Pak flasin për efektin përsëritës të festave. Të njëjta ngjyra, të njëjtat fjalë, të njëjtat organizime. Aq më tepër në festat kombëtare të fundit të nëntorit. Dhe festa nuk të vjen shumë personale. Por ja që mund ta gjesh një rruginë për ta ndjerë zërin e saj në vesh duke të folur veç ty. Nëse do zbrisnim në hartën e Tiranës, kjo lëvizje mund të bëhet drejt rrugës “Kont Urani”, te “Nji Mar, Nji Mrapsht” ku shiten objekte artizanale dhe, këtë vit, në prag të festave të nëntorit, mund të gjeni një koleksion surprizë me temë etnike. Është një adresë për t’u shkelur.
Nëse jeni pa shpresë në dëshirën për një dhuratë të veçantë, ose për ndonjë simbol feste mbi tryezën e punës apo pezulin e dritares, që të jetë pak edhe simbol i shpirtit tuaj origjinal, nuk ju duhet një llambë magjike. Me enët e qelqit, të kthyera në vepra arti, që ndodhen në këtë dyqan, do keni njëkohësisht në dorë, dëshirën dhe realizimin e saj.

I ka realizuar Olta Dokle, shqiptarja që jeton në New York, e cila prej nëntë vitesh, që kur zbuloi këtë pasion, pikturon shishe e kavanozë të ricikluar qelqi. I vizaton, i zbukuron me ornamente e i jep çdo shisheje një jetë të re, atë të një vepre arti që harron të shkuarën në rafte shitoresh dhe ushqimesh dhe nis të frekuentojë ekspozitat e të banojë në dhomat e ndenjies dhe rafte bibliotekash si një objekt dekori.
Foto: Armand Habazaj per Living
Më i fundit koleksion i saj, është pikërisht ky me temë kombëtare shqiptare, që tashmë gjendet në dyqanin “Nji mar, Nji mrapsht” për t’u dhënë të gjithë atyre që i mundon përsëritja monotone, objekte feste krejt origjinale dhe njëkohësisht, fjalë të reja të gjuhës së mbrojtjes së mjedisit, për të treguar historinë e vjetër të vendit tonë.
Olta na tregon historinë e saj, me një fillim të thjeshtë, siç ndodh shpesh me projektet e mëdha, por edhe të ëmbël.

Si nisi e gjitha kjo?
Kam treguar interes ndaj artit pamor në tërësi, si dhe e kam ushtruar në forma të ndryshme, kryesisht pikturë dhe vizatime, ndërsa pikërisht arti në qelq të ricikluar lindi gjatë një momenti personal kreativ në verën e vitit 2006, kur unë isha ndërkohë në kulmin e sezonit të fundit të provimeve të shtetit ndërsa mbroja Magjistraturën në Universitetin e Sofies, në degën Drejtësi, për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe isha 26 vjeçe. Historia është fare e thjeshtë, por shumë e ëmbël. Sezonet e mia të provimeve i ka karakterizuar gjithmonë një kavanoz i madh me Nutella (nga ata më të mëdhenjtë), përbri leksioneve dhe konspekteve. Vdes për Nutella (për çokollatë në përgjithësi) dhe gjithmonë shtoja kile në këto kohë…por një nga këto ditë, mbasi kavanozi i Nutella-s ishte totalisht i “fshirë” dhe ndërsa unë kisha ndër duar bojra e ornamente bizhuterike të sojeve të ndryshme, gjëra që nuk më kanë munguar asnjëherë për shkak të një pasioni tjetër lidhur me estetikën dhe dekorimin, fillova, pa e menduar dhe pa asnjë plan konkret, të zbukuroja me to kavanozin nga jashtë. Nga njëra anë lexoja, nga ana tjetër lëvroja ndër duar kavanozin, herë me penel, herë ngjisja ornamente… Një “eglendi” që kur përfundoi më dhuroi një mahnitje, një “wow” të sinqertë, një kënaqësi të brendshme, një emocion të cilin menjëherë dëshirova të mos reshtja kurrë më, së provuari. Është ky moment që menjëherë u pasua, me ca llambushka përkrahëse të motivimit që ndizeshin në mendjen time dhe e bënin këtë ide, përveçse të bukur edhe të dobishme, si ideja e ricilkimit të enëve të ndryshme prej qelqi, përdorimi i tyre si një kanavacë 3-dimensionale, përdorimi (përveç bojërave vitrazh) i ornamenteve vintazh, bizhuterike ose jo, edhe këto të ricikluara e të mbledhura, si dhe mundësia e vetëpërdorimit të tyre, përveç të qenit punime artistike e dekorative në vetvete. Të gjitha këto erdhën së bashku për të formuar një ide të plotë, e pastaj një projekt, një emër… Oclectic!
Sa vepra të tilla ke?
Sa të tilla kam?! (qesh) Kam vetëm një, të parën fare, atë që përshkrova më sipër…. kam quajtur “The First of its Kind” (“E para e llojit të vet”), nuk e shqis dot nga vetja, nga sytë…e dua shumë. Nëse më pyet sa kam bërë, atëherë do të përgjigjem… mbi 500 copë, nuk e di më shifrën e saktë përmendësh, siç e dija sa herë të më pyesje, deri te rreth 350 copët e para… Nuk kam asnjë prej tyre, të tjerë njerëz që i kanë vlerësuar, i kanë, dhe unë jam shumë e lumtur për këtë… Unë ndërkohë mbaj çdo punim të arkivuar, me foto dhe informacion përkatës; emër, numër, datë, mediat e përdorura, etj…. Aty diku gjehet dhe numri i saktë. Unë po, kam shumë nga ato që presin të punohen e nga ato që janë në punim e sipër, e sa më shumë të qëndrojnë tek unë, aq më shumë do punohen, ripunohen, gjithmonë diçka për të shtuar, ndryshuar, përmirësuar…derisa të m’i heqin nga duart.
Cili është procesi i punës për realizimin e një vepre të tillë? Materiali që përdor?
Të gjitha punimet artistike “Oclectic” të kësaj kategorie siç edhe përmenda më lart, janë të punuara tërësisht me dorë, duke përdorur si kanavacë sipërfaqe qelqi, shishe, kavanozë apo të tjera enë xhami të ricikluara, të mbledhura e të seleksionuara në kohë, në lloje, madhësi dhe forma nga më të ndryshmet. Puna fillon me pastrimin e enës brenda dhe jashtë dhe vazhdon me përgatitjen e sipërfaqes, në varësi të materialeve që do të përdoren, për të siguruar ngjitjen e duhur, e si rrjedhim, qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi, për të cilën garantoj. Këtu vijon transformimi i tyre artistik, për t’u bërë kështu pjesë e një koleksioni të larmishëm e unik.
Procesi krijues, konsiston në të pikturuarin “Vitrazh” dhe teknika mikse “Mixed Media”/Kolazh, që zhvillohet me përdorimin e një game të gjerë materialesh, si: bojëra qelqi vitrazh (të sheshta dhe 3D), enamel, letër organike, si: bambuje ose orizi, gurë xhami apo rëre dhe mermeri, si dhe ornamente të ricikluara nga bizhuteri dhe aksesorë të vjetër (vintage) nga më të ndryshmet e shumë të tjera materiale spontane. Çdo punim vishet në përfundim me disa shtresa rezistente llaku me lustër për të vulosur sipërfaqen e punuar, duke theksuar edhe më shumë detajet dhe ngjyrat e përdorura, dhe duke ruajtur gjithashtu ndjesinë e qelqit. Unë jam fanatike në zgjedhjen e materialeve jotoksike, eko-miqësore, pra që nuk përmbajnë kimikate të dëmshme, por ndërkohe janë konkurrente në cilësi.
Çdo copëz arti “Oclectic” është një e vetme, e emërtuar, e nënshkruar, me numër dhe datë.
Çfarë të frymëzon?
Një mori gjërash… që shfaqen, gërshetohen, ndërndikohen, zhduken, rishfaqen, riformohen, transformohen… Siç edhe jam në natyrë ashtu, eklektike, mund të thuash. Por nëse do të kërkoja të përbashkëtën, ajo është dashuria. Dashuria tek unë është një shportë plot me dritë, plot me ngjyra, plot me diell, ujë, tokë dhe qiell. Kështu edhe krijoj, kur ndiej jetë e alegritet…Nuk krijoj kur ndiej errësirë apo zymtësi, dhimbje etj., përkundrazi…Tek unë, këto nuk kanë lidhje me artin ashtu sicv nuk kanë lidhje me të bukurën dhe dashurinë e dëlirë…të paktën jo me çka bëj unë, të paktën deri tani… Për mua, nëse arti duhet të jetë shfrim, le të jetë shfrim pozitiv, ose shfrim që do të provokojë pozitiven dhe të ndjellë shfrime të së njëjtës natyrë. Artistin e shoh të rëndësishëm vetëm kur është hallkë e një reaksioni zinxhir që gjeneron ose do të gjenerojë një vlerë pozitive.
Ka edhe elemente të traditës e kulturës shqiptare në krijimet e tua
Besoj kjo është parë në punimet e fundit, të cilat i kam quajtur Alb’OCLECTIC. Është një koleksion me motive tipike etnike shqiptare, frymëzuar nga kostumet tona kombëtare aq të larmishme, pa ndonjë përzgjedhje trevash në veçanti, kjo rreth atmosferës së festivalit folklorik të Gjirokastrës, majin e këtij viti (2015). Të njëjtat punime u shfaqën për herë të parë, si pjesë e dekorit të koncertit recital me këngë qytetare dhe jare shkodrane, të këngëtares dhe mikes, Albana Fani, që u zhvillua në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës. Më pas udhëtuan për në Tiranë dhe Gjirokastër. I kam punuar me shumë dashuri e nuk do gënjej po të them, me këngë në gojë… dhe nuk mbaron këtu…do vazhdoj.
Në cilat vende ekspozohen këto vepra arti?
Online dhe në galeri, si dhe nëpër ekspozita….aspak e thjeshtë, t’u gjesh vendin e përshtatshëm, ndoshta për vetë natyrën jo të zakontë që kanë: aspak standarde apo kategorike.
I ke prezantuar në New York? Ku tjetër? Si është reagimi i audiencës?
Startoi në Sofie të Bullgarisë, u realizua në New York dhe u prezantua në New York, Shqipëri dhe Bullgari. Reagimi në tërësi ndaj këtij arti që unë sjell, është motivues, është mbushës, është shpërblyes, më kënaq, më lumturon. E kam thënë jo pak herë: “…Nëse arti im të prek, ndjell emocione pozitive brenda teje, apo thjesht nëse t’i përkëdhel sytë, pikërisht atëherë unë ndiehem vërtet e bekuar.” Dhe kjo ka ndodhur tashmë jo pak herë. Reagimet në vendet përkatëse kanë ndryshimet e veta, por jo dhe aq thelbësore…Mua si krijuese më intrigon shndërrimi i asgjësë në diçka, e pastaj kur kjo diçka është art, ndërsa vetë procesi i krijimtarisë përmban përveçse art, edhe dobi…mendoj arrihet një reaksion artistik i ndërsjelltë, një marrëdhënie e pastër pëlqimi, një emërues i përbashkët shijimi dhe afirmimi. E thënë thjesht: Po, ma pëlqejnë artin.
A i shet këto vepra?
Po… Atje ku ekspozohen, ato edhe shiten dhe natyrisht kryesisht gjenden në NY ku unë jetoj e punoj, por prania online ka bërë të mundur që punimet e mia të mbërrijnë në pika të ndryshme nëpër botë, sidomos punime të personalizuara e të punuara enkas. Ndërsa për sa i përket Shqipërise, Oclectic Art, gjehet në çdo kohë, te “Nji Mar, Nji Mrapsht”, në Tiranë ku mbi 70 artistë shqiptarë të punimeve me dorë, vijnë me krijime nga më të ndryshmet, funksionale dhe dekorative, shumë prej të cilëve, me bazë riciklimin. Nji Mar, Nji Mrapsht, kujdeset gjithashtu që Oclectic Art, të marrë pjesë në panaire të ndryshme artistike të së njëjtës tematikë ose natyrë që zhvillohen brenda vendit në rang lokal apo kombëtar.
revistaclass.a


Leave a Reply