Haradinaj: Jam i tronditur nga abuzimi i policit dhe mësuesit me vajzën e mitur në Drenas
Kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i tronditur nga rasti i nxënëses në Drenas, e cila ishte abuzuar seksualisht fillimisht nga mësuesi, dhe pastaj nga polici.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka përgëzuar reagimin e autoriteteve të komunës së Drenasit, për veprimin ndaj këtyre abuzuesve.
“Me shqetësim mora lajmin për rastin e fundit të abuzimit seksual me të miturën nga Drenasi. Jam i tronditur që një mësues që i besojmë femiun dhe një polic që i besojmë sigurinë të abuzojnë me një të mitur. Përgëzoj reagimin e shpejtë të autoriteteve komunale dhe qëndrore ndaj këtyre abuzuesve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Shefi i qeverisë së Kosovës ka kërkuar nga të gjitha gratë dhe vajzat, që të paraqesin rastet e abuzimeve dhe kërcënimeve.
“Bashkëndjejë me familjen e të abuzuares dhe i siguroj që organet e drejtësisë do të merren me rastin seriozisht. Dua t’i falenderoj mediat për angazhimin e pandalshëm që të raportojnë për raste të tilla dhe të shtyejnë reagimin institucional dhe shoqërore. Apeloj te të gjitha vajzat dhe gratë që janë cak i abuzimeve dhe kërcënimeve të kësaj natyre, të paraqesin raster dhe të raportojnë dhunuesit”, përfundon postimin e tij Ramush Haradinaj.
Lexo po ashtu:
Ndryshe, siç ka raportuar Insajderi të martën, 16-vjeçarja nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor. Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzëne. Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.
Inspektorati Policor i Kosovës sot përmes një njoftimi për media ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari policor, me dyshimet për kryerje të veprimeve të kundërligjshme nga një zyrtar policor.
Pas intervistimit të të dyshuarit (punonjësit policor me inicialet V.V) i njëjti është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin. /Telegrafi/
——————————————————
Jahjaga: Individët e përfshirë në rastin në Drenas s’kanë vend në shkolla e polici
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar lidhur me rastin e keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas.
Një e mitur në Drenas u raportua se është keqpërdorur seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe një hetues policor. Sot, hetuesi policor është arrestuar, ndërsa mësimdhënësi është risuspenduar nga puna.
“Jam e shokuar dhe thellësisht e irrituar me lajmet mbi abuzimin e dyfishtë seksual të vajzës nga Drenasi. Pas abuzimit të saj në shkollë, e cila do të duhej të ishte shtëpi e dytë për fëmijët tanë, ajo iu drejtua për ndihmë një polici i cili do të duhej ta mbronte atë. Por, shkolla u shndërrua në ferr, ndërsa polici u bë abuzues. E gjithë kjo ndodhi sepse dy individë shpërfaqen të keqen e tyre duke ushtruar-madje vazhdimisht- dhunë të egër, mizore e barbare mbi një të mitur”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.
Sipas Jahjagës, individët e përfshirë në këtë rast nuk e kanë vendin as në shkollë e as në polici. “Shkollat tona nuk janë vende krimi e policët tanë nuk janë kriminelë!” ka shtuar ajo.
“Individët që dhunojnë fizikisht e psiçikisht vajzat e djemtë tanë duke kryer vepra të tilla çnjerëzore e kanë vendin prapa grilave. U bëjë thirrje institucioneve të drejtësisë që, sa më parë, ta ndriçojnë këtë rast, dhe kryesit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar!” përfundon reagimi i Jahjagës.
—————————————————————–
Për abuzimin e vajzës në Drenas, Veseli kërkon nga autoritetet të marrin veprimet e duhura
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur indinjatën e tij për rastin e abuzimit seksual të së miturës në Drenas.
Veseli nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka kërkuar nga autoritetet që të marrin veprimet e duhura.
Sipas tij, ata që e kanë kryer këtë krim, duhet të goditen nga drejtësia pa mëshirë.
“Shpreh indinjatën time të thellë për ngjarjen e fundit të dhunimit të një vajze në Drenas. Kërkoj nga autoritetet përgjegjëse që të marrin veprimet e duhura, me qëllim që drejtësia të godasë pa mëshirë ata të cilët e bënë këtë krim”, ka shkruar Kadri Veseli.
Ndryshe për këtë rast kanë reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Veseli dhe presidenti Thaçi.
