Në Tiranë, shoqata “Together for life” (“Së Bashku për Jetën”) publikoi një studim mbi gjendjen e kopshteve të kryeqytetit.
Nga vëzhgimi doli se kopshtet janë të mbipopulluar nga fëmijët dhe shërbimet për ta janë dobësuar prej mungesave në infrastrukturës.
Shoqata “Së bashku për jetën” sapo ka bërë të ditur rezultatet e një monitorimi mbi gjendjen e 44 kopshteve të Tiranës, nga dolën një mori problemesh dhe mungesash.
Afro 90 për qind e kopshteve të kryeqytetit janë të mbipopulluar në grupe të mëdha fëmijësh, 2-3 fish më shumë se normat e mirërritjes, si dhe nuk kanë akses për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Mbipopullimi ka bërë që në kopshte të mos ketë hapësira as për mbajtjen e karrocave të fëmijëve.
Vëzhgimi zbuloi po ashtu se mbi 90 për qind e kopshteve nuk kanë dalje sigurie në raste emergjencash dhe as gjeneratorë për ndricim alternativ.
Vetëm cereku i kopshteve kanë mjete ngrohëse, që sigurojnë temperaturë konstatnte brenda tyre.
Studimi zbuloi se prindërit nuk janë të informuar mbi higjenën dhe kujdesin shëndetësor ndaj fëmijëve në kopshte.
Madje u zbulua që asnjë mjek nuk është paraqitur për një kohë shumë të gjatë në kopshtet e Tiranës nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal.
Po ashtu edhe psikologët mungojnë në këto mjedise për një kohë shumë të gjatë.
Shoqata “Together for life” u kërkoi autoriteteve vendore më shumë standarte në shërbimet ndaj fëmijëve dhe në zinxhirin mbrojtës të tyre.
Autorët e studimit vërejtën se standartet nuk plotësohen as në kopshtet e rikonstrukturuar rishtas, ndaj kërkuan që gjatë rindërtimit të kopshteve të respektohen një listë kërkesash të domosdoshme për ushqimin, mjekimin ngrohjen, sigurimin dhe edukimin e fëmijëve të mitur.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply