Zeqirja Idrizi, i lindur më 1 mars 1959 në fshatin Gradec të Gostivarit (Maqedoni), me fakultet dhe magjistraturë të përfunduar në Universitetin e Prishtinës, i doktoruar dy herë: herën e parë në Universitetin e Tetovës, herën e dytë në Universitetin e Tiranës, profesor dhe dekan disavjeçarë në Universitetin e Tetovës, profesor në Universitetin Evropian e më pas në FON të Shkupit, në Kolegjin “Fama” Prishtinë si dhe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe, aktualisht dhe në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, autor dhe i dy monografive (“Pozita e shqiptarëve të Maqedonisë pas Luftës së Dytë Botërore” dhe “Trevat e Pollogut në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1899-1913)”, vjen para lexuesit me një libër të veçantë, të munguar dhe të nevojshëm në fushën e historisë dhe diplomacisë: “Historia e diplomacisë”.
Jo se tek ne nuk janë shkruar deri më sot libra për diplomacinë dhe historinë e saj, porse te ky libër qasja ndaj historisë së diplomacisë, ndaj çështjeve që ka trajtuar është më ndryshe.
Qasja mbi parime shkencore ndaj çështjeve që janë trajtuar në këtë libër, si në rrafshin diakronik, si në atë sinkronik, si në rrafshin formal dhe përmbajtjësor, është evidente. Struktura e librit ngërthen në vete një përmbajtje të begatë, ngërthen në vete çështje të ndryshme që lidhen me historinë, sidomos me historinë dhe me diplomacinë, por dhe politikën dhe konceptet për to. Lënda është sistemuar në tetë kapituj. Çdo kapitull përbëhet nga njësi më të vogla siç janë nënkapitujt dhe njësitë të tjera përbërëse, ku autori trajton probleme të ndryshme. Madje, pjesë e strukturës janë jo pak skema, skica, tabela, lista dhe forma të tjera me qëllim qartësimin dhe konkretizimi të idesë, konceptit për çështjet e trajtuara. Siç edhe shihet nga struktura e librit, nga kapitujt, nënkapitujt dhe njësitë tjera më të vogla që përbëjnë strukturën, autori në fokus ka çështje të ndryshme që lidhen me historinë e diplomacisë, me “ekuilibrin e forcave”, me Çështjen Lindore, e cila edhe sot e kësaj dite del të jetë shumë problematike dhe komplekse për botën; me çështje të ndryshme të LDB, me çështjet kryekëput diplomatike, siç janë: llojet e diplomacisë, diplomacia si organizatë, të drejtat diplomatike dhe konsullore sipas Konventave të Vjenës, protokollet diplomatike e deri te shtojca problematike dhe shumë dilematike “Ardhmëria e diplomacisë”. Këto janë shtyllat kryesore mbi të cilin ndërtohet arkitektura e këtij libri. Fjalorthi i termave, Konventat e Vjenës mbi Marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore si dhe burimet dhe literatura e pasur, pa lënë anash dhe pikëpamjet, mendimet, idetë e të tjerëve dhe të vetë autorit, përbëjnë lëndën e parë. Njësitë (kapitujt), në njësitë (nënkapitujt) dhe përbërësit tjerë na bartin sa në një kohë sa në kohën tjetër, sa në një periudhë, sa në periudhën tjetër, herë te një çështje e herë të çështja tjetër, shtrirë në hapësirë dhe kohë, në sinkroni dhe diakroni. Kësisoj autori na rikujton ngjarje dramatike, historike, diplomatike, takime, konferenca, traktate, kongrese, vendime që jo rrallë lanë pasoja për njerëzimin. Që, siç del dhe këtu, jo rrallë shumë probleme të komplikura vetëm sa u ricikluan si pasojë e ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha.
Në rrafshin përmbajtësor autori trajton çështje që kanë të bëjnë historinë e diplomacisë dhe me evoluimin e saj, me rolin dhe ndikimin e saj përgjatë historisë, e cila, në disa raste u shpërdorua. Për pasojë diplomacia, në vend që të luante rolin që i takonte, ajo luajti rol dezintegrues, dezorientuese, çekuilibruese dhe zhgënjyese për paqen në botë. Duke iu shërbyer politikanëve dhe interesave të tyre, por jo popujve, paqes dhe ardhmërisë së njeriut. Kështu që diplomacia, sidomos në shek. XIX dhe XX, ka hapur plagë, ka hapur shumë dilema, por ka shkaktuar edhe tragjedi njerëzore, kombëtare e ndërkombëtare. Kjo ka ndodhur atëherë kur diplomacia nuk është përdorur si duhet dhe kur duhet. Se ka ndodhur kështu dëshmon dhe ky libër, i cili është shkruar jo mbi bazën e hamendjeve e supozimeve, por të fakteve që historia i ka pranuar si të pakontestueshme.
Autori ka në fokus historinë e diplomacisë, me theks të veçantë në Evropë. Sepse, siç dihet në Evropë nisën dhe sosën shumë përpjekje e përplasje diplomatike e ushtarake, shumë ngjarje, të cilat çuan në luftëra dhe tragjedi për popuj, shtete e perandori.
Autori problematikën e trajton në dy rrafshe: në rrafshin diakronik dhe në rrafshin sinkronik. Kur çështja trajtohet në rrafshin diakronik, autori flet për shtrirjen në kohë të diplomacisë, me theks të veçantë të asaj në Evropë. Gjenezën e diplomacisë e gjen në parahistori, më saktë në periudhë e bashkësive fisnore, diku në mijëvjeçarin e katërt para erës sonë, në Lindjen e Largët. Mirëpo, sipas autorit në formën e saj moderne diplomacia lind dhe formohet në Gadishullin Italian në fund të shekullit XV. Sipas tij, një zhvillim i hovshëm i diplomacisë (tradicionale) arrihet në kohën e krijimit të qyteteve-shtete, më saktë te poliset greke, te Perandoria Romake, në Azinë Perëndimore, te shtete hinduse, te mbretërit hebrenj. Mirëpo, si pas autorit, nëse diplomacia e Greqisë së lashtë ka qenë më e zhvilluar, më e hapur, më fleksibile, te Perandori Romake ka qenë më e mbyllur. Ndryshe u veprua në perandorinë Bizantine. Ajo, Perandoria Bizantine, do ta përdor mjeshtërisht diplomacinë, pra më shumë se sa fuqinë e armës. Duke folur për historinë e diplomacisë nga një periudhë në periudhën tjetër, autori dallon dy lloje të diplomacisë: diplomacinë bilaterale (si lloji më i vjetër i diplomacisë) dhe diplomacinë multilaterale (që është shumë më e re, krijimi i së cilës çoi deri te formimi i organizatave ndërkombëtare). Duke folur për çfarësinë e diplomacisë multilaterale, flet për rolin dhe rëndësinë e saj, për kohën e krijimit të saj, por duke e shtruar problemin edhe në rrafshin sinkronik. Si në rrafshin diakronik, si në atë sinkronik, autori jo vetëm që flet për diplomacinë bilaterale dhe multilaterale, por edhe për gjashtë gjuhët zyrtare që janë përdorur e përdoren në diplomaci: anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja, rusishtja, arabishtja dhe gjuha kineze. Autori përmend dallimet dhe përkimet mes diplomacisë bilaterale dhe multilaterale, përmend rolin, ndikimin, veçoritë dhe karakteristikat e tyre, shtrirjen e tyre në kohë dhe hapësirë.
