Kancelarja Gjermane Angela Merkel ka shtuar këto ditë takimet me liderët e Ballkanit, pas ideve që vijnë nga presidenti Aleksandër Vuçiç në Serbi dhe nga presidenti Hashim Thaçi në Kosovë për ndryshim të kufijve në rajon.
Në të gjitha takimet që Merkel ka pasur me politikanëve të rajonit, mesazhi kryesor është: “Nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan”.
Sot Kancelarja gjermane ka pritur në Berlin kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç. Kryeministri malazez deklaron në Twitter se ka marrë nga Merkel garanci se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan.
“Nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan”, thuhet qartë në njoftimin e Qeverisë së Malit të Zi në Twitter.
Kujtojmë se pak ditë më parë, gjatë takimit me kryeministrin e Bosnjës dhe Hercegovinës, kancelarja gjermane është deklaruar kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan.
Kjo deklaratë u bë pasi në Prishtinë dhe Beograd po diskutohet mundësia për korrigjim të mundshëm të kufijve nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç.
Qëndrim i Merkel është dhe një konfirmim zyrtar i Bashkimit Europian, se në dialogun që do zhvillohet në shtator mes Thaçit dhe Vuçiç nuk do të hapet tema e kufijve.
Fakti që Merkel po takon këto ditë politikanë të Ballkanit, por jo Vuçiç dhe Thaçin, është një tjetër sinjal që Berlini u çon dy presidentëve duke i izoluar në arenën ndërkombëtare. Pas ideve për ndarje, diplomacia gjermane është hedhur në aksion duke kundërshtuar këtë ide dhe duke kërkuar heqjen dorë nga “marrëzitë ballkanase”. Volfgan Ishinger, një prej diplomatëve më të njohur gjermanë që ka punuar për dialogun Kosovë-Serbi deklaroi se idetë e ndarjes do të sjellin trazira në Ballkan.
Po dje dhe SHBA foli qartë me anë të diplomatit të emëruar nga Trump për ambasador në Kosovë, Philip Kosnett. Kosnett, një diplomat karriere që ka shërbyer dhe më parë në Kosovës, deklaroi se “SHBA nuk mbështet ndryshimin e kufijve në rajon”.
Koha Jone
Leave a Reply