Arben Rrozhani
Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’
Dje, PD-ja njoftonte zyrtarisht se: “Nesër kryesia e Partisë Demokratike do të marrë një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, në ushtrimin më të madh demokratik që ndonjë parti politike ka bërë ndonjëherë në Shqipëri”.
Sot u zbulua se cili ishte njoftimi i rëndësishëm: Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë do të bëhet nga anëtarësia, përmes 4 fazave, që nga propozimi, te konsultimet, vetëpropozimet, përzgjedhjet sipas integritetit, pastërtisë së figurës, popullaritetit…, votimit përmes parimit ‘një anëtar, një votë’…
Nuk është bërë ndonjëherë kjo në PD?
Është bërë shpesh. Herën e fundit në janar 2017, kur Basha, përmes një udhëzimi, kërkonte që: “Anëtarët e PD-së duhet të angazhohen në një dialog të hapur me mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike dhe komunitetin në tërësi, shoqërinë civile, botën akademike dhe studentore, sipërmarrjen, të përndjekurit politikë dhe pronarët, organizatat jofitimprurëse. Basha përcaktoi 15 shkurtin si afatin final, kur drejtuesit e PD-së në rrethe do të vinin me propozime konkrete për deputetët që do të përfaqësonin demokratët në zgjedhjet e ardhshme që u mbajtën më 25 qershor. Madje edhe online, përmes faqes “pd.al/propozo- deputetin-tënd”.
A u bë kjo?
Teknikisht edhe mund të jetë bërë, por dimë se çfarë ndodhi. PD-ja, që pranoi të futej në zgjedhje pas paktit Rama-Basha të 17-18 majit 2017, duke varrosur idenë e ‘Republikës së Re” që mbijetoi në çadër për tre muaj. Mëngjesin e 30 majit ajo dorëzoi, përtej afatit ligjor, një listë me 194 kandidatë nga 140 që donte KQZ-ja, me emra, që më pas u akuzuan se kishin kaluar fillimisht te zyra e kunatit të Bashës, pasi paguan. Me këtë listë humbëse përballë një PS-je në pushtet dhe të mbështetur nga paratë e krimit dhe të drogës, PD-ja siguroi edhe një mandat tjetër në opozitë.
Pse është kaq shqetësuese kjo politikë e PD-së me udhë(zime)t që s’të çojnë asnjëherë në pushtet?
Sepse, përveç fatkeqësisë që sistemi politik është kapur nga dy parti që janë në marrëveshje për të sunduar vendin përmes rotacionit, mbi rrënojat e Republikës, në 7 vitet e fundit Shqipëria nuk ka një opozitë të besueshme dhe të sinqertë për popullin, e cila, bashkë me partinë në pushtet, e ka përjashtuar nga vendimarrja, pavarësisht nga udhë(zime)t që përfundojnë në rrugë qorre, te zyra e kunatit dhe e kryetarit.
Burimi/shekulli.com.al/


Leave a Reply