Dr. Përparim Kabo
Nga vjen Eda Zari? Si artiste ajo është formuar në një nga universitetet e Kölnit, qytetit të Domit madhështor, atje ku Emanuel Kant-i kalonte çdo ditë dhe të gjithë borgjezët rregullonin orën që shënonte 11 e paradites.
Është Kölni, ku në prag të Luftës së Dytë Botërore, kryetar i bashkisë ishte Konrad Adenauer. Ai ishte asokohe nga qytetet më të mëdha dhe që pësoi një zhvillim ekonomik me ndërtimin e infrastrukturës së Nord Rein Westfali. Hitleri e arrestoi dhe e dënoi, sepse ai ishte kryebashkiaku i Kölnit i Republikës së Weimarit. Pas luftës ky personalitet rivjen në pushtet si kancelar me 14 vjet në këtë post, 2 më pak se Helmut Kohl, kancelari i bashkimit të dy Gjermanive. Porse mrekullia ekonomike gjermane pas luftës ishte meritë e Adenauerit dhe ministrit të Ekonomisë L.Erhard.
E ofrova këtë parantezë për të kuptuar se të shkoje në Hochschule für Musik and Tanz në Köln që të studioje, ishte një dëshirë e përligjur.
Të pranoheshe atje me konkurs, kjo është diçka tjetër, e vështirë, por jo e pamundur. Lypej talent, profesionalizëm, kulturë dhe vullnet, sepse rruga e përgatitjes dhe e formimit do të ishte e gjatë dhe e mundimshme, me sfida dhe enigma që mund edhe të të rrëzonin. Eda Zari trokiti atje dhe e hapi derën, jo me dorë apo me buzëqeshje, por me zërin e saj, me talentin dhe aftësitë e lindura natyrore, por edhe të ushqyera në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Ajo që nuk ishte pranuar në konkursin e Institutit të Lartë të Arteve, sepse nuk kishte “biografi politike” për kërkesat e regjimit, do të hapte portat e një universiteti gjerman. Refuzimi i hidhur ideologjik, që nëpërkëmbte nën peshën e frikës dhe servilizmit, pikërisht kur diktatura po lëshonte frymën e fundit, një talenti të rrallë, një potenciali që do të shpërthente, zgjodhi për vete me apo pa dashje një dëshmi turpi.
Një piktor i ri, (vëllai i ndjerë i Eda Zarit, shpirti iu prehtë në paqe) i ishte prerë jeta në mes në lule të rinisë. Trupi i tij ishte kthyer në kavaletin e tragjikes, ndërsa gjaku i pastër dhe ëndërrimtar kishte hedhur me “penelin e ëndrrës mesprerë” bojën e shpirtit, trupit dhe talentit që u tret bashkë me frymënxjerrjen e fundit në një zonë ndërkufitare, që ishte më shumë se aq. Ai ngeli atje ku ndaheshin jo thjesht dy vija kufitare, apo dy shtete. U engjëllizua pikërisht në atë vijë dallimi ku ndaheshin, tirania me lirinë. Ëndrra e tij edhe si një “amanet” i heshtur udhëtoi drejt metropoleve të artit prej të motrës, Edës.
Sot Eda Zari është personalitet i atij qyteti, i cili do të ishte jokorrekt nëse qoftë edhe për një çast, do të lajthiste dhe të mos kujtonte, se në kurrikulimin e tij të dekadave të fundit, ka si krijim dhe vlerë, artisten me origjinë shqiptare, Eda Zari. Po rikthehej tradita e vajzave shqiptare që kanë një bukuri shpirtërore të rrallë dhe që dinë të këndojnë me vlagën dhe patosin e shpirtit. Në fillim të shekullit XX u kthyen në Shqipëri nga studime të belcantos (ato u bënë edhe interpretuese të këngës popullore) Tefta Tashko që kishte studiuar në Paris, Marie Kraja (u mbushën 100 vjet nga lindja e saj) që kishte studiuar në Graz të Austrisë dhe Jorgji Truja që kishte studiuar në Konservatorin e Romës. Këto ikona të kulturës shqiptare në fushën e të kënduarit, e lëvruan edhe këngën burimore duke e nxjerrë atë nga amatorizmi rural dhe urban (aq sa kishte jetë urbane në atë kohë) dhe duke e shpënë në nivelet reale të artit profesional. U realizuan incizimet e kohës duke ruajtur identitetin e tyre absolut, larg deformimeve orientale apo sllave, greke apo gjithfarësh. Me këngën burimore, të fshatit apo të qytetit, janë marrë edhe këngëtarë të tjerë, nga jugu dhe veriu i Shqipërisë, nga qytete të vogla, por edhe nga ata të mëdhenj dhe me traditë. Në gjykimin tim, një tjetër personalitet që ka kënduar me art dhe profesionalizëm të një estetike të kultivuar në mënyrë akademike, është Nexhmije Pagarusha. Ajo studioi në Beograd dhe kultura e saj muzikore dhe interpretative lanë gjurmë si shenjë serioze të një personaliteti unikal.
Atëherë kur u mendua se kjo traditë e vyer, kjo trashëgimi e krijuar me investime disa dekadëshe dhe me punë e përkushtim po humbiste, (sepse liria që erdhi në Shqipëri pas vitit 1990 u shoqërua me keqkuptime ndaj saj, çka solli dëmtime dhe përçudnime të kulturës muzikore dhe interpretative) pikërisht në këtë kohë, fati dhe mjeshtëria personale na solli në skenë një këngëtare shqiptare të këtyre përmasave dhe më gjerë. Shfaqet Eda Zari. Kanionet e Këlcyrës dhe lumi Vjosa ishin në dejet nënësore të saj.
Ëmbëlsi, qyteti i trëndafilave, shpirtra të butë, njerëz gojëmbël dhe shpirtbardhë, të qetë dhe me kulturë. Fjalët e ngrohta të gjyshes që dukeshin si psalme që mjekonin plagët e shpirtit dhe ushqenin mirësinë e humanizmin, kishin lënë gjurmët e nevojshme në ndërgjegjen, përfytyrimet dhe subkoshiencën e Eda Zarit. Nga gjaku i qumështit nënësor ishte familja Lela, muzikantët e famshëm të Përmetit. Edukimi muzikor paskësh qenë frymëmarrje, sepse edhe kur njeriu fle, vetëm fryma dhe zemra nuk bëjnë pushim. Ja përse unë nënvizoj që Eda Zari rrjedh si një lumë muzikor, është Vjosa muzikore. Kjo trevë e Frashërit dhe Dangëllisë ka në vetvete si strukturë historike një shumës-shtresëzimesh kulturore. Është mjaft joshës, emri i gjyshit të Edës nga e ëma: Manolis, por që në një ambient Bektashi të zonës, ai ishte tkurrur në Mane, emër njeriu mjaft i shpeshtë në atë zonë.
Ky rit humanist i myslimanizmit kishte brenda vetes përveç idenë e atdheut kombëtar dhe një procesioni më ndryshe nga islami fundamental. Ndërsa në klimën shpirtërore kishte nga ‘Qerbalaja’ e Naim Frashërit, pra një aromë të lindjes në përgjithësi dhe të kulturës persiane në veçanti. Por pas 1492-it kemi dhe një shpërngulje të hebrenjve të Spanjës që vendosen në Selanik, në bregdetin e Jonit shqiptar dhe në brendësi deri diku.
Falë të dhënave të një studimi të pemës gjenealogjike për familjen nga nëna e Eda Zarit, //////////////////////probalitetet në arsyetimet njohëse ende të padefinuara në pragfund, rezultojnë disa argumente që presin vërtetimin final të rrënjëve të saj. Ndoshta është për këtë arsye që Eda Zari udhëton shumë si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, në Afrikë dhe atje ku priten tre civilizime në Palestinë ose në Izrael, te Rripi i Gazës dhe Muri i Lotëve.
Përtej obligimeve artistike, unë gjykoj se ka një kundra-rrymë drejt atyre baseneve të kulturave që kishin mbërritur dikur në atdheun e saj //////////////////“nativ”. Multikulturalizmi është më shumë se tipar tek antropologjia shqiptare, është atribut, sepse të jetosh për 1944 vite në tre perandori nuk është pak. Madje në Bizant ne kemi edhe kontribute muzikore, pasi kompozitori i Perandorit dhe këngëtari i parë i Oborrit ishte Jan Kukuzeli nga Durrësi. Ai u syrgjynos në malin e murgjve, porse enigma muzikore bizantine është e pranishme edhe në trevat shqiptare.
Studimi i kësaj influence të shtresëzuar tektonikisht në materialin e shpirtmuzikës shqiptare, është shpimi në një mineral që pret sondën kërkimore të laboratorit të ringjalljes dhe sjelljes me estetizëm artistik. Profesor Eqerem Çabej, është shprehur se: “Në kohën e mesme ka ndihmuar në formimin e njësive ballkanike sundimi i gjatë i Bizantit me kulturën e tij gjysmëorientale e në gjuhësi me gjuhën e kishës greke që u përhap në më të madhen pjesë të Ballkanit. Shtresëzimet antropologjike ku ka vijueshmëri tiparesh, tre dhe maksimumi pesë breza antropologjike, dhe nënshtresëzimet më të thella që nuk humbasin porse vijnë si jehona të brendshme, ndërtojnë antologjinë shpirtërore dhe antropoartin e fshehur njerëzor.
Në rastin e këngëtares Eda Zari ato janë e brendshmja e saj magmatike, ose si e përkufizoj unë, Tingulli i brendshëm ekzistencial. Oshëtimi i jashtëm muzikor (e quaj të tillë se ai fillimisht vjen nga brenda qenies dhe trupit të artistit) është njëherësh udhëtim i brendshëm te vetja, te gjeni yt i veçantë, identifikues, që është konkret, por edhe historik, është i rrokshëm, por edhe tejet i thellë që mbërrin në sipërfaqe pa lejen tënde, ashtu si jehonat që të gëzojnë, por ti burimin nuk ua di. Një realitet i tillë në shpirtin krijues të artistit është një çast, është krijim dhe shprehje e vetes nga thellësia e rrënjëve dhe nga muzika e brendshme e këngëve të etnogjenezës të pakënduara më parë. Është për këtë arsye që krijues muzike të së njëjtës kohë apo periudhe, kanë produkt muzikor të ndryshëm dhe tejet të dallueshëm, paçka se epoka dhe problemet e saj janë po ato, të njëjtat, ndërsa ata janë i njëjti brez njerëzor përballë tyre. Muzikantët e vërtetë kanë staturën e filozofëve, sepse kur janë krijues të saj ata shpalosin ide dhe frymëzime të mëdha, kur janë interpretues të saj e rikrijojnë veprën duke zbuluar idetë e saj përmes një përjetimi krejt të veçantë. Ata shërbejnë si udhërrëfyes për të kuptuar muzikën. Edhe kjo ka brenda një akt krijimi. Jam i bindur që në të gjitha gjuhët e botës për këtë institucion, përjetimin me anë të tingullit harmonik, përdoret i njëjti term, muzikë… Muzika është një muzë që vendos raporte njohëse dhe komunikuese mes hyjnores (të papërlyerës) dhe tokësores, ose në një kuptim tjetër, është një lloj bisede virtuale më atë që nuk duket, nuk preket, por ndihet si spirituale, si krejt ideale dhe shpirtërore, që lëviz brenda qenies dhe nuk mund të preket fizikisht, është e njëjta gjë si me mendimin.
Por në këtë rast, në vend që të kemi fjalën (përmbajtjen e saj) dhe konceptin (forma teorike e të shprehurit) kemi tingullin si kuptim muzikor dhe notën muzikore si materializim të saj, si një transkriptim kuptimor teorik komunikues. Në rastin e këngës duhet që veç harmonisë muzikore, si largësi e saktë matematikore e dridhjeve apo vibrimeve, si edhe është shprehur së fundmi në një studim, “Instituti i Studimeve të Tingullit dhe Harmonisë” në Kanada, të garantohet gjithashtu një harmoni e trefishtë mes asaj muzikore, fjalës së artikuluar dhe ndjeshmërisë së shkrirë tingullfjalë-fjalëtingull, dhe kjo “mishelë” të harmonizohet me orkestrimin duke u shndërruar në art për të dy palët, këngëtarin dhe bandën nga njëra anë dhe dëgjuesin nga ana tjetër.
Shkelja e butë me mirëkuptim dhe shkrirje ndër civilizimeve të ndryshme në rrjedhat historike, janë prezente dhe në shpirtin e në artin vetëm të artistëve dhe jo gjithkujt që është futur në “vathën” e artit për t’u punësuar.
