
-Eja, eja… çfarë ka? – e ftova pa ia ndarë për asnjë çast sytë. – Eja në tavolinën time, – e ai vetëm më shikoi, i befasuar, me sytë të zgurdulluar e nuk foli asnjë fjalë? – A flet ti fare apo jo, – ia bëra dhe e mora për krahu për ta ulur pranë vetes, ndërsa veç dridhej siç thuhet ngjashëm me thuprën në ujë. Vetëm heshte dhe shikonte e dridhej, e dridhej… kaq sa zemra donte t’i dilte kraharori.
-Zot, çfarë ndodhi, – e shikova i hutuar. –Vërtet, shiheshe i çartur në fytyrë?
-Asgjë, – më tha të vogël.- Veç kalova rrugën, ia beha nga restoranti tjetër këtu dhe kaq. Qenka bërë
tepër ftohtë.
– E vërejta një gjë të tillë. Dimrat ta ngrijnë zemrën.
– Nuk qetësohesha fare?
– Sytë tu nuk flasin për diçka të tillë.
– Sytë nuk flasin çdo gjë.
– Ndryshe mendoj. Sytë e flasin njeriun tërësisht, apo jo?
– Ndoshta! – i hukaste duart pandërprerë. Shportat me farë të kungullit e tjetrën me kikirikë të pjekur i lëshoi para vetes.
– Do të pish diçka?
– Jo.
– Të ngrohë. Ta nxehë ndopak shpirtin. Ndoshta një verë e kuqe e vluar apo ndonjë çaj lulesh të kthen në jetë!
– Jo, jo… nuk dua asgjë!
– -Pse e bën këtë gjë?
– -I kam premtuar bebes e nënës kurrë asgjë nuk marrë asgjë nga askush. Ata janë të moshuar dhe më kanë mësuar ashtu të jem kaq sa të arrij i vetvetes?
– Ndoshta nuk të kanë mësuar të flasësh pak ose fare.
– Jo, këtë e kam nga natyra. Ndonjëherë kjo gjë më thyhet, flas pa ngurrim… – shpeshte diçka në ajër dhe e zgjaste dorën, e fërkonte ballin. Më shikonte pakëz me frikë ,do të thosha, nuk më besonte mjaftueshëm , ndoshta pse konsumoja alkool, apo diçka e ngjashme e pengonte. Jo, nuk ishte ajo. Më shikonte thellë në sy, më bindte të kishte besim te unë…
– Përnjëherë ngurroi, megjithatë, para fjalëve, a e do ngjyrën e gjelbër? Pse vallë? Prapë mendoj në vete, a do të ngurronte përsëri por t’i thosha, a e do pranverën, a i do zogjtë — a e do lojën me balona në qiellin e kaltër — a e do muzikën, poezinë … Përnjëherë, sikur t’i thosha, a të kujtohet profesori i muzikës (a të ka shpjeguar për këtë mësuesi yt) që për çdo dite i dërgonte nxënësit e vet në stacionin e trenit të shohin orarin e nisjes së trenave , dhe të arritjes së tyre, çdo të më thoshte, a thua?
E çela gojën ta pyesja dhe për itinerarin e trenave në një stacion të madh?
S’kam guxim të flas në mënyrë të tillë me të.
Ai s’ngurronte më. Fliste ndonjë fjalë, Shqiptonte diçka të thjesht. Më psherëtiu dhe emrin e mbiemrin, ndërsa për atë shprehjen e ndrojtur në fytyrë asgjë s’u tha. S’folëm as për flokët pak të ngatërruar, as për sytë zjarr. Të gjitha, ai, mjeshtërisht i mblodhi, „… e hidhët është fëmijëria ime, kjo, e derdhur nëpër net të mermerta, plot dritë, që vrasin sytë e mi prej fëmije, e hidhët, është, or ti gazetar. Ti, pra, mbase e ke të qartë sesi më mirë ta derdh vargun tënd për mua, në këtë mënyrë dhe ndryshe ndoshta… një varg dhe për grushtet e mi të mërdhirë, për rrugën në kalldrëm që bren opingat e mia, për çdo gjë, pra, në këtë mënyrë dhe ndryshe…
Në çfarë mendja të ik ndryshe?
Ai gjithë jetën e vet, e thotë pikërisht ashtu si (edhe) e jeton. Me shportë në dorë, „… a do… a do…” Si ndryshe, pra? „Aq i vogël të jem i madh”, tha. Ndoshta pa menduar hollë e gjatë, se — njeriu lind nga disa herë në jetë.
Të lodhë shumë kjo, i them, derisa ai po fërkonte sytë e lodhur, të skuqur nga tymi i dendur i duhanit, që po bënte kate të reja nëpër -bufe. Më s’ia shoh atë shprehje të ndrojtur, që gjithnjë i shfaqet si plagë — në fytyrë. Kuq më shikon. S’ka, ndoshta, ndërmend të flasë. Pse?
Të lodh kjo, i them prapë.
Për çdo natë, deri në orët e vona, në ngjitje e zbritje shkallëve të bufeve, gjithnjë me dy-tri fjalë-a do… e, si s’të lodh kjo, ore. Të lodh e të shkallmon, të pengon në çdo gjë, por, po duhet… po duhet ti, gazetar…?!
…shok gazetar! Po duhet! – e përsërit disa herë në të njëjtën fjali, pa kuptim dhe pa domethënie. T’i gjendej domethënia vetëm një herë do të zgjidhej enigma.
– Nëntë gojë presin nga fitimi im i vogël. Babai, që koka iu ka stolisur flamujt e bardhë të kohës, e ka të qartë se nuk e kam lehtë. E di mirë ai (apo jo, or ti, gazetar) se, s’është lehte në dy fronte: edhe te mësosh për të nesërmen tënde më të bardhë, e, edhe sot — për çdo mbrëmje të fitosh bukën.
Nëpër bufe deri në orët e vona nga tavolina në tavolinë të afrohem me droe, t’i lus njerëzit të blejnë, e derisa marr përgjigje të dridhem varg e vijë trupit – hë, hë,hë, a do të blejë ky, po do të blejë ai…s’do blejë, jo, ah të blinte.
S’është lehtë.
… mbetem pa gjumë në këtë mënyrë, prore. Më mbyllen sytë gjate orëve të mësimit. Vetëm koka papritur më përplaset mbi bankë. I rraskapitur. E si të jem ndër nxënësit më të mirë?
E di këtë babai, po as ai s’ka nga t’ia mbathë, s’ka nga t’ia mbajë. Me ato të ardhura të vogla nga pensioni s’mund t’ia dalë në krye të lidhë muajin me muaj. S’mjaftojnë ato as për bukë.
Pra, mbase ti ma mirë derdh vargun tënd për mua, atë vargun ndryshe, më thotë e në ballë ia shoh nga i fryhet delli i madh, i madh. I Fryhet, i fryhet, veç sa nuk i pëlcet t’i derdhet gjaku për gjithë fushën e ballit e t’i rrjedh për muskujt e fytit…
E si ndryshe?
Ai vetë e tha jetën ashtu si e jeton. Pjesë – pjesë. Sidomos atë pjesën që i mbetet nëpër bufe, e edhe atë që i mbetet nëpër klasa të shkollës bujqësore, në Prishtinë.
Ja, sa e hidhët, por, vizatohet jeta e përditshme me Nairte M., rrjedh në dy fronte për çdo natë, nga tavolina ,në tavolinë… do kikirikë, a doni fara kungulli, – refren që përsëritët.
Sot, e edhe nesër kështu, për derisa të kryejë shkollimin e të inkuadrohet.
Njeriu lind nga disa herë në jetë.
I sillet rreth dhe ‘i herë restorantit, më pastaj më kërkon me sy në cilën pjesë gjendem, më pastaj buzëqesh pak dhe niset të dalë nga restoranti. Mori fund lëvizja e tij për sonte, veç do të shihemi përsëri nesër. Zbret shkallë hyn në mjegullën e dendur shkalë më shkallë dhe me pastaj lidhet me ëndrrën e vet të përhershme, me biçikletën me të cilën do të fluturoj deri ne periferi të qytetit tek e presin pjesëtaret e familjes. Fluturon, fluturon, fluturon …
Burimi/bulevardionline.com/


Leave a Reply