Vlerat universale të njerëzimit lindin direkt nga virtyti i një shoqërie, arritur nga edukimi zanafillor në të gjitha kompleksitetet e saja.
Rrallë virtyti shfaqet në familjet ordinere, ndonëse shpesh e gjen atë dhe në familjet e varfëra, ku edukimi nuk arrihet nëpërmjet shkollimit, por nëpërmjet mendimit e veprimit të dhënë nga i pari i tyre për t’u trashëguar më pas nëpër breza.
Ky edukim fisnor arriti të konsolidohej deri në atë masë dhe më pas shtresa të caktuara shoqërore arsimuan bijtë e tyre duke krijuar kështu atë shtresë që quhej fisnikëri.Vlerat universale të shoqërisë burimin e kishin pikërisht te kjo shtresë. Ajo shtresë pati mundësitë ekonomike për të edukuar dhe krijuar vlerat te bijtë e vet. Nga fisnikëria nuk mund të dilte një vjedhës, një mashtrues, përdhunues apo gënjeshtar. Këto i përkisnin shtresës së ulët ordinere dhe pikërisht këto përbënin antivlerat. Vlerat qëndronin te virtyti, i cili ishte arritur nga ndershmëria, besa, e vërteta, sakrifica, shpirtgjerësia, bujaria, sinqeriteti dhe, mbi të gjitha këto, dashuria për njeriun dhe për çdo krijesë të gjallë.
Relacionet
Shoqëria njerëzore që të eci përpara, sigurisht, që do të mbështetet te vlerat. Nuk mund të punësohet sot një person i paarsimuar. I paarsimuari vallë nuk ka vlera? Kjo duhet konstatuar ndaj njeriu vihet në provë.
Një person mund të jetë i paarsimuar, por fiziku i tij ka vlera. Ato vlera mund të evidentohen dhe shfrytëzohen në pasarelat e bukurisë si Top-model, në sallat e ringut apo të mundjes, në pistat e vrapimit, në korsitë e notit, në fushat e ndryshme të sporteve etj.
Të punuarit në provë është kriter bazë, ku mund të reflektohen vlerat e individit. Sado i arsimuar dhe profesionist të jetë një individ, nuk preferohet të jetë vjedhës, mashtrues, konfliktual, mendjemadh, alkoolist apo drogaxhi, hileqar apo i pabesë. Shkalla e zhvillimit të sotëm të shoqërisë kërkon garancira të mëdha për të fituar një vend pune me përgjegjësiNjë gjykatës apo prokuror, një financier apo bankier do të përzgjidhet me shumë kujdes pas një studimi të imët të trungut familjar e më pas të bëhet aprovimi kur të kenë konstatuar se ka tradita të trashëguara në atë fushë, në mos aty do të lindë një nyje gangrenë korruptive.
Ndikimet
Mos vallë nga fisnikëria lindin absolutisht fisnik të përsosur? Jo. Dhe nga aty kanë dalë njerëz me vese, të natyrave të ndryshme. Qëllimi i sotëm i shoqërisë është të minimizojë sa më shumë ndikimet e antivlerave. Njeriu i antivlerave së pari i përket grupit të injorantëve. Një përfaqësues tipik i antivlerës është alkoolisti, i cili duke mos patur nivelin e duhur të edukatës bie në krahët e alkoolit duke reflektuar veprime nga më të shëmtuarat dhe e keqja është se nuk del dot prej saj. Edhe një i arsimuar mund të pranojë gradën e të alkoolizuarit për një arsye apo për një tjetër, por ai jo përgjithmonë mbetet pengu i tij. Një i arsimuar për një kohë mund të bjerë edhe në prehrin e drogës, por kurrësesi nuk mund të mbetet i saj. Ai do të dijë të dalë nga situata, nëse ka formimin e duhur shpirtëror, karakterin e fortë dhe nëse i di vlerat e jetës. Në rrethana të caktuara një përfaqësues i fisnikërisë mund të gënjejë një herë apo të mashtrojë një herë, por më tej nuk mund të shkojë ngaqë do t’i thërrasë se s’bën zëri i brendshëm i të qenurit fisnik. Një ordiner gënjeshtrën e mashtrimin e ka të vetën dhe as nuk tërhiqet nga rruga që ka nisur. Tek ai nuk ekzistojnë vlera gjenetike, ndaj dhe s’ka se kush ta thërrasë për ndryshim.
A mund të ndryshojnë antivlerat?
Sigurisht që antivlerat bien e janë të ndryshueshme. Baza themelore e ndryshueshmërisë së tyre duhet të jetë shoqëria. Kurrësesi nuk duhet t’u lëmë hapësirë antivlerave. Ndryshimet mund të bëhen për shumë arsye. Ndërrimi i mjedisit shoqëror është më themelori. Ndryshimi i vendit të punës. Të lidhurit me një shok të mirë e ndikues e sidomos lidhja me një partner me vlera. Të gjithë këto janë faktorë, mund të ketë dhe të tjerë, por faktori kryesor është personi i cili e ka apo nuk e ka predispozitën për të ndryshuar. Individët mund të kenë mënyra të ndryshme të të vepruarit. Shumica e tyre të predispozuar për ndryshim nuk pohojnë asgjë, por me këmbëngulje e vullnet fillojnë ndryshimin. Ka të tjerë që i pranojnë gabimet e tyre me një zë të lartë dhe që e bëjnë kthesën në moment, por me këta duhet bërë kujdes t’ua kujtosh se si kanë qenë, mbasi në këto raste kalojnë menjëherë në trauma psikike gjë që ia vështirëson mundësinë e kthimit në udhë të mbarë. Këto sigurisht që i përkasin grupit koleriko-sanguin. Në këto raste distancohen nga shoqëria, largohen nga puna dhe futen thellë në rrugën e vesit, të alkoolit apo të drogës. Ka dhe raste kur antivlera e mbarsur me ves është kthyer në vlerë univesale duke u vënë direkt në barrikadën e luftës kundër vesit. Në këtë rast të veçantë ata janë vërtetë të suksesshëm, mbasi njohin mirë problemet dhe pasojat e vesit.
Shfaqjet banale të antivlerave
Ka njerëz që në pamje të parë të duken xhentëlmenë, të zgjuar, të dashur, të respektuar e fisnikë. Këta tipa kanë aftësi të krijojnë “flesh” shoqërinë e fasadës në se mund ta quajmë kështu. Ata vërtetë mund të zotërojnë artin e të paraqiturit i mirë nga më të mirët duke krijuar kështu shoqërinë fasadë. Kjo fasadë do të binte menjëherë me t’u njohur ti si mashtrues, gënjeshtar, mendjemadh apo llafazan. Shoqëria e fasadës është e përkohshme, pasi shoqëria e vërtetë mbështetet te virtyti. Një individ mund të jetë i zgjuar, bujar, i dashur, paqësor, i besës dhe i ndershëm, por ka disa vese, të cilat në sipërfaqe të duken të parëndësishme, por pak nga pak e ditë për ditë ato bëhen problematike e neveritëse. Nuk mund të ulesh në një darkim e të kesh pranë një njeri që kur ha laturiset i gjithi, thith ushqimin aq sa mbytet. Mbush gojën nga të dy anët dhe mbllaçitet me neveri, të flasë me gojën plot duke mos u kuptuar se ç’thotë. Një tjetër pi aq shumë duhan sa kollitet si një plak i moshuar. Dikush që gërris fytin dhe pështyn në rrugë kudo. Të gjitha këto nuk vihen re as për një çast e as për një ditë, por sapo të konstatohen shoqëria do të të braktisë.
Rasti që të rinjtë bien në dashuri me shikimin e parë, femër apo mashkull qoftë, dhe më të konstatuar nga këto vese ato ftohen nga njëri-tjetri derisa miqësia e tyre bie dhe më keq akoma të martuarit shkojnë në divorce. Gjatë jetës martesore rastis të konstatohen mangësi apo paaftësi të partnerit. Tek femrat ndikon mungesa e aftësisë për të mbajtur veten, e pakujdesshme në pastërti, e paaftë në gatim, noprane në komunikim, nervoze apo e mefshët dhe e lëshuar. Te burrat moskorrektesa, indiferenca, mosshfaqja e përhershme e ngrohtësisë e dashurisë, mungesa e gatishmërisë për t’u aktivizuar në punën e problemet e shtëpisë. Të gjitha këto si veset ashtu dhe mangësitë bëhen shkas të divorceve. Shoqëria sot po vuan pikërisht nga divorcet masive dhe mijëra fëmijëve u mungon vatra e ngrohtë familjare. Fëmija me prindër të divorcuar është krejt e natyrshme të rritet me komplekse të rënda, të cilat ndikojnë rëndë në botën e tyre shpirtërore.
A mund t’u dalim para këtyre gjërave? Mendoj se po. Si shfaqjet banale të antivlerave, ashtu dhe mangësitë e formimit tërësor të individëve mund t’u bëjmë ballë me vullnetin e mirë për të ndryshuar dhe këmbënguljen për të shmangur veset si dhe për të formuar shprehi dhe vlera, të cilat do të konsolidonin personalitetet dhe do të mbështesnin familje të shëndosha të pasura me virtyte fisnikërie.Le të jetë ky material një ndihmesë për rininë e sotme për të qenë sadopak një shtysë për mbarështrimin e jetës së tyre.
Luftar Spahiu (MAQEDONIASHQIPTARE.COM)


Leave a Reply