Nga Ylli Pata
Deklarata e Hashim Thaҫit, e para pas njoftimit të Prokurorisë Speciale se ai është nën hetim, ishte realisht shpallja e dorëheqjes së tij, sapo Gjykatësi Paraprak i Speciales të konfirmojë aktakuzën e ngritur nga një Prokuror i Gjykatës Speciale.
Gjasat janë që konfirmimi të ndodhë, e të vetmet ndryshime që mund të bëjë gjykatësi paraprak është përcaktimi i masave të sigurisë për të akuzuarit, ku siҫ dihet nuk janë vetëm presidenti i Kosovës dhe lideri i opozitës në vend, por edhe të tjerë; pra ta ndjekë hetimin në liri apo në arrest, siҫ ka ndodhur edhe me Ramush Haradinajn.
Kështu që mundësia e qëndrimit të Hashim Thaҫit në postin e Presidentit të Republikës janë natyrisht të vogla, e këtë siҫ duket e di edhe ai vetë, ndaj dhe shpalli largimin e tij nga detyra dhe vijimin e betejës me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.
Por, pasojat e këtij akti nuk janë të thjeshta për Kosovën, e natyrisht mund të sjellin pështjellime të mëdha, ndaj Thaҫi siҫ duket nuk do të largohet pa arritur një zgjidhje institucionale që të mos shkaktojë tërmet politik në vend.
Hapja tani e një procesi për të zgjedhur Presidentin e ri të Kosovës, duket se është një tentativë shumë e komplikuar, pasi vendi sapo kaloi një furtunë me zgjedhjen e qeverisë së re të Avdullah Hotit.
Qeveri, që u zgjodh me vetëm 61 vota, pra në limitin e saj. Por nëse këtij numri i bashkohen 24 deputetët e PDK-së së Kadri Veselit, shkojnë 85 deputetë, pra mbi dy të tretat, shifër kjo që e zgjedh Presidentin e ri pa asnjë problem dhe madje që në raundin e parë.
Por, zgjedhja e një kryetari shteti, duke shpërfillur Vetëvendosjen që është parti e parë në Kuvend, nuk do të sjellë tjetër veҫse tension dhe ҫdo proces dialogu do të ketë vetëm probleme. Aq më shumë, që me Thaҫin e Veselin të akuzuar, PDK do të duhet të rindërtojë imazhin e saj dhe jot a rrënojë atë.
Sipas të gjitha gjasave, Hashim Thaҫi do të tentojë të gjejë një konsensus politik për ҫështjen e kreut të ri të shtetit, pasi nëse hyn në lojë variant i vakuumit institucional, pra që kreu i Kuvendit Vjosa Osmani të bëhet Presidente në detyrë për 45 ditë do të duhet ose të zgjidhet Presidenti i ri, ose vendi të shkojë në zgjedhje.
Por ҫdo variant, pra si ai i zgjidhjes së Presidentit të ri, ashtu edhe ai i aritjes së një pakti të përbashkët mes partive do të ҫojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të cilat natyrisht favorizojnë Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
PDK, e cila duket se do të rrijë gjatë në opozitë i duhet të shfrytëzojë me zgjuarsi 24 votat që ka aktualisht në Kuvend. Me të cilat zgjidhet si Presidenti i ri, ashtu edhe nmbahet një qeveri e fortë.
E rëndësishme në këtë rast është edhe qëndrimi i Albin Kurtit, i cili deri tani nuk ka dhënë asnjë version se ҫfarë kërkon Vetëvendosje, qëndrim që do të peshojë shumë në drejtimin politik të zhvillimeve në Kosovë.
Vizita e Edi Ramës atje, mund të japë edhe një qëndrim të Tiranës zyrtare në opsionet e fjalëkryqit të komplikuar politik, por gjithsesi më i rëndësishëm është se si do të jetë verdikti i SHBA-ve apo i Bashkimit Europian.
Përfaqësues të së cilit kërkuan dorëheqjen e Thaҫit dhe e morën, tani do të duhet të presim recetën për kupolën e re politike të Prishtinës.
Burimi/Gazeta SHQIP
Leave a Reply