Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e gazetarit saudit dhe komentatorit të gazetës Washington Post Jamal Khashoggi, duke thënë se vdekja e tij erdhi pas një grindjeje fizike brenda konsullatës saudite në Stamboll.
Në buletinin e lajmeve, TV shtetëror saudit njoftoi se është ngritur një komision që do të hetojë vdekjen e Khashoggit dhe se komisioni ka një muaj afat për të lëshuar një raport. Komisioni do të përbëhet nga zyrtarë të sigurisë kombëtare, ministrisë së jashtme dhe asaj të brendshme.
Bisedat midis Khashoggit dhe atyre që e pritën kur ai arriti në konsullatën saudite në Stamboll u bënë shkak për një grindje fizike, gjë që çoi edhe në vdekjen e tij, sipas TV shtetëror.
Agjencia Saudite e Shtypit tha se 18 shtetas sauditë janë arrestuar lidhur me hetimin për këtë çështje.
Është lëshuar gjithashtu një urdhër mbretëror për të shkarkuar gjeneralin Ahmed al-Assiri nga detyra si zëvendës i shërbimeve të zbulimit, sipas njoftimit.
Zyrtarët turq kanë thënë në mënyrë anonime se Khashoggi u vra brenda konsullatës nga një ekip saudit prej 15 vetash.
Është e paqartë se cila do të jetë përgjigjja amerikane. Presidenti Donald Trump ka premtuar “një ndëshkim të ashpër” nëse njoftimet për vdekjen e Khashoggit do të dilnin të vërteta, por ka ka këshilluar gjithashtu hapur që SHBA të tregohet e kujdesshme dhe të mos ndërmarrë hapa që do të rrezikonin interesat amerikane të biznesit, duke përfshirë miliarda dollarë nga shitja e armëve.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply