
Sulejman Mato
Sy të zes, të kaltër, blu, të gjelbër…
Me ngjyrën që merr deti i trazuar në dimër,
Sy të rimtë me atë rimtësinë e qiellit të pranverës,
Sy bojë kafe, të butë, të mbushur me heshtje,
Me qetësinë e pyllit në mbrëmje
Sy të dashurisë.
Sy të ndritshëm si dëshirat,
sy të ndezur nga dashuria,
sy të varur në shqetsimin e pritjes,
sy të vesuar me mjegullën e mallit,
sy të pikëzuar në largësinë e shpresës,
sy të vrarë me netë pa gjumë,
sy me një dritë të veçantë që mund ta kenë
vetëm sytë e dashurisë.
Sytë e dashurisë
të rrinë në sy, të futen brenda orëve, minutave sekondave,
brenda ditëve dhe fantazisë
Sytë e dashurisë.
Ti këput një lule dhe thua:”Sa e bukur qenka!”
Shikon një flutur dhe thua”Sa bukur fluturon!”
Shikon një plak duke ecur në park
dhe thua: ”Vdekja është larg!”
Rend rrugëve të pranverës duke ndjekur gjethen që e shtyn era,
Sheh një plep të praruar dhe pyet: ”Pse vjeshta qenka kaq e artë?”
Sheh dy zogj që fluturojnë dhe thua:
”Si ata dy zogj jemi edhe ne”
Sytë e dashurisë cicërojnë si dy zogj,
premtojnë hapsira,ngrenë ura mbi humnera,
shkurtojnë distanca, rrinë ndezur në errësirë
si llampa të magjishme,
sytë e dashurisë.
Le të eci bota drejt shkencës dhe elektronikës,
Le të sulmojë njeriu kozmosin dhe galaktikat,
Dashuria do ta kërkojë dashurinë edhe midis galaktikave,
Me shepejtësi më të madhe se zëri dhe drita.
Kur unë them sytë e dashurisë them:
Vdekje syve vrasës!
Syve gjakatarë, hipokritë e tinzarë, syve -varrezë,
Syve- pyll i djegur,syve- fole e braktisur,
Syve – shkretëtirë,
Syve- helmetë.
Sytë e dashurisë herë-herë pikojnë lot e gjak,
dridhen kur dëgjojnë krisma në netët shtetrrethuese,
kur bie dashuria nën breshërinë e plumbave,
kur goditet dashuria me këpucë ushtarake,
Kur rrihet dashuria me shkopinj gome të policisë
Po janë miliardat
që e shohin botën
me sytë e dashurisë.
Botimet shqiptare – Facebook.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply