Heroi biblik e zotëroi nga fillimi deri në fundin e vet betejën e pasmbrapsur të heroizmit shqip. Në çastin kur bishat e çmendura arritën ta vrasin më të mirin (o Zot sa keq ata u sollën me koka të prera, njerëz të vrarë, pleq e plaka, nëna të therura me shtatzëni!) diçka e thellë, e tillë u shkrep në truallin dhe shpirtin që kërkonte vetëm gjak arbëror. Fillimisht, në këtë truall lindi poeti ynë, i cili, ka gjëra të përbashkëta me vargjet fishtjane, mbase të ndërtuara në mënyrën më pikante te poema “Shqiptari vdes duke kënduar”. Por, poeti i ditëve tona është poet modern, i fuqishëm, që e bëri të flasë shqip – heroizmin e babë Shabanit, bacë Ademit, Hamzës, Agim Ramadanit.
Homerit shumë i pëlqente zotërimi. Deri në momentin kur dueli hyjnor – ishte i pakryer, poeti i verbër e kishte dashtë shumë Akilin, e kishte vlerësuar atë si një zotërues, krejt ashtu siç e synonte dhe ai vetë botën. Bota i pranon dy a më shumë zotërues. Ne nuk e dimë se si e ka ”parë” Homeri duelin Hektor-Akil, ashtu i verbër, ashtu me errësirën e padepërtueshme dhe të përjetshme nëpër sy, ashtu i pamundur, por e ka ndjerë e ka dëgjuar nga shembja e “thelbit” të tij. Akili ka qenë një rast – hata, një kohë – hata, një njeri – hata, një vrasës dhe një fitues – hata. Ka qenë momenti që poeti ka kuptuar se ai, Akili, nuk është zotëruesi, por sunduesi, e vetmja gjë e përjetshme që nuk u ka pëlqyer poetëve. Zotëruesi i baladës është nga Ruhoti i Pejës, është shqiptar, ka të botuara 17 vepra letrare. Ai është si zogu që ka hyrë edhe vetë në balada lufte, sepse edhe ky ishte njeri i Baladave. Ai u ngrit me vargun e tij për t’i dënuar ata – mizorët, që u sulën pabesisht – pas shpine, me elaborate, histori të tmerrshme, për t’i zhbërë me rrënjë nga faqja e dheut – Njerëzit Legjenda -Adem Jasharin, Drenicën, Deçanin, Rugovën, Logjen e Llapin, Isa Boletinin, Agim Ramadanin, që pikturën dhe poezinë dardane e la ta shkruajë në kohë paqeje, që kurrë për së gjalli s’e arriti.
Poeti shqiptar ka emër dhe mbiemër, ai është Naim Kelmendi, që ribotoi në Shtëpinë Botuese “Rugova Art”, poemën – Legjendë, me titull “Shqiptari vdes duke kënduar”.
Dhembja e çdo vargu, e shkruar nga poeti ynë, pulson në çdo strukturë të brendshme, që shtrihet gjatë leximit në thelbin racional, ndërsa dhembjet ai i vë në shtratin e poemës nacionale. Pozicioni i çdo fjale, shenje, është i paracaktuar.
Poema për Adem Jasharin e ka strukturën fishtiane
Ajo është fabul, prandaj e ka strukturën e poemës në gur. Duke e lexuar baladën kushtuar Adem Jasharit me titull ”Shqiptari vdes duke kënduar”, e cila është botuar para 11 vjetëve, në numrat e gazetës” Bota sot” (15 mars 1999 dhe 31 mars 1999), që, më vonë, është botuar si libër poetik(viti 2000 dhe ribotuar sivjet me disa plotësime ) me kapitujt II dhe III: “Poezi nga lufta” (5 poezi), të shkruara në frontin e Kosharës, pra gjatë luftës, me vjershat: Shqiptarët në luftë, Histori e gjallë, Vargje në mes plumbash, Fundi, Ora e fundit); kapitulli i tretë me titull “Kapërcimi i ujërave të turbullta” (13 poezi të shkruara gjatë luftës: Shqiptarët, Hyrje në atdheun e djegur, Zabullimë, Shkëlqim i zi, Misteri, Rendi i shurdhmemecëve, Fjalë e drejtë, Pështjellim, Tregim i moçëm, A pritet vdekja në shtrat, Krimet, Kapërcimi i ujërave të turbullta, Mundja e përlindëshave) janë eksponent i shkëlqyer në ndihmë të argumentit për ndryshimin semantik të kësaj tradite të të menduarit. Dihet se shkrimtarët dhe të gjithë krijuesit e artit të vërtetë janë subjekte të faktorëve të ndryshëm jetësorë.
