As në një ditë feste si ajo e Pavarësisë, nuk e kanë ndalur protestën e tyre banorët e “Astirit”, të cilët paraditen e sotme bllokuan siç kanë bërë në 25 ditët e fundit, aksin që të çon nga “Pallati me Shigjeta” në drejtim të sheshit “Shqiponja”.
Protesta është zhvilluar nën atmosferën festive dhe banorët kanë shpalosur një flamur kombëtar rreth 6 metra të gjatë, ndërsa janë shprehur se kjo e sotmja është një betejë kundër këtij regjimi.
Ata kanë shprehur rezervat e tyre ndaj policisë, pasi thonë se po i provokon çdo ditë, ndërsa sa i përket banesave theksojnë se do t’i mbrojnë me jetë pasi i kanë ndërtuar me gjak.
“Do e vazhdojmë protestën deri në fund dhe shtëpitë nuk i dorëzojmë. Jemi shqiptarë dhe nuk jemi serbë. Do e ngremë flamurin dhe shtëpitë tona do i mbrojmë se i kemi me gjak”, u shpreh një nga banorët.
Ndërkohë një tjetër protestues e ka krahasuar sjelljen e qeverisë me ta, si të njëjtë me regjimin e Enver Hoxhës.
“Veprojnë natën në mënyrën më të turpshme. Po provokohemi çdo ditë nga policia”, thanë protestuesit e “Astirit”.
Ndër të tjera ata dënuan faktin se procesi i legalizimit tek “Unaza e Re” është bërë më miqësi dhe me ndërhyrje, ndërsa theksuan se janë dakord që “projekti të vijojë, por duhet të dëmshpërblehemi”.
“Unazën e Re e kemi ndërtuar ne, i bëj thirrje ta mendojë mirë. Më mirë tani se më pas do të jetë vonë. Kur s’u tërhoqëm dje që binte shi, si mund të tërhiqemi sot ne. Kur të tërhiqet oligarkia atëherë edhe ne do të tërhiqemi”, tha një tjetër protestues.
Ndërkohë në mbështetje të banorëve që protestuan kanë qenë edhe deputetë të opozitës.
“Protesta tek Unaza i vuri lakun në fut kësaj qeverie dhe u çorri maskën. Kjo protestë armik ka korrupsionin. Çdo qytetar duhet t’u bashkohet këtyre banorëve. Edi Rama ka vjedhur 40 milion euro dhe ato para nuk i jep mbrapsht. Këtu do të vazhdohet, do të qëndrohet derisa të rivihen në vend institucionet e shtetit, ligjet e këtij vendi. Përpjekjet mjerane të kësaj qeverie për ti përçarë, për të vënë dy-tre tulla në rrugë për të dhënë idenë se këtu është mbyllur protesta dhe do bëhet si duan ata, janë qesharake. Protesta vazhdon, PD do vazhdojë ta mbështesë”, u shpreh deputeti Klevis Balliu.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply