Plot 90 ditë më parë ne nisëm një rrugëtim qytetar, patriotik, demokratik, paqësor, europian, të vendosur për të mos pranuar gjendjen e mjerë të vendit, për të mos pranuar një Shqipëri nën zgjedhën e drogës, krimit dhe korrupsionit dhe për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
90 ditë më parë ne ishim shpirti i qëndresës, refuzimi i së keqes, ishim shpresa e Shqipërisë.
Sot ne jemi e ardhmja e Shqipërisë europiane.
Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme u kurorëzua sot, jo në rrëzimin e qeverisë, por gjysmës së saj me garanci të cilat duhet të zbatohen nga fillimi deri në fund. Përmes dialogut politik që u detyrua dhe u bë realitet vetëm falë imponimit të qëndresës dhe bashkimit të qytetarëve, republika e vjetër pranoi rrugën institucionale të asgjësimit të saj për t’i hapur vend ëndrrës së Republikës së Re. Kjo është domethënia e angazhimit për reformën kushtetuese. Angazhimi për reformën kushtetuese është rezultat i vendosmërisë sonë që kurrë më ky vend mos sundohet nga komploti ekonomik dhe politik, që kurrë më politika të mos jetë teatër kukullash për qytetarët dhe burim pasurie dhe pushteti për pushtetarët. Reforma kushtetuese është shtrati për të ndërtuar së bashku një shtet dhe një shoqëri ku pushteti, pasuritë, të ardhurat dhe fati i qytetarëve janë njëherë e përgjithmonë vetëm në dorën e qytetarëve. Asnjë tërheqje dhe asnjë kompromis nuk do të ketë me të keqen. Do të ketë përballje totale përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për t’i dhënë shqiptarëve një Shqipëri të çliruar nga droga, të çliruar nga krimi, të çliruar nga korrupsioni.
90 ditët e ndritura të bashkimit dhe qendresës sonë janë krenaria, shpresa dhe kurajoja e një shoqërie të tërë. Janë prova se e vetmja vlerë që e mund të keqen, e vetmja garanci që nxjerr një shoqëri nga errësira drejt dritës, është bashkimi dhe kurajoja e qytetarëve.
Sakrifica e qyetarëve hapi një horizont të paimagjinueshëm tre muaj më parë.
Ne sot jemi edhe më të fortë, kemi edhe më shumë besim tek vetja dhe tek njëri-tjetri. Betejat që kemi fituar deri më sot, janë dëshmi se kjo lëvizje, bashkë me të, Partia Demokratike dhe aleatët tanë, janë më shumë, më të fortë dhe më të gatshëm se kurrë dhe nuk do ta ndalim asnjë çast marshin tonë drejt Republikës së Re, drejt fitores së çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje.
Burimi – Facebuk


Leave a Reply