SHPELLA E MERMERTE E GADIMES
Shpella e mermertë e Gadimës, në afërsi të komunës së Lipjanit në Kosovë, po impresionon çdo ditë e më shumë turistët dhe speleologët, duke i sfiduar me mrekullitë e saj, shpeshherë të pashpjegueshme. Shpella e mermertë, me stalaktite dhe stalagmite të kristalta është e vetmja e llojit të saj në Evropë.
Shpella 80 milionë vjeçare u zbulua rastësisht nga një fshatar i zonës, në vitin 1964. Aktualisht 1350 m katrore të shpellës janë të eksploruara dhe mund të vizitohen nga turistët. Por qindra sipërfaqet tjera mahnitëse ndodhen nën shpellë. Sipas eksperteve, poshtë saj gjenden më shumë se 25 liqene, në të cilat mund edhe të lundrohet nëse do të investohej. Mbi shpellë, në katin e dytë, ndodhen sipërfaqe të tëra me kristale edhe më të veçanta, por të paeksploruara tërësisht. Në këtë shpellë janë gjetur edhe fosile, por për shkak të studimeve të pakta, asnjë nuk mund të thotë nëse ajo dikur ka qenë e banuar. Një nga veçoritë me interesante të shpellës së mermertë janë stalaktitet dhe stalagmitet. Një milimetër i tyre zhvillohet për 30 mijë vjet. Por ajo qe e bën edhe më të veçantë janë kristalet të cilat degëzohen edhe horizontalisht, duke vënë në dyshim edhe ligjin e gravitetit. Kjo dukuri nuk është mundur të zbërthehet nga speleologët. Temperatura konstante e saj në dimër dhe në verë është 15 gradë Celsius . Në këtë shpellë banorët e përhershëm janë vetëm lakuriqet e natës, peshqit dhe bretkosat. Por nuk mungojnë edhe turistët. Formave të ndryshme të krijuara ndër vite nga vërshimet e ujërave, banorët vendas i kanë dhënë edhe emra. Diku shihet harta e Kosovës, një formë peshku, këmbët e elefantit, mjekra e Skënderbeut e shumë të tjera. Madje në shpellë ekziston edhe një vend në formën e sallës ku zhvillohen koncerte, videoklipe
Mrekullitë e shpellës se mermerte po tërheqin vëmendjen e mjaft turisteve, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për autoritetet kosovare, të cilat e kanë lënë në harrese një pasuri të rrallë të natyrës, duke mos investuar. /vizionplus/


Leave a Reply