
Për kujtesë Aleancës Kuq e Zi
deklaratën e historianit grek Nikolas Stavros
Përmes faqes së internetit të zotit Feliks Taho të ditës së sotme, me titull “AK në Përmet: Janullatos të shpallë shenjtor At Stath Melanin, të vrarë nga andartët grekë”, u njoha me aktivitetit e Aleancës Kuq e Zi, në nderim të Atë Stath Melanit.
E përshëndes ngrohtësisht Aleancën Kuq e Zi për nderimin që i ka bërë figurës së shquar të Ortodoksisë Shqiptare, Atë Stath Melanit, burrit të shquar të Shqiptarisë, të cilin na e vranë në pabesi paraardhësit-kriminelë të armikut të urryer të kombit shqiptar me emrin Anastas Janullatos. Por më vjen keq që Aleanca Kuq e Zi kërkon prej Janullatosit që ky ta shpallë shenjtor Atë Stath Melanin. Shenjtor mund ta shpallë Atë Stath Melanin vetëm ajo figurë e nderuar e Ortodoksisë Shqiptare që do të vihet në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare pas shporrjes së Janullatosit nga Shqipëria. Historiani grek Nikolas Stavros ka deklaruar shkoqur se hedhja në dorë e Kishës Ortodokse Shqiptare është fitorja më e madhe që shovinizmi grekomadh ka arritur në Shqipëri në shek. XX (Tribuna Shqiptare, 08 gusht 2012). Prandaj Anastas Janullatosi, si pararoja e këtij shovinizmi, ka ardhur në Shqipëri jo për të nderuar dhe shpallur shenjtorë figurat e shquara të Ortodoksisë Shqiptare, por për t’i mohuar ato dhe për t’i flakur në bodrumin e harresës. Janullatosi ka ardhur në Shqipëri, siç deklaron me shumë të drejtë Profesor Fatos Klosi, për të vënë në jetë planet e ekspansionizmit grek. Prandaj Aleanca Kuq e Zi duhet t’i përmbahet kërkesës që parashtroi ca ditë më parë për shporrjen e Janullatosit nga Shqipëria.
Me këtë rast, dëshiroj t’i përshëndes të gjithë ata intelektualë që kanë filluar ta ngrenë zërin për shporrjen e Janullatosit nga Shqipëria dhe vendosjen në krye të Ortodoksisë Shqiptare të një figure të nderuar, me gjak shqiptari, me nder, me dinjitet dhe me vetëdije të lartë kombëtare, duke u bashkuar me thirrjen disavjeçare që ka ushtuar fuqishëm në faqet e gazetës “Rimëkëmbja” prej zotit Abdi Baleta dhe të një rrethi intelektualësh që prej viteve ’90 të shekullit të kaluar.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
24 dhjetor 2012
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply