Është një pyetje e shtruar dhe më parë, por këtë radhë e ngre gjigandi mediatik BBC. Shkrimi i Anna Holligan nis me rrëfimin e kryetarit të sindikatës më të madhe policore në Holandë, Jan Struijs.
”Ne kemi padyshim karakteristikat e një narko shteti”, thotë ai. “Sigurisht nuk jemi Meksika. Nuk kemi 14.400 vrasje. Por nëse shikoni infrastrukturën, paratë e mëdha të fituara nga krimi i organizuar, ekonominë paralele. Po, ne kemi një narko-shtet”. Fjalët e Struijs jehojnë në një shoqëri që është tronditur nga një vrasje, e cila shkoi përtej “flluskës së jetës së nëndheshme kriminale”.
Plumbat që i morën jetën Derk Wiersum shkatërruan një koncept të gabuar që këtu është gati i zakontë, thotë BBC: atë se kartelet e drogës vrasin vetëm “të vetët”. 44 vjecari, baba i dy fëmijëve u qëllua për vdekje përpara gruas së tij pranë shtëpisë së tyre në Amsterdam në muajin shtator.
Wiersum ishte avokat i një dëshmitari të prokurorisë Nabil B, i cili ishte kthyer në person kyç të cështjes kundër dy prej të dyshuarve më të kërkuar të Holandës. Vrasja e tij në mes të ditës, në një lagje tejet të qetë u pa si sulm ndaj shoqërisë civile, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
“Kjo u bë që të na frikësonte të gjithëve” paralajmëroi prokurori publik Fred Westerbeke. “Por ne duhet të vazhdojmë të përdorim dëshmitarët kryesorë përndryshe nuk do të ecim dot përpara”, shtoi ai. Një listë e gjatë incidentesh është dëshmi e brutalitetit të përshkallëzuar. Dy djem të rinj u vranë pak kohë më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me kallashnikov që i bëri shoshë me plumba edhe muret pranë tyre.
Një nënë u vra para fëmijëve të saj; një kokë e prerë u gjet përpara një kafeneje; vrasja e vëllait të një dëshmitari kyc, Reduan B, dhe se fundi, vrasja e juristit Wiersum. Ka nisur të dëgjohet gjithmonë e më shumë përkufizimi “Mocro Mafia”, thotë BBC, që është gjuhë e rrugës: të rinjtë marokenë e thërrasin njëri-tjetrin “Mocro”. Megjithatë nuk janë vetëm marokenët të përfshirë në këtë valë krimi; ka dhe të rinj të rritur në zona të Amstersdamit, ku turistët nuk shkojnë kurrë, vazhdon shkrimi.
Edhe përpara vrasjes së Wiersum, një raport i kryebashkiakut të Amsterdamit në muajin gusht e përshkruante kryeqytetin holandez si “parajsën e kriminelëve të drogës”.
Gazeta SHQIP


Leave a Reply