Edlir Reka: Rusia më dha atë që kam dashur gjithë jetën, emocionet e kupës për pikturën më të mirë Egla Xhemali – Për të kjo është periudha më e bukur. I vlerësuar me çmimin e parë për pikturën më të mirë në Rusi, Edlir Reka ndan me ne emocionet e triumfit. Piktori pohon se ajo ditë tanimë është shënuar në kalendarin e shpirtit. Për “Gazeta shqiptare” Reka tregon mënyrën se si u takua me pikturën, tonalitetet që e ndryshojnë gjendjen e brendshme të njerëzve, transformimin që i bën arti, gjërat që nuk do ti linte asnjëherë peng, si dhe sakrificat që ka bërë për t’ia mbërritur kësaj dite. Bluja është ngjyra e tij. Edliri e lidh atë me lirinë dhe qiellin. Përmes pikturave shpaloset një përjetim i brendshëm magjik me qëllim që të përkapet nga të gjithë ata që e duan artin e në veçanti pikturën. Nuk ka kufizim në botën e magjive. Ajo është e paparashikueshme kur bëhet për pleksjet elegante të ngjyrave dhe përcjelljen e ndjesive të ngrohta ashtu sikurse ndihet piktori kur ka përballë telajon e tij. Për gjithçka Edliri i falet familjes. Ata janë bashkë me të në çdo hap suksesi. Si u “takove” me pikturën? Në momentin kur mora në dorë letrën e bardhë dhe lapsin, ishte dashuri me shikim të parë. Më tha shpirti, jo mendja, “Ky je ti”.. Që nga ai moment takohesha gjithmonë me pikturën tek vendi ynë i preferuar, me letrën e bardhë. Çfarë tonalitetesh i ndryshojnë njeriut gjendjen shpirtërore? Për të bërë art që të tjerët ta dashurojnë dhe të bëhen pjesë e tij, si fillim duhet të punojmë me shpirtin tonë, me gjendjen tonë emocionale, të kërkojmë atë çfarë na bën të frymëzohemi dhe të na buzëqeshë shpirti. Dhe është shumë e thjeshtë për të pasur një gjendje shpirtërore të tillë. Mjafton të duash atë që bën, ta bësh me shpirt, me pasion, të ndjesh çdo penel që vendos aty, gjithçka të jetë një ndjenjë e bukur… Nuk është e nevojshme të përdorim mendjen kur zemra është e pastër dhe e çiltër.
Emocionet e konkursit në Rusi?

Ahhhh dreqin, aventura pesë ditore më e bukur e jetës sime! Është shënuar në kalendarin e shpirtit tim ajo ditë triumfi. Emocion që asnjëherë nuk do mund ta përshkruaj dot me fjalë. Nuk mundem sepse kur ti shkon në majën më të lartë të lumturisë, gjithçka bëhet një abstraksion që nuk ka fjalë në botë që mund ta përshkruaj. E vetmja gjë që mund të them, është që jam i lumtur pafund që, kam bërë krenar familjen time. Edhe pse nuk kisha parë asnjë prej tyre në Rusi, përsëri i ndieja rrahjet e zemrës së tyre, nga emocionet. Rusia më dha atë çfarë unë kam dashur gjithë jetën, ndenjën e fitores së madhe. Nëse do të duhej të hidhje jetën tënde në një pikturë, cilat ngjyra do dominonin? Vetëm ngjyra blu do dominonte. Pak ditë më parë dikush më pyeti, si do e përshkruaje veten me një fjalë? I them qiell. E përshkruaj veten qiell, sepse ai ka lirinë, ka bukurinë, çiltërsinë, patertin. Ka në vete yjet, diellin, hënën, ka gjithçka të bukur. Por, ka dhe vetëtimat. E mendoj shpesh, dhe them se kjo është fjala e duhur për mua. Kam një marrëdhënie të çuditshme me qiellin që më bën ta dua shumë, mbase jemi të dy të lirë dhe të pafund. Pasioni i ri që të thërret së brendshmi? Janë dy pasione që më thërresin së brendshmi. Në fakt, kanë kohë që më thërresin po nuk më lë piktura që t’u përgjigjem, sepse bëhet xheloze. (qesh) Është aktrimi dhe muzika, që, në fakt, shumë shpejt do më shikoni edhe në këto dy fusha të tjera të artit. Thjesht ngelet surprizë. Në çfarë të transformon arti? Sa më pëlqen kjo pyetje! Të transformon në atë që të tjerët të shohin me syrin “i/e çuditshme. Nuk do mund ta imagjinoja dot kurrë jetën time ndryshe nëse nuk do isha artist. Unë linda bashkë me artin dhe të dy kemi ecur gjer më sot dorë për dore, dhe kam ndierë lirinë e pafundme. Ja se ç’të dhuron arti: lirinë, çmendurinë, ndjenjën. Ahhh, është miku me i mirë për mua! Vendi ku nuk do pikturojë kurrë? Do thosha në tualet, por ja që e kam bërë. (qesh) Kam pikturuar njëherë brenda në tualet, nga e keqja domethënë s’mund të them dot një vend ku nuk dua të pikturoj se nuk i dihet se ç’të ndodhë.(qesh) Në retrospektivë, si ka qenë fëmijëria jote? Fëmijëria ime, uffff më mirë të mos flasim. Ka qenë periudhë e çmendur. Nëse sot jam ky Edlir i lirë dhe me një shpirt të pastër është vetëm falë asaj fëmijërie plot ngjyra. Me ngjyra të forta, plot jetë dhe pasion. Për këtë gjë, falënderoj familjen time pasi kur panë që një ditë u takova me pikturën, më mësuan si fillim që të pikturoja ylberin. Kjo më bëri të kuptoj shumë. Çfarë nuk do lije asnjëherë peng? Nuk e di, s’e kam menduar asnjëherë këtë gjë. Por, them që gjërat e mia më të çmuara nuk do i lija. Sakrifica më e madhe që të është dashur të bësh? Ahhhh shumë sakrifica, pa fund, edhe tani që i mendoj më vjen të qaj. Janë shumë dhe i kam bërë për të arritur këtu ku jam sot. Por them se e kam tepruar ca tek shëndeti im. Kam shkuar në konkurs jashtë vendit dhe brenda, në gjendje të keqe shëndetësore vetëm e vetëm që të arrija ato që doja. Por, kur mendoj se çfarë sakrificash kam bërë dhe çfarë kam arritur, jam krenar dhe i lumtur, dhe do vazhdoj t’i bëj, sepse është fillimi. Fillimi i një “Rrugëtimi Frymëzues”(titulli i ekspozitës së parë realizuar në Tiranë)! The post Edlir Reka: Rusia më dha atë që kam dashur gjithë jetën, emocionet e kupës për pikturën më të mirë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.
kosovatoday.com/


Leave a Reply