
Nuk mund t’ju presim me mijëra, ministri ynë shqiptar Gent Cakaj! Shqipëria e Kosova e dinë që mijëra shqiptarë u përndoqën nga Medvegja, dhe heshtën!
Nuk mund t’ju presim në sofrën plot, e në shtëpi të re! Paratë që shtetet tona shqiptare i dhanë për ne … nuk mjaftuan as për bukë e krypë. Por, ne prapë ju presim me zemër, sepse jeni vëllai ynë.
Nuk mund të shkruajmë bilborde mirëseardhjeje, sepse këtu lejohet vetëm një gjuhë e huaj cirilike!
Nuk mund t’ju presim me flamurin kuq e zi, sepse më pas do të na priste burgu! Do ta bënim edhe këtë vetflijim, por ju e bëtë “Luginën e Bashkuar” pa e vënë Medvegjën në listë…
21 vjetë pas çlirimit të vendlindjes tuaj – Kosovës, mirë se vini në këtë qytezë kosovare prej nga shqiptarët u përzunë dhe iu mohua adresa e stërgjyshit. Qytezë e harruar e lënë në mëshirën e shtetit të cilin ju e luftuat dhe nga i cili vuajtët thuajse aq gjatë sa Medvegja.
Gent Cakaj, ne e dimë qëllimin tuaj të mirë, por keni ardhur vonë dhe ne nuk kemi asgjë për t’u gëzuar!
Ju sot do ta keni nderin ta vizitoni shkollën e Tupallës së Zenel Hajdinit, Idriz Ajetit, e Jim Xhemës! Dikur kjo shkollë kishte afër 500 nxënës shqiptarë, ndërsa sot as 20 nuk i ka dhe rrezikon mbylljen e përhershme. Çka do t’u thoni këtyre nxënësve shqiptarë sot, a bëri Shqipëria e Kosova ndonjë gjë për t’i ndihmuar shokët e shoqet e tyre të mos dëbohen nga ky fshat i madh, e nga kjo shkollë e qëndresës shqiptare?
Por, ju e keni mundësinë tash, pas përfundimit të pasivizimit të adresave të mbi 5000 shqiptarëve, të informoheni për së afërmi, ta kuptoni çka i ka bërë politika kësaj qyteze, ta ngrisni zërin në nivelet më të larta të diplomacisë dhe të kërkoni me ngulm rikthimin e frymës shqiptare të Medvegjës.
Tek e fundit, Kushtetuta e Shqipërisë ua obligon një gjë të tillë./Shkruan: Gëzim Zeqiri/
Burimi/Medvegja.net


Leave a Reply