Varësisht nga këndvështrimet, nga pikëpamjet, diplomacia na del herë mjet, herë metodë, herë institucion, herë organizatë, herë profesion e herë mision i vështirë. Në ndonjë rast ajo konsiderohet edhe nënsistem i shtetit. Përveç me çfarësinë e diplomacisë dhe llojet e saj, autori merret dhe me “ekuilibrin e forcave”, ose vendosjen e baraspeshës së fuqisë, për të cilën thotë se nuk ka lindur në Francë, por në Itali. Sipas tij “ekuilibri…” ka lindur në Itali me Nikolla Makiavelin, i cili e ka formuar nocionin “ekuilibër i forcave”. Është vepruar kështu me qëllim të krijimit të ekuilibrave të brendshme mes shteteve italiane: Shtetit të Papatit, Napolit, Firencës, Milanos dhe Venedikut. Kjo, sipas autorit ndodhi me qëllim të eliminimit të dominimit të njërit ndaj tjetrit. Kjo lloj politike, kjo lloj diplomacie, sikur ka shmangur për një kohë politikat e mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve, por jo çdo herë dhe jo shumë gjatë. Pra, është vepruar kështu me qëllim të krijimit të balancave brendakombëtare, e cila më vonë do të gjejë shtrirje edhe në rrafshin ndërkombëtar. Mirëpo, në rrafshin ndërkombëtar “ekuilibri i forcave” nisi të shpërdorohej në atë masë sa degradoi deri në nivelin më të ulët, duke humbur rolin dhe karakterin e saj.
Duke folur për problemet e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërkombëtare, si në rrafshin sinkronik si në atë diakronik, autori flet edhe për sisteme, për konflikte të ndryshme (madje edhe fetare), për Sistemin dhe për Paqen e Vesfalisë (1648), me ç’rast u përcaktua rendi i ri Evropian, i cili përcaktoi sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare evropiane dhe krijimin e shteteve moderne Evropiane. Kjo, sipas autorit, i hapi dyert diplomacisë multilaterale, me këtë rast edhe e prishjes së marrëdhënieve ndërkombëtare mesjetare.
Gamën e çështjeve që ka në fokus autori i zgjeron hap pas hapi dhe me kujdes. Kështu, ai merret edhe me Diplomacinë e Rilindjes dhe veçoritë e saj, me Traktatin e Karrllovcit dhe Perandorinë Osmane, e cila asaj kohe po shndërrohej në një faktor kërcënuese për Evropën; me tendencat, synimet dhe ambiciet e Rusisë dhe ndërhyrjen e saj në Ukrainë, më saktë në Krime, me qëllimin që të zgjerohej dhe të shtojë ndikimin e vet drejtë Ballkanit, duke krijuar shtete të vogla sllave në Ballkan, duke hartuar dhe plane, siç ishte “Projekti ballkanik”, ku synim ishte pushtimi i trojeve shqiptare. Kundër këtij projekti u shprehën Anglia dhe Franca. Kriza mes Fuqive të Evropës, Rusisë dhe Perandorisë Osmane, e vuri në lëvizje Diplomacinë e Napolon Bonapartit, diplomacinë ekonomike dhe kontinentale, duke i dhënë kështu diplomacisë një dimension të ri. Duke folur për Kriza autori përmend disa shkaktarë që i shkaktuan ato, ku ndër të tjerë veçon liberalizmin, nacionalizmin e shovinizmin, cinizmin, skepticizmin. Kjo do të çoi deri të bllokimi i diplomacisë, me këtë edhe të krijimi i krizave të reja, krijimi i blloqeve, aleancave, të cilat çuan pashmangshëm të dy luftëra botërore, të cilat përfunduan me pasoja tragjike për njerëzimin, për popuj, shtete e aleanca; për ekonominë, kulturën, shkencën dhe të ardhmen e njerëzimit. Duke folur për dështimet e Diplomacisë evropiane në mesin e shekullit XIX, ai konstaton: Qysh nga mesi i shek XIX e tutje, diplomacia nuk i rezistoi nacionalizmit nga frika se mos akuzoheshin për tradhti kombëtare. Kështu, diplomatët vetëm rrobat kishin civile. Ata u bënë instrument të politikave militare. Këtë autori e konsideron si një nga faqet më negative të diplomacisë evropiane.
