“Të ndihesh i huaj është pjesë e një artisti. Përpiqesh të përshtatesh, por disa nga ne thjesht nuk munden”
E takoj Al Paçinon në një kafene që është lokali i Al Paçinos: një kafene model i vjetër në pjesën perëndimore të Nju Jorkut, me banket lëkure dhe kafe të mirë. Ai qëndron aty i ulur në qetësi me uniformën e tij civile tepër elegante: kostum i zi, shall mëndafshi, dhe flokët si të rrëmujshëm sikur sa është ngritur nga krevati.
“Për shumë vite më pëlqente të rrija vetëm. Kurse tani dal më shpesh. Më pëlqejnë njerëzit”, thotë ai. “Kur shkoj në restorante, dhe ata duan të më ulin në një dhomë private, i them se privatësinë e ruaj për në shtëpi”.
Paçino karikohet nga dy gjëra: entuziazmi i tij vullkanik për aktrimin, dhe kafeina. Për të, këto dy gjëra janë oksigjen. Kudo që ndodhet ka kafe.

Al Pacino ne rolin e Michael Corleones perballe Marlon Brandos ne filmin Kumbari
Ditët kur nuk është produktiv, luan poker me miqtë e tij, një mënyrë për “të dalë” nga rolet e tij. Duket sikur çdokush në tavolinë do një pjesë nga Al Paçino. Pas ndërprerjeve të intervistës ai kërkon falje, por po filloj të shqetësohem se kjo do të jetë si situata kur kërkon të tërheqësh vëmendjen e një foshnje të vogël.
Por ai kthehet përsëri tek intervista, duke më fiksuar me dy sytë e tij, si kokrra të zeza ulliri dhe shpenzon pjesën tjetër të kohës duke dëgjuar me vëmendje pyetjet e mia, edhe pse nuk është një fans i proçesit të të folurit për veten në intervista.
Paçino ka një mënyrë që të bën shpejt të harrosh se ai është Al Paçino. Ai është aq karizmatik në jetë, sa dhe në ekran, dhe nuk mund t’i heqësh sytë nga fytyra e tij. Është njeri i thjeshtë dhe i përulur.
Paçino duket se vazhdon të jetë po aq i mahnitur që nga koha e fillimeve kur u bë djalë kopertinash, së bashku me Robert De Niron, gjatë epokës së artë të kinemasë amerikane në vitet ‘70.
Në një hapësirë kohore prej 5 vjetësh, ai mori pjesë në një seri filmash që akoma konsiderohen si filmat më të bukur të historisë, i padepërtueshmi Michael Corleone në Godfather 1 dhe 2, idealisti i paepur Frank Serpico, e shumë e shumë filma të tjerë.
Ai ra akoma më shumë në sy me filmin Scarface, e më pas në vitet ‘90 axhenda e tij u rifreskua me filma të rinj, me Carlito’s Way, Heat dhe Donnie Brasco. Vitet e fundit ai është kritikuar shumë, ndoshta për mos rithirrjen e përvojës së rinisë së tij.
“Por nuk mund të kthehesh mbrapsht, duhet të vazhdosh përpara”. Filmat e mëdhenj, ashtu si dashuritë e mëdha, janë shumë të rralla. “Pjesën më të madhe të kohës përpiqesh vetëm të mbijetosh. Puna nuk është e gjitha njësoj. Ndonjëherë nuk mund të japësh më shumë. Duhet të pajtohesh me këtë ide. Ndonjëherë është roli që të kërkon të nxjerrësh më të mirën tënde”.
Paçino ka performuar në rreth 100 filma, dhe është nominuar për 8 çmime Oskar si dhe për shumë çmime Emmy dhe Golden Globe.
Ka aq shumë çmime dhe kërkon akoma më shumë, nuk është nga ata tipa që tërhiqen “e rrinë duarkryq duke i mbajtur erë topave të golfit”.

Al Pacino ne filmin Njeriu me shenje, 1983
Për të nuk do të thotë gjë nëse ka arritur diçka, apo është dikushi. Ai ende vazhdon të përpiqet. Gjithmonë është në kërkim të diçkaje të re, e përpiqet të gjejë fjalët e duhura për të shprehur atë që mendon.
Siç thotë dhe regjisori Mike Nichols për të: “Al preferon sigurinë e një teksti në të cilin projekton emocionet e tij”. Ishte ditëlindja e tij e 76-të pak javë më parë. E dashura e tij, aktorja Lucila Sola, 37 vjeç, dhe fëmijët e tij, binjakët 15-vjeçarë Olivia dhe Anton, i organizuan një festë të madhe. “Janë tre çerek shekulli jetë. Është më mirë kur nuk e shikon orën apo jo?”.
Disa filma të kohëve të fundit, Al Paçino i ka marrë për arsye financiare. Në vitin 2010 ai humbi disa miliona dollarë sepse menaxheri i biznesit të tij vidhte paratë e aktorit. Filmat e fundit shërbyen si rilindje për të.
Ai fitoi një çmim Emmy për rolin e tij si Jack Kevorkian, një aktivisit i eutanazisë në filmin e vitit 2010, “You don’t know Jack”. Dhe një vit më vonë ai realizoi një komedi personale të zezë të quajtur “The Humbling”.
Aktrimi është forcë e jetës për Paçinon. Skena i jep atij një fuqi të jashtëzakonshme. “Është si oksigjen për mua. Më dha jetë. Më edukoi, për aq pak sa jam i edukuar. Më shpëtoi”.
Në komedinë e tij të re, Danny Collins, ai portretizon një yll roku të stilit Rod Stewart, që konsiderohej si një gjeni nga rinia e kohës së tij.
Collins është versioni i njeriut që Paçino do të kishte qenë nëse nuk do të hiqte dorë nga alkooli. Ashtu si Bob Dylan në rininë e tij, Paçino ishte puritan, një fëmijë rruge që u kthye në aktor teatri e që ishte i papërgatitur për atë që do t’i sillte fama. “Reagimi im nuk ishte pozitiv. Ishte si të hidhesha nga një katapultë. Sot fama është gjithçka. Të gjithë të rinjtë e aspirojnë atë,” thotë Al Paçino.
Por aktori 76-vjeçar u ndje “i bombarduar nga jeta” dhe nga njerëzit që i afroheshin në rrugë. “U bëra më i vetëdijshëm për veten, fillova të kujtoja dhe emrin tim sepse njerëzit në rrugë e përsërisnin shpesh”. Paçino thotë se gjithnjë ka qenë një njeri i vetmuar dhe shumë i ndjeshëm – e akoma vazhdon të jetë. “Të qenit i huaj është pjesë e artistit. Përpiqesh të përshtatesh. Por disa nuk ja dalin. Nuk e kuptoj se çfarë prisnin njerëzit nga unë. Akoma nuk e kuptoj”.
Vitet ‘70 ishin të egra për të. Ishte krijuar një situatë e turbullt. Kjo për shkak se ai filloi pijen, kërkonte një ilaç për famën dhe donte që identitetet e personazheve që kishte luajtur të zhdukeshin. “Michael Corleone ndikoi tek unë për shumë vite me radhë”, thotë ai.
Fakti që edhe mentori dhe trajneri i tij i aktrimit, Charlie Laughton, ishte një pijanec i madh, prapë nuk e ndihmoi. “Ne shkuam në shumë shtete të ndryshme për t’u dehur, por kur Laughton kërkoi ndihmë për varësinë e tij ndaj alkoolit, ai më hapi sytë dhe më bëri të kuptoj se po shkatërroja veten,” thotë Paçino. “Tani më pëlqejnë ndjenjat e mia ashtu si janë. Nuk dua t’i nxjerr jashtë”. Terapia që ai akoma vazhdon të bëjë disa herë në javë e ndihmoi shumë aktorin.
Do të ishte e lehtë për një psikolog të vëzhgonte jetën e Paçinos, si të përcaktuar nga braktisja e të atit në një moshë të re dhe kërkimit të mëvonshëm për zëvendësues atësor. 20-vjeçari Slavatore braktisi gruan e tij 23-vjeçare Rose kur Paçino ishte dy vjeç. Mamaja me të birin u zhvendosën tek prindërit e saj italo-amerikanë në një apartament me 3 dhoma në një bllok shumëkatësh në South Bronx.

Pacino si nje nje roker i viteve 1970 ne filmin e ri Danny Collins
40 vjet pas filmit Godfather, mungesa e babait, vazhdon të jetë pjesë e Paçinos. “Danny Collins më kujton babain. Ai ishte një këngëtar dhe valltar i madh. Ai ishte martuar 5 herë”.
“Sonny” (pseudonimi i Paçinos, i pagëzuar me emrin Alfredo) ishte shumë i afërt me gjyshin e tij dhe mbi të gjithë me mamanë e tij. Punët e saj të ndryshme përfshinin edhe portieren e kinemasë, e ndonjëherë ajo e merrte të punonte me të. Si një fëmijë i vetëm, ai luante me imagjinatën e tij, duke vënë në jetë skenat që kishte parë në kinema. Vetëm kështu mund “ta mbushte vetminë e tij”. Në moshën 5-vjeçare ai luante një nga skenat më të shthurura të alkoolistit Ray Milland nga filmi Billy Wilder’s The Lost Weekend.
Është e qartë që Paçino ishte shumë i lidhur me mamanë e tij.
“Ata e quanin Ava, sepse i ngjante Ava Gardnerit,” thotë ai duke më treguar një foto të saj në celular. “Ajo ishte një njeri i lexuar, e ndjeshme dhe intuitive, por me probleme. Vuante vazhdimisht nga depresioni”.
Jeta e Paçinos ndryshoi kur dilte me disa miq patriotë. Që në moshën 9-vjeçare filloi duhanin, dhe alkoolin kur ishte 13 vjeç.
“Ata ishin miqtë e mi më të mirë. Disa prej tyre vdiqën nga droga”.
E la shkollën në moshën 16-vjeçare dhe u zhvendos në West Village, duke punuar punë të ndryshme për të paguar shkollën e dramës, dhe më pas iu bashkua teatrit. Pikërisht në këtë moshë u takua me Laughton, që do të bëhej një bosht i rëndësishëm profesional dhe emocional për Paçinon, duke i dhënë një dorë në momentin katastrofik kur i vdiq e ëma dhe një vit më vonë gjyshi i tij.
Pikëllimin e tij e kaloi kur në moshën 23-vjeçare iu bashkua studios së filmit Actors Studio, nën drejtimin e Lee Strasberg, i cili e inkurajoi atë të mënjanonte emocionet e përvojës së jetës. Duke qenë se të gjithë studentët që merrnin pjesë në Actors Studio ishin të arsimuar, Paçino e ndjente veten disi të paaftë në atë kohë.
Por ishte qasja e talentuar e tij dhe potenciali që tregonte gjatë performancave që e çuan në vitin 1969 në teatrin Broadway. Atij iu desh të luftonte shumë.
Bëri 2-3 herë audicione për rolin e Michael Corleones dhe Francis Ford Coppola nuk pranonte njeri tjetër përveç tij në këtë rol.
Asnjë nga këto ngjarje Paçino nuk arrin t’i japë shpjegim. “Të aktruarit për të është çlirimi i subkoshiencës. E gjithë ndërgjegjja më largohet”.
Në vitin 1973, kur luante Richard-in III në skenën e Bostonit, ai shpërtheu në lot pasi perdja e skenës u mbyll. “Po luaja Richard-in dhe pjesa e aktrimit ishte e ngjashme me situatën që po kaloja. Isha i pirë”. Ai e kuptonte mbretin Richard, që mund të korruptohej nga pushteti, ashtu siç Paçino mund të korruptohej nga fama.
Në vitin 1989 Diane Keaton, atëherë e dashura e tij, i kishte nxitur atij dëshirën për t’u kthyer në xhirimet e filmit “Sea of Love”, që fliste për një detektive policie që bie në dashuri me të dyshuarin për vrasje. Në një kujtim të vitit 2014, Diane shkroi: “Ata sy, akoma përpiqem të mendoj si ti bëj për vete. Për 20 vitet e ardhshme, vazhdoja të humbja një burrë të cilin nuk e kisha kurrë”.

Pacino me te dashuren e tij, aktoren Lucila Solá
Si një ujk i vetmuar që ishte, Paçino nuk u martua kurrë me asnjë nga të dashurat e tij, një listë e gjatë femrash të zgjuara e të forta, mes të cilave trajnerja e tij e aktrimit, Jan Tarrant, me të cilën ka dhe një vajzë, Julie, 27 vjeç dhe aktoren Beverly D’Angelo, nënën e Olivias dhe Antonit. Ai ka qenë në një lidhje me Solan në 7 vitet e fundit.
Por a do të martohen ata ndonjëherë?
“Nuk di ç’të them për martesën por kur je i dashuruar, kjo është ajo që ka rëndësi. Megjithatë, do të ishte mirë të isha martuar më parë”. Ndërkohë e marrin fëmijët në telefon. Del një moment jashtë dhe kur kthehet më tregon fotot e tyre plot krenari. “Fëmijët e mi janë një arsye pse vazhdoj të jem këtu. Kur ke fëmijë, ata janë prioritet”.
Atë e shqetëson fakti që i duhet të planifikojnë kohë me fëmijët e tij gjatë muajve të ardhshëm për shkak të angazhimeve të punës.
Tani që u bë vonë atij i duhet të largohet.
Al Paçino insiston të paguajë faturën e drekës. “Shkruaj në faturë që do i paguajë Al,” thotë ai.
Gjithmonë entuziazmohet pasi shikon veprën e Hamletit të vënë në skenë. “Është kaq e bukur ajo performancë. E kam lexuar qysh kur isha i vogël, e prapë nuk ngopem. Do ta shihja dhe 1 mijë herë të tjera”.
Kjo do të thotë të jesh Al Paçino: një njeri i rëndë me entuziazëm djaloshar. “Teatri është elektrik dore për mua. Më ka ndriçuar rrugën që kur isha 3 vjeç”.
“Kam mësuar të jetoj pa anonimitet. Nuk kam qenë në një dyqan ushqimesh ose metro për vite me radhë. Është e vështirë për fëmijët e mi të dalin në publik me mua. Fama është ndryshe tani nga sa ishte 20 vjet më parë – Unë nuk e di se çfarë dreqin është ajo tani. Nëse kam një kohë të lirë për të qenë diku pa u njohur, ky po që është luks”.
“Kurrë nuk kam qenë i fiksuar me paratë. Kur kam qenë i ri, pas kolegjit, unë gjithnjë isha i papunë dhe në një kohë kam fjetur jashtë për disa ditë. Por unë kurrë nuk kam qenë materialist. Por është e vërtetë që jam pak dorëshpuar, natyrisht prej stilit të të jetuarit”.
“Ishte gjyshi im, James Gerardi, që më mësoi dashurinë për punën. Ai bënte çdo lloj pune. Puna ishte gëzimi i jetës së tij. Kështu që unë u rrita duke mësuar ta dua punën. Është gëzimi i punës ajo që më shtyn përpara në jetë”.

