Aktorja e njohur kosovare, sidomos për rolin e saj në serialin “O sa mirë”, Ardiana Matoshi do të përballet me drejtësinë. Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj saj, bashkëshortit të saj, Albert Sylejmanit dhe ortakut të tij, Milot Krasniqi dhe Lulzim Hajrizi.
Sipas aktakuzës që e ka ngritur Prokuroria Themelore, Departamenti i Përgjithshëm në Gjilan, të cilën e ka siguruar Insajderi, aktorja Matoshi dhe tre të tjerët, që nga data 15 korriku i vitit 2013 në Gjilan, në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë mashtruar konsumatorët, në atë mënyrë që me rastin e ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, në emër të tyre kanë përdorur shenjën identike “Disko Club Stop” edhe pse e kanë ditur se i dëmtuari, Fitim Rashiti, logon “Disko Club Stop” e ka të mbrojtur me markë tregtare.
Sipas Prokurorisë, aktorja si pronare legjitime e kësaj diskoteke ka krye veprën penale mashtrim i konsumatorëve, nga neni 298 paragrafi 21 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas arsyetimit të Prokurorisë Themelore, me datë 11 korrik 2016, Departamenti për Krime të Rënda në Gjilan pas pranimit të kallëzimit penal të ushtruar nga ana e dëmtuarit Fitim Rashiti.
Rashiti sipas deklaratës që e ka dhënë në Prokurori me 20 dhjetor 2016 akuzon aktoren dhe tre të tjerëve kanë të bëjnë me vjedhjen e logos së biznesit të tij “Stop”. Rushiti akuzon Matoshin se ia ka vjedhur identitetin dhe logon e kompanisë së tij “Stop” kur Matoshi së bashku me bashkëshortin dhe tre të tjerët kanë hapur diskotekën “Disco Club Summer Stop”.
Por këto akuza i mohon vet aktorja e cila thotë se ajo “vetëm me letra” ka qenë pronare e kësaj diskoteke sepse nuk është marrë me të as nuk ka përfituar.
E bashkëshorti i saj, Albert Sylejmani që në aktakuzë është gabimisht i shkruar mbiemri si Krasniqi, thotë se Rashiti vetëm po dëshiron përfitime materiale.
“Ky person me veprimet e veta mundohet të përfitojë përmes shantazhimeve të cilat unë i mendoj, a njëkohësisht edhe provat të cila ua dorëzoj kësaj prokurorie – private materiale shanzatshet përmes mbrojtjes së emrave të disa firmave ndër të cilat është edhe biznesi im”, ka deklaruar Sylejmani në deklaratën dhënë prokurorisë me 16 dhjetor 2016.
As dy ortakët e tij të tjerë nuk e pranojnë akuzën, por sipas prokurorisë, “edhe pse të pandehurit me rastin e dhënies së deklaratave nuk e pranojnë fajësinë për kryerjen e veprës penale e cila iu vihet në barrë, Prokuroria konsideron se mohimin e veprës penale të njëjtin e bënë vetëm e vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë së tij penale, ngase gjendja faktike është vërtetuar me provat materiale”./Insajderi.com


Leave a Reply