Një zyrë e FBI-së në Virxhinia kishte lëshuar një paralajmërim të brendshëm një ditë para se protestuesit që mbështesnin Presidentin Donald Trump të sulmonin Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, se ekstremistët po planifikonin të vinin në Uashington dhe po flisnin për “luftë”, njoftoi gazeta Washington Post të martën.
“Në një varg postimesh në internet diskutoheshin thirrje konkrete për dhunë, përfshirë ‘bëhuni gati për të luftuar. Kongresi duhet të dëgjojë xhama që thyhen, dyer që rrëzohen me forcë, dhe gjakun e dedhur të ushtarëve të tyre skllevër të Black Lives Matter dhe Antifa-s’, thuhet në dokumentin e siguruar nga Washington Post.
“‘Bëhuni të dhunshëm. Mos e quani më marshim, tubim ose protestë. Shkoni të gatshëm për luftë. Ose fiton Presidentin ynë ose vdesim. ASGJË tjetër nuk do ta përmbushë këtë qëllim’”, thuhet në dokument.
Në Shtetet e Bashkuara, po rriten shqetësimet se sulmet ndaj Kapitolit javën e kaluar nga ekstremistët që mbështesin Donald Trump mund të kenë qenë fillimi i një sërë protestash ndoshta edhe me armë dhe të dhunshme në të gjithë vendin që në ditët deri në inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, më 20 janar.
Byroja Federale e Hetimeve, FBI i tha të hënën Zërit të Amerikës se po analizon të dhëna që sugjerojnë se disa grupe ose individë mund të kërkojnë të nxisin dhunë ose të përfshihen në veprimtari kriminale në lidhje me transferimin e pushtetit.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply