Rrugë, bulevarde, shkolla të mesme e rrugica në Tetovë vazhdojnë të jenë nostalgjike të periudhës së ish-Jugosllavisë dhe historisë maqedonase, asaj të vjetër dhe më të re. Kiril Pejçinoviq, Mosha Pijade, Jane Sandanski, 8 Shtatori, Jane Sandanski e të tjera,
janë disa prej emërtesave që nuk kanë ndryshuar në vite, megjithë kalimin e pushtetit nga një kryetar komune në tjetrin, nga një parti shqiptare në tjetrën. Në komunë janë “kujtuar” për të ndryshuar emërtesat vetëm pesë vjet më parë, por sërish e kanë lënë në harresë këtë çështje. Pas disa korrektimeve të një pjese të emrave të rrugëve, si atij të sheshit kryesor të qytetit nga “Marshall Tito” në “Iliria”, emërtesat e objekteve infrastrukturore të qytetit nuk kanë pësuar ndryshime, edhe pse një listë me përafërsisht 140 emra qëndron diku në sirtarë. Në Komunën e Tetovës pohojnë se janë në pritje të miratimit të këtyre propozimeve nga Qeveria, prej së cilës nuk kanë asnjë lloj përgjigje. Sipas tyre, bëhet fjalë për një listë të përpiluar në vitin 2007, e cila pasi është dërguar në Qeveri për miratim, nuk ka ardhur asnjë lloj përgjigje. “Listën e riemërtimit të rrugëve, Komuna e Tetovës ia ka dërguar Qeverisë qysh në vitin 2007. Sipas Ligjit, në afat kohor prej 30 ditësh, qeveria duhet të dërgonte pëlqim. Por, Qeveria nuk ka dorëzuar asnjë pëlqim, por edhe asnjë arsyetim mbi këtë çështje. Komuna e Tetovës në vazhdimësi ka dorëzuar kërkesa në lidhje me dhënien e këtij pëlqimi, por ende nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje. Për shkak të neglizhencës së Qeverisë, kjo listë nuk është regjistruar në regjistrin qendror dhe as në Ministrinë e Transportit. Dhe ky është problemi që disa rrugë shënohen me emra të vjetër edhe në dokumentet personale”, thonë në Zyrën e marrëdhënieve me shtypin. Një prej emërtesave më të reja ishte rruga “114” që u ndryshua në “Dritan Hoxha”. Në komunë pohojnë se kanë arritur ta bëjnë këtë ndryshim për faktin se kur bëhet fjalë për rrugë që bartin numra dhe jo emra, procedurat e miratimit janë të thjeshta. Ndërkohë që në Qeveri mohojnë ekzistencën e kërkesave për ndryshimin e rrugëve. Sipas tyre, që në vitin 2008, nga Komuna e Tetovës nuk është depozituar asnjë lloj shkrese e ngjashme. “Kërkesat për ndryshimin e emrave të objekteve infrastrukturore zakonisht debatohen në seancat e Qeverisë, ku kjo e fundit jep pëlqimin ose jo. Rasti më i fundit ishte kërkesa nga Qyteti i Shkupit, apo nga Komuna e Manastirit, ndërkohë që nga Komuna e Tetovës nuk ka arritur asnjë lloj propozimi që nga viti 2008”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha. Nga ana tjetër, paraardhësi i kryetarit aktual Sadi Bexheti, Hazbi Lika, pohon se çështja e riemërtimit të objekteve infrastrukturore ka mbetur në gjysmë. Në periudhën kur komuna drejtohej prej tij, janë bërë disa ndryshime në emra rrugësh e sheshesh, por ndryshimet e tjera që parashikoheshin kanë mbetur pezull pas përfundimit të mandatit të tij. “Ndoshta duken pak, por në të vërtetë kemi ndryshuar shumë prej emërtesave, si sheshi ‘Iliria’ e të tjera. Hoqëm shumë emra që lidheshin me komunizmin, si ‘Marshall Tito’, apo ‘Lenin’ që u arrit më kompromis mes anëtarëve të Këshillit. Nuk mund të them saktësisht sesa emra janë ndryshuar, por nga paketa e parë e ndryshimeve 80 për qind e emrave të rinj që iu vendosën rrugëve – ishin shqiptarë. Faza e dytë e ndryshimit të emrave të rrugëve përfshinte edhe 140 emra të rinj të patriotëve e figurave të tjera të historisë shqiptare, që nga Rilindja e deri në Luftën e Dytë Botërore. Kishim një marrëveshje për të vazhduar edhe në këtë mandat me ndryshimin e emrave, por nuk patëm fat”, thotë ish-kryetari Lika. Sidoqoftë, Tetova, një komunë ku jetojnë rreth 200 mijë banorë, prej të cilëve 83 për qind janë shqiptarë dhe vetëm 12 për qind maqedonas, dominohet nga emërtesa që lidhen shumë pak, për të mos thënë asfare me trashëgiminë shqiptare, me historinë më të re dhe më të vjetër. Për shembull, pesë shkollat e mesme mbajnë emërtesa të tilla si gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, shkolla mjekësisë “Nikolla Shtejn”, shkolla teknike “Mosha Pijade”, ajo e Tekstilit “Goce Stojçevski”, apo ajo Ekonomike “8 Shtatori”. Po ashtu, edhe rrugët dominohen nga emra si “M.A.Çento”, që zëvendësoi ish “Boris Kidriç”, bulevardi “Bllagoja Toska”, rruga ”Jane Sandanski”, apo edhe ndonjë emër shqiptari i periudhës së komunizmit, si “Murat Baftjari”.
Evis HALILI/KOHA
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply