Ka ndërruar jetë në moshën 81 vjeçare, senatori republikan John McCain. McCain ka ndërruar jetë të shtunën, në shtëpinë e tij në Arizona, njofton zyra e tij e shtypit.
McCain ishte senator për tre dekada dhe ishte diagnostifikuar me kancer në tru që në korrik të vitit 2017.
Senatori republikan ishte operuar gjatë prillit të këtij viti. McCain i ka shërbyer Shteteve të Bashkuara të Amerikës për disa dekada dhe kishte garuar edhe në zgjedhjet presidenciale.
Sipas njoftimit nga familja e tij, McCain ndërroi jetë pasditen e së shtunës, pranë gruas së tij, Cindyt.
(o.k/BalkanWeb)
———————————
Asnjëherë nuk do ta harroj takimin e parë me heroin e ShBA-së, senatorin John McCain, në vitin 1999. Me brengat për humbjet që sjell lufta, pata mbetur i shtangur kur heroi amerikan më pyeti posa më pa: “What can I do for you young man?”.
Ndonëse i habitur nga pyetja aq e drejtpërdrejt, i kërkova ndihmë në lirimin e shqiptarëve që ende mbaheshin të burgosur në Serbi. Senatori McCain shkoi në Beograd dhe kjo ishte tema e parë e takimeve të tij me zyrtarët serbë.
Ishte privilegj të takosh një njeri të madh si McCain. Populli i Kosovës është me mendje pranë mikut amerikan dhe i bashkohet në lutje familjes së tij.
RH
Ramush Haradinaj
Ndërron jetë senatori amerikan, John McCain
26 gusht 03:02
Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare senatori amerikan, John McCain.
Lajmin e ka bërë me dije zyra e tij, një ditë pasi nga familja e McCainit ishte thënë se ai e kishte ndërprerë trajtimin e kancerit në tru, me çka ishte diagnostifikuar vitin e kaluar.
McCaini ishte veteran i luftës në Vietnam, ndërkaq dy herë kishte garuar për president të ShBA-së, por nuk kishte arritur të fitonte.
Senatori McCain do të mbahet mend si mik i madh i shqiptarëve, përkatësisht i shtetit të Kosovës.
epokaere.com
——————————————————
Ndërroi jetë Senatori John McCain
Senatori John McCain, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq të shtunën në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në tru.
McCain u burgos dhe u torturua pasi u kap rob në Vietnamin e Veriut kur ishte pilot i marinës amerikane.
Ai përfaqësoi shtetin e Arizonës në Senat dhe u bë i njohur si një luftëtar i së drejtës, pa marrë parasysh se cilin krah politik përfaqësonte ajo.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 ai u përball me kandidatin demokrat Barak Obama dhe humbi. Megjithatë ai vazhdoi të shërbejë në senatin amerikan.
Zoti McCain tregoi mjaft interesim për çështjet e Ballkanit dhe e ka vizituar disa herë rajonin.
Muajt e fundit të jetës ai i kaloi larg syve të publikut në shtetin e Arizonës, duke pranuar vizita nga miqtë e shumtë dhe politikanët e afërt me të.
Në kujtimet e tij të botuara në muajin maj, McCain shkruante se i vinte keq që po ndahej nga bota, por nuk kishte ankesa.
“Krijova një vend të vogël për veten në rrëfimin e Amerikës dhe në historinë e kohëve të mia”, shkruante ai.
Muajt e fundit, ai ka qenë një kritik i ashpër i Presidentit Trump për çështje të ndryshme. Ai thoshte se e shihte Presidentin Trump dhe ideologjinë e tij Amerika e Para si një largim nga vlerat dhe tradita e udhëheqjes globale që ai mendonte se mishërojnë Shtetet e Bashkuara.
Koha


Leave a Reply