————————————————-
Pacolli i alarmuar nga rasti i 16-vjeçares në Drenas
Autori: Lajmi.net
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj rastit të 16 vjeçarës nga Drenasi e cila u abuzua seksualisht nga mësuesi i saj dhe nga një polic.
Pacolli ka kërkuar nga institucionet që të veprojnë urgjentisht për këtë rast.
Sipas tij, rasti i nëpërkëmbjes dhe cenimit deri në skllavërim, i një vajze 16 vjeçare, siç thotë ai, dëshmon dështimin e një morie institucionesh, përcjell lajmi.net
Postimi i plotë:
Veprim urgjent institucional
I alarmuar nga rasti i sotshëm monstruoz i shkeljes së dinjitetit dhe i fyrjes që i bëhet vlerave e traditës sonë, si dhe cenimit të vet themeleve ligjore e institucionale nuk mund të qëndroj indiferent nga ajo çfarë pamë e dëgjuam sot. Rasti i nëpërkëmbjes dhe cenimit deri në skllavërim, i një vajze 16 vjeçare, dëshmon dështimin e një morie institucionesh, prandaj së shpejti do të propozoj që sikurse në botën e civilizuar dhe demokratike, këta shkelës monstruoz dhe kushdo që guxon të prek nderin dhe moralin e tjetrit, të konfirmuar me vendim nga një gjykate, me automatizëm të figuroj në një listë publike të ofenduesve seksual. Atyre do t’ju ndalohej ushtrimi i çfarëdo roli a pozite zyrtare. Madje një listë dhe masë e ngjashme, do të duhej t’i nxirrte siç janë, edhe ata që dënohen për korrupsion.
Kupa është mbushur, duhet veprim urgjent institucional! /Lajmi.net/
———————————————
Kelmendi reagon ndaj dhunuesve të vajzës së mitur
Mjerë për juve dhunues të vajzës së mitur, a e dini çka ju pret ditën e drejtësisë absolute – Ditën e Gjykimit?
Kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur me vajzën e mitur nga Drenasi është një krim monstruoz.
Ata që kanë bërë këtë krim monstruoz janë një mësimdhënës dhe një hetues policor.
Ata duhet ta marrin dënimin maksimal.
Edhe arsimi edhe shëndetësia janë shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës.
Edhe mësimdhënësit edhe policët e Kosovës janë duke i shërbyer vendit tonë me mund dhe sakrificë dhe meritojnë respekt të veçantë.
Por ja se edhe në mesin e tyre ka kriminelë dhe bisha.
Si duhet shteti ynë të veproj në ngjarje të tilla?
Edhe ministria e arsimit, policia dhe institucionet tjera duhet të i japin prioritet edukimit fetar.
Edukimi fetar duhet të i përfshi të gjithë, edhe nxënësit edhe të të rriturit.
Kujtoj me keqardhje deklaratën skandaloze të drejtorit të policisë së Kosovës Rashit Qalaj, i cili posa morri detyrën si drejtor i policisë deklaroj: “Nuk do të i lejoj policët të falen në xhami gjatë orarit të punës”.
Tani po iu tregoj juve drejtor Qalaj: policët që shkojnë në xhami, që i përkulen dhe i frikësohen ZOTIT, nuk bëjnë krime të tilla monstruoze.
Një polic besimtar ruan moralin e vet dhe moralin e shoqërisë.
Një polic që i frikësohet ZOTIT, ruan popullin dhe shtetin e tij.
Por armiku ynë shekullor regjimi komunist, zhvilloj politika kundër fesë në veçanti dhe kundër popullit tonë në përgjithësi.
Deklarata dhe qëndrimet e juaja drejtor, nuk dallojnë prej politikave komuniste.
Pasojat e politikës komuniste po i vuan sot familja e asaj vajze të mitur nga Drenasi dhe po i vuan tërë populli ynë.
Por, komunizmi edhe pse kishte pushtet dhe forcë, u zhduk nga ky vend.
Ndërsa feja dhe besimtarët po shtohen dhe forcohen çdo ditë e më shumë.
Për fund, i dërgoj porosi asaj familje shqiptare nga Drenasi se kriminelët edhe nëse i shpëtojnë ligjeve të Kosovës, ata nuk do t’ishpëtojnë drejtësisë absolute -Ditës së Gjykimit kur dalin para ZOTIT.
Vërtetë ajo ditë është ditë e rëndë për zullumqarët dhe kriminelët.
Zoti iu ruajt dhe ju forcoftë familje e nderuar nga Drenasi.
ZOTI ju dhuroftë durim dhe urtësi.
Gëzim Kelmendi


Leave a Reply