Ajo shqiptare, ai italian, ajo një ish-modele, ai një mashkull në biznes, një çift që duket sikur sapo ka dalë nga kopertinat.
Një njohje që nis me një kërkesë miqësie në Facebook, por që brenda ka gjithë detajet dhe romancën e nevojshme për të na mbajtur frymën. Që nga shikimet e zgjatura apo puthja e vjedhur e deri në propozimin për martesë, Genta na bën pjesë të rrëfimit të saj të bukur të dashurisë, duke na kujtuar se rastësia është mbret i botës, kurse dashuria, ajo që e bën botën të rrotullohet.
Njohja ime me Daviden ishte deri diku e rastësishme. Ai më kishte parë në festën e një shoqeje të përbashkët, por unë nuk e kisha vënë re. Të nesërmen më bën një ftesë në Facebook dhe unë që zakonisht nuk ua pranoja ftesën personave të panjohur, nuk e di pse atij ia pranova edhe pse kishte 10 ditë në pritje. Ndoshta sepse kishte një fotografi tërheqëse në profil. Pasi më kuriozoi kjo foto dhe po shihja të tjerat, vë re që shoqja ime, Veronika, me të cilën ishim atë ditë në plazh, e kishte tek miqtë në Facebook dhe e pyes: “E njeh këtë djalin? Ajo më pohoi dhe më tha se kishte qenë madje edhe atë ditë në festën e saj. “Ok, shumë i lezetshëm!”, i thashë. “Mua nuk më pëlqen dhe aq shumë”, m’u përgjigj ajo. “Më mirë”, ia ktheva.
Pranova ftesën dhe ai pas një minuti më shkruan në privat. “Përshëndetje, më bëhet qejfi që pranove ftesën, pasi po bëhen shumë ditë që ta kam bërë dhe mendova që nuk do ta pranoje më”.
Vazhduan bisedat normale të tipit: “Me çfarë merresh, ku jeton, etj.” (sikur ai nuk i dinte, ishte informuar më parë, por e mora vesh më vonë)… derisa më kërkoi të shiheshim për një kafe.
E pranoj…vendosëm që të merrnim një aperitiv, por ai jetonte në Romë, kurse unë 45 minuta larg. Kur e pashë tek bari afër njërit prej dyqaneve të tij, ku kishim lënë takim, thashë: “ Ëoë!” Drejt meje po vinte një goxha mashkull, fiks për mua”.
Në vazhdim, aperitivi i orës 7 u bë darkë edhe pse unë supozohej të ikja në një ditëlindje me Veronikën dhe një shoqen tonë, por e mora në telefon dhe i thashë: “Të vjen keq nëse nuk vij sepse më doli një e papritur?”, ndërkohë që ajo dinte gjithçka për mua. Nuk i fola për “të papriturën” pasi nuk do ta besonte që unë kisha pranuar për kaq pak kohë një takim. I thashë vetëm të mos bëhej merak sepse do t’i tregoja pastaj.
Dhe kthehemi tek aperitivi që u bë darkë… Darka ishte shumë e bukur, në një liqen afër Romës, gjithçka perfekte, emocione kur hanim, shikime të zgjatura… Nuk harroj puthjen e vjedhur atë natë…Ai shkoi në tualet, u kthye në tavolinë dhe më kapi kokën duke më dhënë një të puthur të patritur. Mbeta si e ngrirë dhe akoma pa e marrë veten mirë, i thashë: “Po kjo??! Nuk vlen”, por me mendje po thoja “Sa shije e mirë”. Ai kërkoi falje duke u shfajësuar se bëri atë që i tha mendja. “Kështu e ndieva, megjithatë, kërkoj ndjesë”, më tha.
Këtu nis edhe historia jonë. Pas një muaji ai kërkonte të jetonim bashkë dhe aty filluan problemet.
Unë kisha filluar punën ku po bëj 3 vjet e gjysmë që jam tani dhe synoja të bëja karrierë, ndaj dhe mendoja vetëm për punë. Pastaj nuk e mendoja të bashkëjetoja në kaq pak kohë që njiheshim. Ai këtë gjë nuk e pranonte pasi ishte mësuar që në lidhjet e tij të mëparshme, asnjëra nuk i thoshte “jo”.
Zënkat tona për këtë motiv ishin të shpeshta. Përpiqesha ta bëja të kuptonte që unë jam shqiptare dhe para se ta pranoja jetesën me të, duhet të dija kush ishte ai në të vërtetë.
Njohja jonë zgjati përreth 8 muaj, kohë gjatë së cilës gjithçka ishte shumë intensive me emocione të forta, me pushime në gjithë Evropën, me përjetime të bukura deri në… propozimin për martesë. Por të tregoj këtë pjesë, më duhet një artikull i tërë për ta përmbledhur ndaj po e shkurtoj duke thënë që më kërkoi të martoheshim në Sardegna, në suitën e një hoteli shumë të njohur të Porto Cervo, kishte bërë surprizë darkën në dhomë dhe para se tē darkonim me asistencën e një kamerieri vetëm për ne atë natë, në një nga pjatat, hapi kapakun dhe më nxori kutinë me unazën duke më pyetur nëse doja të isha nusja e tij. Sigurisht që pranova. Edhe pse kishim vetëm 8 muaj të lidhur, ndodhi që kjo të ishte një lidhje e jetës.
Ndërkaq vazhdonte kërkesa e Davides për të jetuar bashkë dhe ne nisëm të kërkonim shtëpinë tonë. Deri ditën e bashkëjetesës me mua, ai kishte marrë çdo gjë që kishte dashur, kurse me mua ishte ndryshe, me mua çdo gjë ndodhte në kohën e vet.
Vijmë tek hera e tij e parë në Shqipëri… Takimi me prindërit e mi ishte për të gjëja më e vështirë. Ta shikonit si rrinte tek shtëpia ime ditën e parë, ishte një emocion i papërshkruar, pasi në një vit ai nuk e ka njohur familjen time, por e dinte se për mua ata ishin gjëja më e shtrenjtë dhe se të arrinte të hynte në familje, do të thoshte shumë për mua. Sot prindërit e mi duan më shumë atë se mua.
Një vit më pas, më 1 tetor 2016, unë dhe Davide u martuam. Dita e dasmës ishte dita më e bukur e jetës time edhe pse emocionet ishin të shumta. Nuk e besoja kur e dëgjoja, por sot mund ta them me bindje të plotë se është dita më e bukur, por dhe më e stresuar për një nuse. Sot kemi një jetë normale, me shumë emocione, me punët respektive që na marrin shumë kohë, me pushime, me darka familjare, me darka shoqërie dhe me shumë momente të ëmbla vetëm për ne të dy, që nuk mungojnë kurrë. I kemi dhënë vetes një vit kohë për ta shijuar periudhën bashkë, pastaj të mundohemi të bëhemi prindër. Me ndihmën e Zotit./konica.al


Leave a Reply