Në 10-vjetorin e parë të jetës Universiteti Europian i Tiranës ka botuar disa revista shkencore, përmes së cilave studiuesit dhe akademikët kishin mundësi përdorimi të informacioneve të rëndësishme rreth zhvillimeve të fundit në fushat e tyre.
Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj thotë se botimi i tyre ka rëndësi për cilësinë e universitetit dhe “kjo u vlerësua dhe nga ekspertët britanikë që bënë vlerësimin e institucionit para disa javësh”.
Në dekadën e dytë të jetës këto revista do të strukturohen vetëm në dy të tilla; Economicus dhe Polis dhe do të dalin në gjuhën angleze duke iu përshtatur kështu standardeve ndërkombëtare.
Revistat e botuara nga viti 2006 deri në 2016-ën janë Jus&Justicia, Economicus, Polis, Sociological Analysis dhe Educatio. Këto revista janë në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, të studentëve, si dhe të gjithë të interesuarve në fushat e drejtësisë, ekonomisë, shkencave sociale dhe të edukimit. Krahas përkthimeve dhe literaturës studimore, pjesë e tyre janë dhe punimet shkencore të studiuesve të ndryshëm, si dhe të pedagogëve të UET-it. Spektri i revistave është nga më të pasurit për sistemin universitar në Shqipëri dhe periodikët shkencorë janë shndërruar në pikëmbështetje për prodhimin dhe publikimin e veprimtarisë kërkimore shkencore në UET.
Janë botime prestigjioze, me objekt studimi në shkencat sociale, ekonomike dhe drejtësi, që botohen dy herë në vit, nga UET PRESS, si organe të fakulteteve dhe qendrave kërkimore shkencore në UET. Të gjitha këto revista janë akredituar me statusin “Revista Shkencore” nga organet përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
polisPolis
Polis është e para revistë e UET, si botim i Fakultetit të Shkencave Sociale. Ajo u drejtua në themelim të saj prej Blendi Kajsiut, për të vijuar me një seri numrash të karakterizuar nga një qasje kritike dhe analitike e thelluar, derisa kjo detyrë do t’i kalohej Odeta Barbullushit, që kontribuoi për t’i dhënë revistës një trajtë sistematike dhe tanimë Belina Budinit, që e ka orientuar revistën drejt punëve kërkimore të mirëfillta dhe analizave me impakt brenda dhe jashtë radhëve universitare. Që në numrat e parë, “Polis” ka trajtuar tema njëherësh të rëndësishme dhe provokuese, si për shembull Provincializimi i Europës dhe debati publik mbi integrimin europian; Euroskepticizmi, Norma europiane dhe opinioni lokal; Hibridizimi i hapësirës politike në Shqipëri; BE dhe rivaliteti i brendshëm politik në Europën Lindore dhe Qendrore; Demokracia nga populli dhe zgjerimi i BE-së; Shoqëria informale; Ndërkombëtarët dhe demokratizimi; Kriza e përfaqësimit; Korrupsioni në Shqipëri; Politika e jashtme e rikonceptimet për shekullit XXI; Media dhe politika; Tranzicioni dhe Shkencat Sociale; Kulturë versus Politikë etj.
justiciaJus & Justicia
Jus & Justicia nisi botimin në vitin 2008, nën drejtimin e juristit të mirënjohur, dekanit të Fakultetit Juridik prof. dr. Ksenofon Krisafi, për të trajtuar të tjera çështje e hapur të tjera debate, që këtë herë kishin të bënin me drejtësinë. Revista u konceptua për të shërbyer si periodik në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, studentëve, por edhe të punonjësve të praktikës, në Fakultetin Juridik të Universitetit Evropian të Tiranës dhe do të shërbente vit pas viti si një arenë e shfaqjes së mendimeve për çështje të doktrinës dhe të praktikës juridike, të së drejtës, të drejtësisë etj. Dalja e këtij botimi, ashtu si në rastin e “Economicus” do të shoqërohej me një tjetër ngjarje zhurmëmadhe, me konferencën shkencore “Drejtësia ‘90 + 17”, që do të shënohej më pas në historinë e universitetit si një ndër aktivitetet e para shkencore të fakultetit Juridik e që sot mund të konsiderohet si një nga bërthamat e të ashtuquajturës “Reformë në Drejtësi”, sepse aty u bënë shumë propozime interesante për defektet e sistemit deri në vitin 2007. Pikërisht analiza dhe përfundimet që dolën prej kësaj konference, u botuan në numrin e parë të revistës “Jus & Justicia”, ku titulli kryesor ishte “Gjyqësore ‘90+ ’17 sfidat e reformimit”.
educatioEducatio
Në dhjetor të 2012-ës, kolanës së revistave shkencore iu shtua dhe një tjetër titull, një tjetër botim, në format ndërkombëtar, në fillim vetëm në anglisht, ndërsa një vit më pas edhe në shqip. Edhe kjo revistë do të kishte si qëllim, ashtu si simotrat e saj, ngjalljen dhe zhvillimin e debatit akademik e publik, këtë herë prej një tjetër fokusi: shkencat e edukimit dhe psikologjisë. Revista do të fillonte të nxiste debate mbi çështje të
rëndësishme të shkencave të edukimit në ditët e sotme si: metodologjia, motivimi dhe arsimimi. Revista do të nxiste dhe forume, ku do të evidentoheshin punimet shkencore të stafit akademik, të studiuesve dhe akademikëve brenda e jashtë vendit, ku do të diskutoheshin shqetësimet e përbashkëta në rrafsh lokal, kombëtar, ndërkombëtar apo transnacional në shkencat e edukimit, çka do të mundësonin botim pas botimi një burim shumë të rëndësishëm për akademikët, këshilluesit, administratorët, hartuesit e kurrikulave dhe kërkuesit shkencorë.
sociological analysiesSociological Analysis
Në vitin 1998, një grup akademikësh shqiptarë botuan të parën revistë sociologjike në historinë shqiptare. E quajtën “Sociological Analysis” (Analiza sociologjike) dhe kryeredaktor i saj ishte dr. Fatos Tarifa. Ajo u shtyp në Chapel Hill, Karolinë e Veriut dhe botohet në gjuhën angleze. Në vitin 2008, redaksia e revistës Sociological Analysis u shpërngul në Shqipëri duke u asociuar me Universitetin Europian të Tiranës. Sa u themelua si përgjigje e zhvillimeve në Shqipëri, në Ballkan dhe pjesën tjetër të botës në shek. XXI. U organizua si institucion eksperimental social për të nxitur të menduarit e ri, promovimin e tolerancës e për të vepruar si forum serioz për shkencëtarët e shkencave sociale- në Shqipëri dhe vende të tjera- që sillnin bashkë njohuritë teorike dhe rekomandimet praktike dhe të bënin me zë opinionet e tyre në çështje të shumta me të cilat përballej shoqëria shqiptare sot, ashtu edhe për ato të shoqërive fqinje, si edhe një komunitet më të gjerë kombesh. Një nga mendimet e stafit redaksional të SA është se, ekziston një sasi domethënëse e kërkimit me vlerë sociologjike dhe dijes së prodhuar nga shkencëtarët shqiptarë, të cilët nuk mund të arrijnë me lehtësi në revista ndërkombëtare. Një qëllim ishte të sigurohej një kanal për punë cilësore akademike të shkruar nga sociologët shqiptarë. Duke botuar punën e tyre në gjuhën angleze në SA, akademikëve shqiptarë mund t’ju njihen përpjekjet dhe arritjet ndërkombëtarisht në një mënyrë vërtet profesionale.
MAPO. AL


Leave a Reply