Tre muaj pas ndarjes nga jetë të artistit Françesk Radi, bashkëshortja e tij rrëfehet në një intervistë për Dita. Tefta Radi është larguar nga Shqipëria. Zonja e njohur e ekranit prej disa ditësh është vendosur në Melburn të Australisë, ku jeton së bashku me djalin dhe nënën e saj, por edhe pse kanë kaluar disa muaj, ajo nuk arrin që të mos zgjohet mëngjeseve me mendjen te njeriu me të cilin kishte thurur shumë plane.
“Me humbjen e Frankos kam humbur edhe kuptimin e jetës”- thotë ajo me zërin që i dridhet… “Vdekja është e hidhur dhe e rëndë për të gjithë, pavarësisht formës se si vjen. Ne do të niseshim për në Australi. Kishim prerë biletat dhe krejt papritur çdo gjë u shkërmoq para syve tanë”- thotë Radi.
Radi tregon edhe pengun që ka pasur Franco. “Ndoshta që nuk arriti ta shkelte Australinë. Mund të kishte një trajtim tjetër shëndetësor”.
Tani jetoni me djalin në Australi?
Po dhe me nënën. Për të plotësuar edhe një dëshirë të madhe të Frankos për të jetuar në një oaz të gjelbër, larg intrigave dhe dallavereve pa fund si dje dhe sot, larg uriahipëve.
Ka qenë problematike Shqipëria në këtë drejtim? Besoj këtu keni edhe shumë miq…
Historikisht, ndaj dhe çalon historia e kombit tonë. Kurrë si shohim dot ngjarjet bardh e zi. Natyrisht kam shumë miq më të cilët komunikoj çdo ditë. Kaluam jetën aty, bëmë për atë vend gjithçka kishim e dinim të bënin. Vlerësimet i kemi marrë nga njerëzit e thjeshtë. Kjo u pa edhe në lamtumirën e Frankos.
Ishte i pakënaqur Franko kohët e fundit? Çfarë e mundonte?
Franko humbi vitet më të bukura dhe jo pak nga 1972, pas festivalit të 11 e deri në ‘90 kur këngët e tij u bënë hite dhe të parat videoklipe. La Tiranën dhe u nis drejt Fushë-Arrëzit. Nuk u ankua kurrë por brenda ndërgjegjja e tij vritej nga padrejtësia dhe titujt e dhënë pa kriter më së shumti për të pa merituarit. Shumë herë thoshte: Është turp të jesh mes tyre. Bëhesh pis.
Doni të thoni që u ndje i pavlerësuar?
Nuk e ka matur kurrë vlerësimin me letra. Ngado që shkonte rrethohej nga dashuria njerëzore, po ato çka shikonte nuk e bënin indiferent. Franko nuk kërkoi kurrë dhe nga askush asgjë. Artisti matet me atë çka lë pas, emrin.
Keni ndonjë peng ne raport me të, po ai vete kishte?
Ndoshta që nuk arriti ta shkelte Australinë. Mund të kishte një trajtim tjetër shëndetësor.
Kishte vuajtur me parë nga ndonjë sëmundje apo i erdhi papritur kjo?
E papritur.
Zonja Tefta, ju jeni larguar përfundimisht nga Shqipëria?
Jam rezidente e përhershme në Australi. Natyrisht edhe do të vij. Shqipëria është zemra jonë.
————————————–
Tefta Radi: Një dokumentar për Frankon, për shpirtin dhe këngën e tij

Nga Zenepe Luka
Familjarët e kantautorit, Françesk Radi, cilësuar si “Çelentano shqiptar”, kanë mbledhur miq dhe të afërm në ditën e 40-të të ndarjes së tij nga jeta. Të pranishme edhe disa mike të afërta të Teftës, bashkëshorte e të ndjerit, kolege dhe pjesë e fondacionit “Nermin Vlora” si Nderi i Kombit Tinka Kurti, “Mjeshtër i Madh” Roza Anagnosti dhe Irini Qirjako, publicistët Kozeta Mamaqi, Elsa Xhaji e Zenepe Luka, poetja Vllasova Musta etj.
“Franko ishte me ne”
Rrallë herë ka ndodhur, për të mos thënë se është hera e parë, që në një ditë të dhimbshme, përkujtimore, të kesh pranë njeriun që është ndarë nga jeta. Gazetarja e mirënjohur Tefta Radi, paçka se loti nuk i është ndarë nga sytë, që nga çasti, që Franko pati një goditje fatale nga një hemorragji cerebrale, pas një darke plot gaz e me humor në familje, e më pas ndarja e tij nga jeta, në organizimin e kësaj ceremonie, ajo ka menduar, që Franko të ishte aty
Në një ekran të madh gjatë gjithë kohës, u shfaq kantautori i dëgjuar me kitarën e tij, duke kënduar live në shumë skena, gjatë gjithë karrierës së tij. Ishte një risi, që krijoi një emocion të veçantë tek të pranishmit, që filluan të komentojnë për këngët, studion dhe 15 kitarat e këngëtarit, ku përmendet edhe Kitara, që i ka dhuruar aktori dhe regjisori i madh Kujtim Spahivogli. Madje, pati edhe momente, që ndonjë këngë, sikurse ishte “Biçikleta”, u shoqërua edhe nga ndonjë fans, i pranishëm.
Një dokumentar për Frankon
Në bisedë e sipër, Tefta na tregon se është shumë e impenjuar për dokumentarin që i kushtohet bashkëshortit, që mendon ta promovojë në ditën e 1 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. “Kam bërë me dhjetëra dokumentarë gjatë karrierës si gazetare, duke gërmuar me dekada, por këtu kam ngecur. Përveç dhimbjes që ndjej, pse Franko iku papritur, në një moshë të re, duke lënë shumë punë përgjysmë, por edhe për shkak se ka kaq shumë materiale, që nëse do t’i shtrije përgjatë gjithë karrierës së tij, do të duheshin orë të tëra për t’i shfaqur. Kam mbresa, kujtime të pashlyeshme. Tek Franko gjeta dashurinë, talentin, guximin, sakrificën, sfidën, bashkëshortin e mrekullueshëm, babanë e dhembshur, njeriun e pazakontë, që i donte njerëzit dhe falte edhe ata që e ndëshkuan padrejtësisht”,- thotë Tefta Radi, ndërsa shton se “Nuk e di nëse do t’ia dal, të nxjerr nga duart e mia, atë që dua, atë që meriton Franko. Ajo që di, është se këtë dokumentar, dua ta bëj me duart e mia, me merakun për të përjetësuar këngën dhe dashurinë e tij”.
Ikja
Tefta me të birin, largohet për në Australi, shtetin, ku jeton nëna, vëllezërit dhe të afërmit e saj nga të dy prindërit. Ajo tregon se ishte bërë bashkimi me familjen 1 muaj përpara se të ndodhte tragjedia, ishin prerë edhe biletat e avionit, për bashkëshortët dhe djalin dhe se Franko, mezi priste këtë ditë. “Po iki me kokën pas, pse këtu po lë Frankon e shtrenjtë. Nuk e meritonim këtë tragjedi, por ajo që na mbetet mua dhe fëmijëve, është të përballojmë dhimbjen dhe të jetojmë me dashurinë dhe këngën e Frankos,- thotë ajo me sy të përlotu, ndërsa përqafohemi para ikjes së saj”.
Vlerësime për Françesk Radin
Tinka Kurti, “Nderi i Kombit”: “Vërtetë ishte një risi, takimi me familjarët dhe miqtë e këngëtarit të ndjerë, Françesk Radi. Na u duk se ishte me ne dhe kënduam bashkë. Kjo mënyrë të konceptuari dhe organizuari nga Tefta, solli një atmosferë ndryshe, nga çfarë ndodh në këto raste, ishte një çmallje edhe me këngëtarin, që la një emër të madh në fushën e muzikës”.
Roza Anagnosi, “Mjeshtër i Madh”: Kur flasim për kantautorin Françesk Radi, duhet të përmendim disa të veçanta. E para zëri karakteristik i tij, që ngjan shumë me këngëtarin e madh italian, Çelentano, që i këndonte me mjeshtëri edhe këngët e tij. Një këngëtar, që u ndëshkua për shkak të këngës, por kënga e tij nuk heshti edhe kur shkoi në Fushë-Arrës, ku gjeti edhe dashurinë e jetës, Teftën. Franko, i përballoi vështirësitë e jetës me këngë, duke sfiduar e triumfuar si kantautor. E dhimbshme, që u largua kaq shpejt nga jeta, po Ai la një pasuri të madhe shumë të vlefshme në fushën e muzikës.
Irini Qirjako: “Ishte këngëtar i veçantë për zërin dhe karakterin e tij. Këngëtar me një shpirt human, që sfidoi vështirësitë që i solli jeta, duke lënë pas një thesar të vyer me këngë e kompozime”.
Kozeta Mamaqi: “Bashkëkohësit, por edhe brezat do të kujtojnë zërin e veçantë të Françesk Radit, që si asnjë këngëtar tjetër këndoi me aq pasion këngët italiane, në kohën që ishte tabu”.
———————–
Vdekja e Françesk Radit, letra prekëse e mikut të tij: “Mea culpa”, ato që s’munda të t’i thosha dje…
11:58 – 05/04/2017 Kultura 0
Vdekja e Françesk Radit, letra prekëse e mikut të tij: “Mea culpa”, ato që s’munda të t’i thosha dje…
Ndarja nga jeta e këngëtarit Francesk Radi i ka prekur të gjithë. Zv.drejtori i RTSH Martin Leka, miku i kantautorit i ka kushtuar një letër prekëse Radit, ndërsa nuk ka nguruar që të lartësojë figurën e të ndjerit.
Mes rreshtash Leka ka bërë një “Mea culpa” për ato që ai s’mundi t’ja thoshtë dot dje gjatë ceremonisë mortore.
Letra e plote:
Nga Martin LEKA
I dashur Franko!
Po të shkruaj sot, ato që s’munda të t’i thosha dje!
Dhe e di pse?
E para, sepse nuk isha i sigurt nëse do mundja të disiplinoja emocionet përballë qindra miqve që kishin ardhur për të të dhënë lamtumirën e fundit. Për më tepër, përballë Teftës, së cilës, përgjithmonë do i këndosh vetëm “Zemrën e lodhur”.
E dyta, sepse unë, përveçse miku yt dhe i Teftës, jam edhe njëri ndër mëkatarët që s’mundën ta ndalojnë stresin e punës tënde në RTSH.
Ti e di mirë zakonin tonë kur, pas ikjes, të gjithë flasim mirë, jemi të sjellshëm dhe bëjmë sikur të gjithë kemi qenë miq e të dashur me ata që ikin…
Unë, si mijëra të tjerë në Shqipëri e jashtë saj, që jo vetëm të njohin, por edhe kanë dëgjuar këngët që ti kompozove dhe këndove, mund të them plot të tilla. Për më tepër, duke të njohur në punën e përditshme, unë veçse mund të shtoj diçka më shumë dhe që s’besoj se m’i kundërshton kush!
Ja, për shembull:
Ti ishe kaq i thjeshtë.
Ti ishe me një karakter të spikatur.
Ti ishe një punëtor i palodhur.
Ti ishe një guximtar.
Ti ishe kaq i qetë, sa na vure të gjithëve në “gjumë” e nuk arritëm ta kuptonim heshtjen tende.
Ti ishe shumë i dashur me ata që të deshën. Edhe me mua!
Ti ishe një antikonformist i bindur.
I dashur Franko!
Shumë e shumë më tepër se kaq t’i kanë thënë e shkruar mijëra njerëz sapo morën vesh që ti ike atje lart. Të kanë thënë e shkruar këngëtarë e kompozitorë, folës e gazetarë, punëtorë të thjeshtë e intelektualë, të njohur e të panjohur! Madje edhe politikanë…
Të kanë vlerësuar e të kanë përmendur rininë tënde rebele, stilin tënd të veshjes, ritmet e muzikës së ndaluar, persekutimin e kohës, barakën prej druri në Fushë-Arrëz, modën që solle në vitet e rinisë tënde, këngët e bukura të mëvonshme, e shumë e shumë të tjera!
I dashur mik!
Ti ike shumë herët, shumë shpejt; si në një aksident. Nuk pate as kohë të vuaje nga sëmundja e menjëhershme. Mirësitë që bëre në jetë ta kursyen vuajtjen. Veçse u tregove pak cinik e i pabesë: ua le dhimbjen përgjithmonë Teftës, gruas së rrallë që të dashuroi (ta tha dje) atëherë kur të tjerët s’të flisnin me gojë, Anjezës e Baltionit, Andetës e Rozanës, vëllait e motrave. T’i shikoje dje sa dhimbje kishin për ty, nuk do ta bëje gabimin e madh të jetës, ikjen prej tyre!
E di që nuk të vjen mirë që po të shkruaj kështu, e di edhe që do ma grisje menjëherë këtë copë letër, por unë nuk mund të rri pa të thënë dhe dy fjalë të tjera:
Ty ta shpejtuam ikjen të gjithë nga pak, ca naivë (edhe unë) e ca hipokritë:
Që s’të kuptuam
Që s’të dëgjuam
Që s’të njohëm mirë
Që s’ta lexuam heshtjen
Që s’të gjetëm “Adresën”
Që s’të kapëm ritmin, edhe kur ti ecje me “Biçikletë”
Që s’të bëmë “Një telefonatë zemrash” kur ti kishe nevojë…
Ndaj na mblodhe dje, si të përhumbur në terr për të na thënë: “Ky fat na ra”, “Humbet pranverën”…
Ke të drejtë. Problemi nuk është me disa që ikin, por me ne të gjallët. Mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë!
Ti, ishe ndër të paktët!
/BW


Leave a Reply