Al Pacino me te dashuren Lucila Sola
“Përfundimi në të cilin kishin arritur mësuesit e mi ishte se unë kisha nevojë për një baba.
Unë nuk ishte nga ata të rinjtë që dalin jashtë kontrollit, por aty afër. Prindërit e mi u divorcuan kur isha dy vjeç dhe babai nuk ishte më në jetën time që atëherë. Kam kërkuar të jem ndryshe me fëmijët e mi (Julie, 25, dhe binjakët Anton dhe Olivia, 14). Kam kërkuar që të jem i përgjegjshëm me ta, kështu që e ndaj kohën time në dy brigje”.
Fëmijët më ndryshuan perspektivën time.Para se të kisha tre fëmijë, bëja me kokën time, nuk vëreja asgjë. Aktrimi për mua ishte çdo gjë; tani, për shkak të tyre, aktrimi është vetëm një diçka e vogël”.
“Unë nuk jam i mangët në miq. Ne të gjithë mund të jemi të zënë në jetën tonë, karrierën tonë, por unë gjithmonë kam kuptuar se njeriu e ka të nevojshme miqësinë”.
“Pika më e ulët e jetës sime ishte kur humba nënën time, Rose, dhe gjyshin. Ata vdiqën të dy brenda një viti. Unë isha 22 vjeç dhe dy njerëzit më me ndikim në jetën time ishin larguar përgjithmonë. Vitet ‘70 ishin të errëta për mua në një farë mënyre, por pastaj hoqa dorë nga pija në 1977 dhe vendosa të përqendrohem tek puna”.
“Unë e kuptoj vlerën dhe fuqinë e rrjeteve sociale, edhe pse nuk i përdor vetë. Unë kam një faqe në Facebook që pëlqehet nga 5.4 milionë njerëz. Nuk e kuptoj se çfarë do të thotë kjo? Megjithatë unë vlerësoj se këto rrjete janë të mira për të përçuar mesazhin tuaj”.
“Michael Corleone në The Godfather ishte dhe ende është roli më i vështirë që kam luajtur. Unë nuk e shoh atë si një gangster. Ndjeva se fuqia e tij ishte cilësia e tij enigmatike. Për fat të keq studio nuk e vuri re këtë që në fillim dhe po mendonte të më hiqte mua. Ishte gjatë karrierës time të hershme, një film i madh me Marlon Brando, dhe askush tjetër përveç Francis Ford Coppola nuk më donte mua për pjesën e atij filmi”.
“Gjyshërit e mi erdhën nga një qytezë në Siçili, që quhej Korleone. Fati? Po, ndoshta – kjo është shumë e çuditshme. Por pastaj jeta ka kaq shumë të papritura”.

“Njerëzit mendojnë se ka rivalitet mes meje dhe Robert De Niro. Unë e njoh Bobby-n mjaft mirë. Ai është një mik dhe të dy kemi kaluar gjëra të ngjashme. Më pëlqen çka ai bën me komedinë. Është gjeniu i vërtetë”.
“Unë besoj se kam arritur diçka jetën time, e cila është arsyeja pse unë vazhdoj. Për sa kohë që ju keni pasion për artin, vazhdoni të punoni, sepse mosha pastaj bën të vetën”.
/Stephanie Rafanelli, The Telegraph


Leave a Reply