Matja e kohës më nuk është arsyeja kryesore pse blihen orët e dorës. Ora është shndërruar në aksesorin më të rëndësishëm dhe njëkohësisht më të kushtueshëm. Kombinimi i metaleve dhe materialeve të ndryshme, si dhe i gurëve të çmuar në përfitimin e orëve të dorës, kanë bërë që ato të zëvendësojnë byzylykët, si dhe ta plotësojnë veshjen dhe stilin e secilit, shkruan gazeta “Koha Ditore”.
Këto vlerësime i japin shitësit e orëve, të cilët pohojnë se orët kanë një rol të rëndësishëm si në aspektin praktik, ashtu edhe në atë estetik. Kenan Rushiti, menaxher i dyqanit të orëve “Ora”, ka pohuar se orët e dorës si aksesorë që përdoren nga të dy gjinitë, në çdo kohë e çdo stinë kanë disa karakteristika të cilat duhen pasur parasysh para se të përzgjidhen nga blerësit e tyre.
Rushiti ka thënë se përzgjedhja e orës duhet të përkojë sidomos me moshën, stilin e veshjes dhe angazhimin e secilit. “Sikurse të gjitha produktet e luksit edhe orët e dorës dallojnë dhe ndahen sipas stilit dhe moshës dhe është mjaft e rëndësishme që klienti të bëjë zgjedhjen e duhur në mënyrë që të arrihet efekti i dëshiruar dhe që pamja e tij të jetë e kompletuar në aspektin estetik”, ka shtuar Rushiti.
Krahas veshjes me shije, sipas Rushitit, edhe ora e mirë lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një “zonjë apo zotëri të vërtetë” që merr vesh nga eleganca. “Percepsioni se ora e përzgjedhur me kujdes tregon se kemi të bëjmë me një njeri elegant, zotëri apo zonjë dhe me shije, vazhdon të ekzistojë.
Madje mendoj se në Kosovë ky percepsion vetëm po rritet dhe njerëzit po vetëdijesohen më shumë në kuptimin e rëndësisë që ka pamja e jashtme”, ka thënë ai. Rushiti ka bërë të ditur se kosovarët, sidomos viteve të fundit, po i kushtojnë rëndësi të veçantë orës dhe po shpenzojnë shumë që të kenë orë të bukura nga brendet botërore. Grupmoshat që shpenzojnë më së tepërmi në orë dore thotë të jenë 20-30-vjeçarët. Ai tregon se më së tepërmi kërkohen orët për femra, mirëpo ata që i paguajnë thotë se zakonisht janë meshkujt.
Rushiti tregon se ekzistojnë me qindra lloje të modeleve të orëve të dorës, të cilat u përshtaten shijeve të secilit. Por llojet më të kërkuara sa u përket konsumatorëve meshkuj, thotë të jenë modelet më klasike.
“Meshkujt zakonisht kërkojnë orët të cilat janë më të thjeshta e klasike dhe më të përditshme.
Të preferuara janë ato me sipërfaqe të bardhë apo të zezë dhe me rripa të lëkurës”, ka pohuar ai.
Sa u përket femrave, thotë se kërkesat e tyre janë më të komplikuara. Megjithatë preferencat e femrave janë të orientuara kah orët më të mëdha, me zinxhir metalik. Ndërsa sa u përket ngjyrave, thotë se orët ngjyrë ari të kombinuara me gurë shkëlqyes janë më të dëshirueshme nga femrat.
Si të mirëmbahen orët e dorës:
0aOrët konsiderohen si instrumente të ndjeshme ndaj të cilave duhet të tregohet kujdes i shtuar në disa raste. Shitësit e tyre pohojnë se bartësit e orëve të dorës duhet të kenë parasysh që edhe përplasjet më të vogla mund të shkaktojnë dëme të mëdha në mekanizmin e orës apo edhe në pjesët e jashtme të saj. Kontakti i orës me ujin, po ashtu, konsiderohet si një ndër shkaktarët më të shpeshtë të dëmtimit të orës.
Kenan Rushiti, menaxher i dyqanit të orëve “Ora”, ka treguar se shumica e orëve janë rezistuese deri në një masë ndaj ujit. Por ai thotë se nga praktika ka vërejtur që klientët e keqkuptojnë një gjë të tillë. “Shumica e orëve janë rezistuese ndaj ujit, por vetëm 3 apo 5 atmosfera që nënkupton se u përballojnë vetëm larjeve sipërfaqësore të duarve apo djersës, apo lagies sipërfaqësore nga shiu, por jo edhe futjes
në dush, pishinë apo në det me të”, ka shpjeguar ai.
Rripat e orës si dhe bateria konsiderohen materiale shpenzuese të cilat duhet të ndërrohen kohë pas kohe. “Çdo adhurues i orës duhet ta ketë parasysh se garancia e orës çdo kund vlen vetëm për mekanizmin e brendshëm dhe nuk i mbulon dëmet që mund t’i shkaktojë blerësit në pjesën e jashtme, si: rripat, xhamat, butonat etj.”, ka thënë ai. Në rastet kur ora dëmtohet qoftë në mekanizëm apo në pjesën e jashtme, ai rekomandon që ato të dërgohen në vende adekuate për rregullim profesional, ”pasi që përpjekjet për t’i rregulluar pa pasur njohuri mbi orët mund të çojnë në dëmtim edhe më të madh të orës”.
lajmeonline.eu/


Leave a Reply