
Presidenti Bujar Nishani, i cili ndodhet në Kosovë me ftesë të presidentes Atifete Jahjaga pritet të nisë sot axhendën e takimeve.
Kreu i shtetit shqiptar pritet të takohet sot me presidenten Atifete Jahjaga, në përfundim të së cilit të dy homologët do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjithashtu ai do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili do të pasohet nga një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të presidentit shqiptar si dhe do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritet të zhvillojë takime të veçanta edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht kreun e LDK-së, Isa Mustafa, me zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, me zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala, me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe me autoritete të tjera vendore në Kosovë, si dhe me Zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviç. Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Nishani do të zhvillojë homazhe në vendprehjen e presidentit Rugova dhe në varrin e Adem Jasharit, të cilat do të pasohen nga vizita e presidentit Nishani në familjet respektive të këtyre figurave të shquara historike të Kosovës.
Kreu i Shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar Muzeun e Lidhjes së Prizrenit, kishën katolike të Binçës, manastirin e Deçanit dhe xhaminë e Sinan Pashës. Një etapë e veçantë e kësaj vizite do të jetë edhe fjala që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të mbajë në Universitetin AAB, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovare, intelektualë, pedagogë dhe studentë. /E.L/
Shekulli
Leave a Reply