Në këtë libër, ndër të tjera, zënë vend dhe çështjet siç janë: Çështja Lindore dhe Konferenca e Paqes në Paris; luftërat, pasojat dhe shkaktarët që sollën ato; roli i protagonistëve, si: Çurçill, Ruzvelt dhe Stalin etj. Për autorin e këtij libri, fillimi i rënies së nazizmit shënon fazën e lindjes së negociatave multilaterale midis personaliteteve përkohësisht aleatë (Çurçil, Ruzvelt, Stalin). Mirëpo, sipas autorit, derisa po ia vënin kapakun të keqes (nazizmit) ata po ia hapnin dyert një të keqeje tjetër (bolshevizmit) që po vinte në radhë. Një paralajmërim të tillë, sipas autorit, e kishte bërë Çurçill duke thënë se LDB po shndërrohej në një betejë përgatitjesh strategjike. Autori më tutje shpërfaq mendime për ekuilibrin tradicional që synonte Çurçill, për Stalinin dhe përpjekjet e tij për imponimin e politikës tradicionale ruse, ideologjinë komuniste dhe shtrirjen e saj drejt Evropës Qendrore; për Takimin e Jaltës, të cilin e konsideron si takimin më të rëndësishëm (trepalësh) gjatë LDB për fillimin e ndarjes së sferave të interesit mes aleatëve (në LDB) e më vonë rivalëve dhe fillimin e mosbesimit mes koalicionit antifashist (Britani, SHBA, Rusi); për Konferencën e Krimesë; për faktin se si bota po shkonte drejtë një ndarje të re në dy kampe, në dy ideologji, në ndeshje titanike mes këtyre dy ideologjive, dy kampeve, ekonomive; për kursin e ashpër të SHBA-së në krye me Trumanin në marrëdhëniet ndërkombëtare; për përparësitë e sistemit amerikan të “ekonomisë së lirë” dhe rreziqet e sistemit sovjetik të “ekonomisë së dirigjuar”; për përballjen e Fuqive: SHBA dhe BS për Evropën në zemër të Evropës (Kriza e Berlinit, 1948-1949); për divergjencat, kontradiktat, pasojat e Luftës së Ftohtë; për politikën e armatimit bërthamor të superfuqive; për raportet SHBA-BS me rastin e Krizës së raketave në Kubë; për balancën bipolare mes dy superfuqive; për rikthimin e Luftës së Ftohtë (1980) SHBA-BS; për evoluimin e diplomacisë etj. etj.
Autori duke u marrë me historinë e diplomacisë, doemos se nuk lë anash dhe praktikat diplomatike fillestare që zanafillën e kanë te qytetet shtete në Greqi; diplomacinë klasike për të cilën thotë se epoka më e rëndësishme e saj është shekulli XVIII-XIX, kulmin e të cilës, arrihet më 1815 në Kongresin e Vjenës dhe Athinës (1818), ku u aprovua rregullueshmëria e titujve diplomatik, ku diplomacia për herë të parë pranohet si profesion. Një hapësirë dhe vëmendje i kushtohet dhe diplomacisë moderne dhe karakteristikave të saj, duke përmendur ato si më kryesore. Autori, në një rast shpreh frikën për faktin se si bashkësia ndërkombëtare ballafaqohet me fenomene sfiduese: me çështjen e ekzistencës, si pasojë e zhvillimit të hovshëm ushtarak si dhe anashkalimin e ekologjisë botërore; me trefishimin e numrit të shteteve, me dhjetëfishimin e organizatave ndërkombëtare; me faktin se si “pjesa e rëndësishme e politikës së jashtme të shteteve anëtare, bëhet politikë e brendshme e BE-së”; me diplomacinë postmoderne, ku politika e jashtme e shteteve tkurret, sepse me të merren organizatat, si: BE, NATO etj. Për më tepër, autori sikur tërheq vërejtjen se para nesh, para diplomacisë së sotme, para botës janë hapur shtigje të reja vështirë të kontrollueshme për dikë dhe vështirë të kalueshme e vështirë të arritshme për dikë tjetër.
Autori bën dhe një ndarje kohore, një farë periodizimi të historisë së diplomacisë, të shtrirë në kohë duke bërë prerje kohore dhe duke përdorur terminologji, si: diplomaci fillestare (nga fillimet e saj deri më 1648), klasike (1648-1920), moderne (1920-1988) dhe postmoderne (1989 e tutje), e cila edhe mund të jetë e debatueshme.
Autori, nuk është paragjykues. As nuk ka paragjykime gjinore, raciale, nacionale a religjioze. Se është kështu është dëshmuar dhe për një fakt që duhet përmendur. Edhe pse vjen nga trojet shqiptare në Maqedoni, ku shqiptarët kanë vuajtur shumë, se ata ende nuk gëzojnë të drejtat e nevojshme, ai prapë flet për shtetin maqedon, për historikun e këtij shteti të krijuar vonë, por që është ballafaquar e vazhdon të ballafaqohet me shumë sfida. Autori nuk ka vepruar rastësisht dhe pa qëllim kur është marrë me diplomacinë dhe sfidat e shtetit maqedon, me problemet e me të cilat ballafaqohet ky shtet me fqinjët, e të cilat nuk po i zgjedh dot tash e dy dekada.
Autori në këtë libër, ndër të tjera flet edhe për diplomacinë dhe llojet e saj. Kur flet për diplomacinë, ai flet dhe për diplomacinë politike (e cila quhet dhe diplomaci e përgjithshme); për diplomacinë ushtarake, kulturore, ekonomike, shkencore, por edhe për veçoritë, specifikat dhe karakteristikat e tyre. Duke dashur që të jetë më konkret, më i qartë në këtë shumësi temash, çështjesh të trajtuara, për këtë ndarje e nënndarje, ai nuk jep vetëm informacionin. Ai jep dhe sqarimet e nevojshme. Sqarimet nuk i bën vetëm me fjalë, por edhe me anë të skemave, skicave, paraqitjeve tabelore, listave e shembujve të ngjashëm. Duke synuar ta përdor gjuhën e thjeshtësisë, konkretësisë dhe qartësisë.
Çështjet e nocionit dhe definicionit të diplomacisë janë problematikë e radhës që ka trajtuar autori. Sepse, siç mund të vërehet edhe te ky libër, diplomacia nuk duhet kuptuar vetëm si një fjalë, si nocion, definicion, por dhe si profesion, si institucion, madje dhe si organizatë. Pra, diplomacia del të jetë një çështje shumë komplekse për t’u definuar, për t’u kufizuar semantikisht si nocion, definicion a koncept. Duke u marrë me çështje të kësaj natyre, autori gjendet mes shumë mendimesh, pikëpamjesh, idesh, definicionesh, teorish, vetëm e vetëm që problematikën ta trajtojë në shumë aspekte, ani se i del shumë punë, ani se ballafaqohet me shumësi pikëpamjesh, idesh dhe kontradiktash. Bazuar në ato çfarë kemi mundur të vërejmë, duhet thënë se për çështjet që trajton, autori ka informacion të mjaftueshëm, ka pasur qasje në burime të ndryshme, ka vjelë shumë mendime ide, teori, pikëpamje e koncepte të autorëve të ndryshëm, si: Nocolson, Morgenthan, Brglezi, Anderson, Bartstoni, Starvovi, Benko etj. Ai ballafaqon pikëpamjet e atyre që janë shumë të drejtpërdrejtë dhe të prerë për çështjen në fjalë, por edhe të atyre, të dhënat e të cilëve, janë indirekte, jo shumë të qarta, të pa definuara sa duhet. Duke u përballur me këto shumësi vështrimesh, opinionesh, pikëpamjesh sikur sfidohet. Megjithatë, ai din të jetë dhe vetvetja, pra ta shfaq dhe mendimin e vetë.
Duke folur për diplomacinë si organizatë, domethënë për ministrinë e punëve të jashtme, flet dhe për përfaqësitë diplomatike e konsullore, për rrjetin dhe për personelin e tyre. Duke përmendur, madje, dhe të dhëna konkretet statistikore rreth përbërjes, sistemimit, hierarkisë, strukturës dhe përgjegjësive. Pra, merret dhe me çështje kadrovike, organizative, të përgjithshme, financiare, të sigurisë, madje dhe çështje të tjera teknike. Sipas autorit, njësitë organizative sipas llojeve të veprimtarive mund të jenë: politike, juridike, tregtare, ekonomike, kulturore, shkencore, protokollare, konsullore, të sigurisë. Për strukturën e organizatës (ministrinë e punëve të jashtme me resorët e saj), për shtrirjen e saj horizontale dhe vertikale, shprehet se duhet të jetë e organizuar në pesë tërësi (njësi) organizative, që sipas tij janë: drejtoria e përgjithshme bilaterale politike, drejtoria e përgjithshme multilaterale politike, për të drejtat ndërkombëtare, sekretarinë dhe, kabinetin e ministrit. Për këto dhe të tjera autori i referohet Konventave të Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore. Konventave të Vjenës u referohet edhe kur përmend llojet e konsullatave, siç janë: konsullata gjenerale, konsullatat, nënkonsullata dhe agjencia konsullore, por edhe zyrtarët e tyre, si: konsuj gjeneral, konsuj, nënkonsuj dhe agjendë konsullor. Për të përcaktuar përfaqësinë diplomatike autori veçon dhe kriteret që duhet t’i kemi parasysh, që sipas tij janë: kriteri gjeografik, politik, kadrovik, organizativ, fleksibil, i reciprocitetit etj.
Komunikimi diplomatik është çështje e radhës për të cilën autori tërheq vëmendjen për kujdes maksimal. Sepse, sipas tij, ka shumë rëndësi procesi i informimit-komunikimit, marrjes, distribuimit, ridistribuimit, informatave, struktura e komunikimit diplomatik. Për mënyrën e komunikimit, sipas autorit, janë dy linja, pra komunikimi zhvillohet në dy mënyra: intern (ose i brendshëm) dhe ekstern (i jashtëm). Por ai nuk lë pa përmendur dhe kujdesin formal, përmbajtjesor, madje dhe shprehjet frazeologjike që duhet përdorur gjatë komunikimit ndërshtetëror, ndërkombëtar, qoftë kur kemi të bëjmë me nota diplomatike, qoftë me depeshe apo diçka tjetër të kësaj natyre. Flet dhe për bartësit, protagonistët e këtij komunikimi, për mjedisin, për stilin e komunikimit, gjuhën që përdoret, shprehjet, qartësinë, esencën dhe shkurtësinë. Autori merret dhe me çështjen, rolin dhe rëndësinë e protokollit diplomatik, i cili shpesh din të jetë shumë sfidues, për të cilin duhet pasur kujdes, sepse mund të shkaktohen skandale diplomatike. Për këto dhe çështje të tjera, siç thamë, autori si pika referenicale përdor dhe analizon dy dokumente ndërkombëtare: Konventën mbi Marrëdhëniet Diplomatike (Vjenë, 26 prill 1961) dhe Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore (24 prill 1963), të cilat rregullojnë pothuaj deri në detaje të drejtat diplomatike dhe konsullore.
Duke lexuar këtë libër, vijmë në përfundim se diplomacia është një profesion i vështirë, një mision shumë i rëndësishëm; se diplomacia është dhe një mënyrë komunikimi shpesh i kodifikuar, vështirë i shpjegueshëm e vështirë i zbërthyeshëm, e cila po u përdor si duhet dhe me kujdes, mund të krijojë favore për përfaqësinë diplomatike, për ministrinë e punëve të jashtme, për shtetin, për krijimi e raporteve të bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare. Në të kundërtën din të jetë zhgënjyese, pse jo dhe tragjike nëse nuk i përshtatemi kohës, rrethanave dhe shumë faktorëve tjerë.
Prandaj, ky libër, kjo histori është dhe një dëshmi e mirë që na rifreskon kujtesën dhe na rikujton se shmangia e tragjedive njerëzore në përmasa botërore, jo rrallë ka qenë dhe mund të jetë në dorën e diplomatëve, politikanëve të kujdesshëm, të pjekur, ku respektohen rregullat e lojës në fushën përkatëse. Atëherë kur rregullat (sidomos ato diplomatike) shkelen, pasojat i vuajnë të gjithë. Kësisoj mund të themi se ky libër nuk është thjeshtë një histori diplomacie, por është diçka më shumë. Me anë të këtij libri autori synon që të na bëjë më të qartë rolin dhe rëndësinë që ka luajtur e mund të luajë diplomacia. Prandaj, jo rastësisht është marrë dhe me nocione, definicione, koncepte, ide, pikëpamje, mendime, teori, të cilat herë janë përafruese, herë janë të ndryshme e kontradiktore, por që e përplotësojnë njëra-tjetrën, e bëjnë më të qartë domethënien, rolin, rëndësinë dhe kompleksitetin e diplomacisë si nocion, organizatë a profesion. Sepse, siç thotë edhe vetë autori, diplomacia është një aktivitet politik dhe komponentë e rëndësishme, me anë të të cilës realizohen qëllime të caktuara në fushën e politikës.
Ky libër nuk ka vetëm karakter përkujtues, informues, didaktik, të një si udhëzuesi mbi edukatën diplomatike. Libri në fjalë mund të përdoret dhe si tekst universitar, por dhe si udhëzues konkret për organizimin e institucionit të diplomacisë. Sepse diplomacia mund të jetë, në fakt është një fushë e rrëshqitshme, e minuar, e cila në momente të caktuara mund të shkaktojë shpërthim tronditës. Thjesht, diplomacia nuk është një luks në duart e të papërgjegjshmëve, por një përgjegjësi në duart e atyre që kanë vizion, pasion dhe profesion. Se është kështu dëshmon dhe ky libër, në të cilën autori ka bërë përpjekje ta krijojë një përfytyrim, ta ndërtojë një koncept më të qartë për historinë e diplomacisë, për vetë diplomacinë si fushëbeteje, si arenë, si mision dhe profesion.
Me fjalë të tjera, autori synon që me këtë tekst të na përkujtojë se diplomacia përbën një sintezë konceptesh, idesh, pikëpamjesh në proces në marrëdhëniet ndërkombëtare, bilaterale dhe multilaterale.
Si përfundim, ky libër, përveç për studentë, për njerëz të profesionit mund të përdoret dhe si një udhëzues i rëndësishëm në komunikimin diplomatik nga ambasadorët, konsujt, sekretarët, ministrat e jashtëm e, pse jo dhe nga krerë të shtetit dhe institucioneve: presidenca, qeveria, kuvendi, atashetë ushtarakë, kulturorë, ekonomikë, politikë etj. Sidomos në ato vende dhe shtete ku diplomacia si institucion është në konsolidim e sipër, siç është rasti i Kosovës. Edhe pse, jo gjithçka duhet merret shabllon nga ky libër, sepse si çdo libër, edhe ky ka lëshimet e veta. Megjithatë, është një mësim i mirë, një përpjekje, një sfidë e re e autorit që ka bërë duke botuar këtë libër.
Ky libër sa voluminoz aq edhe përmbajtësor, flet për përgatitjen e autorit, përkushtimin e tij ndaj studentëve, profesionit dhe misionit që ka vënë vetes.
Burimi/Facebook


Leave a Reply