Lexuesi, pasi ta ketë lexuar librin ”Shqiptari vdes duke kënduar”, gjithsesi do të bindet se
Naim Kelmendi është poet modern. Lexuesi i mirëfilltë, kur i lexon 47 baladat e Naim Kelmendit, do ta ndjejë veten si në një shfaqje filmike, ku personazhet si Adem Jashari, Hamza Jashari, Shaban Jashari, Isa Boletini, Oso Kuka, Agim Ramadani,
Kosharja legjendare, lëvizin si në ekranin e filmit duke na dhënë një art skenik në heshtje, apo një vallëzim të zjarrtë, që herë-herë është i akullt, me përplot akrobacione të kryera skenike të një kalibri protonizmian. Sekreti dhe talenti estetik i homerianit tonë shqiptar i përket një fuqie tjetër: asaj të njohurive të shkëlqyera të kodeve të shkruara dhe të pashkruara të gjinisë së poemave të gjata, asaj të përvetësimit të plotë të gjitha elementeve të poezisë (e veçanta është se askund nuk përdorën shenjat e pikësimit),asaj të zotësisë së tij profesionale për t’i kthyer këto njohuri në instrumente diplomatike, që ndihmojnë drejtpërsëdrejti në kryerjen sa më të përsosur të plotësimit “të shkyer” të hartës arbërore nga Europa plakë. Le të përqendrohemi në disa prej këtyre elementeve si dhe në mënyrën se si efektet e tyre kanë ndikuar kaq pozitivisht në poemën që gjejmë në librin e posabotuar ”Shqiptari vdes duke kënduar”. Që në rreshtin e parë të poemës (prej 30 baladave) kushtuar Adem Jasharit, legjendës së trimërisë shqiptare, është një rrëfim fishtian, i gjallë, i shfaqur me një sugjestivitet, i cili të tërheq më shumë kënaqësi drejt fundit. Vini re fjalitë e para:
Gjaku është e vetmja metaforë e kuqe
Vdekjes i jep kuptim përjetësisë rrënjë
Mbi imazhin e sakatosur të Dhe Atdheut
Si dhe vargjet:
“Aty ku dhemb Kosova a nuk derdhet gjaku,
aty ky vritet Kosova a s’është gjasë e vjetër vetë vdekja”
(balada 1, faqe 11)
Pra, poeti Kelmendi, zotëron lirshmërinë narrative, paraqitjen dinamike. Duke fokusuar aspektin psikologjik të ndodhisë apo gjendjes, ai përqendrohet pikërisht në rrëfimin e këtij aspekti. Kjo i ka dhënë atij mundësinë të mos bjerë në komente apo analiza psikologjike,
por që gjendjen psikologjike e manifeston brenda tekstit apo nëntekstit në strukturën tekstore:
Pahetueshëm a s’po e sheh gjakun tim
të shprishur gjeografisë popullore copat,
e ndara në duar të ndyra në gojë myku,
përgjaket njeri cep, shpopullohet tjetri,
masakrojnë të parin e copëzojnë të dytin,
andej u vrasin zogjve këngën e parë…
(balada 6, faqe 16).
Ose:
… fjala e pathyer në emër të Atit e të Birit
e në emër të shpirtit vetë vdekja e trimit
në shtat e shtatëqind vafshin se unë njëherë
kam vendosur të bëj timen për dhe Kosove,
ah, këtij dheu i pëlciti mjaft zemra…
(balada 7, faqe 17).
Tek analizojmë poezitë i identifikojmë argumentet, gjendjet dhe, falë pastërtisë së jashtëzakonshme të baladave të Naim Kelmendit, nuk e kemi të vështirë t’i kuptojmë shtresat e niveleve filozofike dhe psikologjike, që gjenden pothuaj në çdo varg të këtyre baladave-legjendë! Në secilin varg të librit” Shqiptari vdes duke kënduar”, gjejmë domethënie të dyta e nganjëherë të treta për t’i analizuar në detaje. Është interesante se çdo varg është i regjistruar si me kamerë, me imtësi funksionale, sikur veprime e gjeste të aktorëve, trillet e zogjve, instinktet e kanibalëve sadistë, që “s’kanë gjak njeriu, janë krijesa shpirt djalli, vijnë nga terri monstruoz i historisë makabre, të mësuar brez pas brezi të pinë gjak shqiptari” (balada 24, faqe 34). Naim Kelmendi e di mirë se me çfarë cilësish duhet t’i veshë protagonistët dhe në ç’fushëbetejë duhet t’i vendosë ato figura. Ai është shumë i kujdesshëm se kush janë, ç’qëllime kanë dhe ku e kur humbin apo fitojnë.
Personazhet e Naim Kelmendit janë të besueshëm, sepse vetë ai si autor është i besueshëm. Ai u lejon atyre gjuhën që ata zakonisht përdorin, vetitë dhe veset që kanë.
Naim Kelmendi është dhe do të jetë i suksesshëm në poezinë moderne shqipe, sepse, nga njëra anë, ai e njeh mirë njeriun, vuajtjen dhe psikologjinë e tij, shoqërinë, së cilës ai i përket, si dhe jetën në përgjithësi. Nga ana tjetër, ai ka triumfuar në artin e krijimtarisë edhe më dy vepra tjera: “Në një jetë pas Krishtit” (Rugova art, 2010) dhe “Esenca” (Rugova art, 2010). Naimi zotëron mirë të gjitha sekretet e zanatit të tij, si një poet i madh bashkëkohor.
Nga Flori Bruqi
Short URL: http://www.gazetarepublika.al/?p=22914
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply