Qeveria e Kosovës po krijon një pozitë të re pune.
Koordinatori për Trashëgiminë e Ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova pritet të emërohet së shpejti nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Siç raporton Infokusi, kjo pozitë do t’i takojë ish-ministrit të kulturës, Astrit Haraqija, i cili ka një aktakuzë të ngritur për krim të organizuar në rastin e lëshimit të vizave nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Gazeta InFokus ka pyetur zyrtarisht kabinetin e kryeministrit Ramush Haradinaj, por ata nuk e kanë pohuar e as nuk e kanë mohuar një gjë të tillë. Pavarësisht kësaj përgjigje nuk kanë kthyer.
Vendimi për caktimin e koordinatorit sipas të njëjtave burimeve pritet të merret në njërën nga mbledhjet e radhës së qeverisë.
Përkujdesja institucionale ndaj familjes Rugova është shtuar me ardhjen në krye të ekzekutivit të Ramush Haradinajt.
Kjo edhe për faktin se Lista Rugova është bërë pjesë e qeverisë Haradinaj me angazhimin e Dardan Gashit si zv-kryeministër e Ministër Diaspore.
Në këmbim të kësaj nuk ka munguar edhe vota e Teuta Rugovës, në Kuvendin e Kosovës sa herë që Haradinaj ka pasur nevojë.
Qeveria e Kosovës kishte ndarë 57,944 për rezidencën e familjes së ish- Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në lagjen Velania në Prishtinë në maj të vitit 2018.
Propozimi i bërë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi, ishte miratuar nga kabineti qeveritar.
Edhe në tetor të vitit 2017, gjithashtu me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qeveria kishte ndarë 27,857 euro për pagesën e punonjësve për “shërbime të veçanta” në të njëjtën rezidencë.
Së fundmi familjen Rugova e ka nderuar me dekoratë edhe presidenti Hashim Thaçi.
Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006 ndërsa në rezidencë jetojnë familja e ngushtë e tij.
insajderi.com
Leave a Reply