Te ngjyrimi i zërit të Eda Zarit, te tingulli muzikor dhe jehonat e jashtme dhe të brendshme, te fryma që shoqëron tingullin e saj dhe përsiatjen e fjalës si ndjeshmëri, te performimi dhe ngjyra e notave muzikore, veshjes, të sjellit në skenë dhe ndriçimit, ka multikulturalizëm që konfiguron diagramën e vet historike si në boshtin vertikal të udhëtimit nga gjeneza etnomuzikore deri te prezenca në ditët tona, ashtu edhe atë horizontal, që jep të dhënat e komunikimit multikulturor të sotëm, si përmbajtje, si formë dhe instrumentalizim i komunikimit përmes artit muzikor në përgjithësi dhe të kënduarit në veçanti.
“Nga pikëpamja historike, mëton profesor Eqrem Çabej, përhapja e Ilirëve nga Perëndimi gjer në Lindje të Gadishullit dhe përhapja e Trakasve nga lindja gjer në Perëndim pat sjellë qysh në kohët e lashta të antikitetit një rrafshim të ndryshimeve nacionale”. Në këtë këndgjykim është e bazuar të themi se Eda Zari për fatin e saj të mirë dhe të kulturologjisë në përgjithësi, është e blatuar me këtë multikulturalizëm ballkanik muzikor, përbërësit e të cilit kanë dhënë e kanë marrë te njëri-tjetri pa kërkuar certifikatën e hipotekimit në një ndarje me thikë të “sinoreve” muzikore.
Pas vdekjes së Ramadan Sokolit dhe një mënjanimi që iu bë studiuesit Piro Miso, kam frikë se pakkush, ose askush po merret me etnomuzikologjinë. Vaso Tole-n e shoh më shumë si akademik sesa produktiv, Sokol Shupo është komplet i tërhequr në jetën e mësimdhënies universitare.
Etnomuzikologjia është pjesë thelbësore e antropologjisë sociale dhe asaj kulturore në veçanti gjithë po aq.
Nëse në planin e studimeve teorike dhe eksperimentale kemi këtë qetësi jo shumë të pranueshme, në “atelienë” e krijimit kemi një personalitet që jo thjesht këndon me mrekulli interpretative, por me atë që po bën për risjelljen e këngëve të traditës të të gjitha trevave, të Jugut, të Shqipërisë së Mesme, të veriut nga Shkodra deri në Kosovë, në frymën e gëzuar të 100 viteve pavarësi, Eda Zari po shpëton që të mos humbasë, keq trajtuar nga heshtja apo dhe nga përçudnimi komercial, kulturën tonë burimore në etnomuzikologji. Ajo ka rimarrë të këndojë ato këngë të moçme shumë prej të cilave janë po aq të vjetra mos më shumë se pavarësia e vendit.
Shekulli i ri ka nisur me këtë fenomen muzikor, të kënduarit Zarian.
Në strukturën e saj gjenetike dhe rrjedhgjakun venave, Eda Zari është edhe një vajzë nga Tirana, kryeqyteti, kjo trevë me njerëz tolerantë por qejflinj për “ahengun” në kuptimin më të mirë të kësaj fjale.
Mbiemri Duka është provokues. Fjala Duka(t) që gjendet edhe në treva të tjera (në Vlorë ka edhe një fshat me këtë emër) dhe lidhet me periudhën e Venetikut. Është dukati i florinjtë si monedhë. Dukë-a, është edhe titull nga hierarkia e titujve në kulturën shtetërore franceze. Anzhuinët kanë një sundim relativisht të gjatë në Shqipëri në shekullin XIII, me shtrirje deri në Jug. Në vitin 1268 ata kishin pushtuar Vlorën, Durrësin dhe territoret mes tyre, pra edhe Tiranën. Duke mos dashur të futem në një hulli që na largon nga objekti ynë, dhe në mungesë të të dhënave të plota të pemës së saj gjenealogjike nga i ati, është e udhës të ndalem tani për tani me këto hamendësime. Qëllimi im lidhet me trajtimin antropologjik që unë u bëj fenomeneve dhe njerëzve, dukurive dhe ngjarjeve. Ka kuptim të themi që pema nga qumështi nënësor dhe lisi atëror i kanë dhënë mundësinë e eksplorimit të trevave me një paradhënie trashëgimie dhe një jete në ambientin familjar ku takohen fillimisht kënga dhe të kënduarit. Të njohësh dialektin përmetar të të folurit dhe të kënduarit do të thotë që të kesh si pasuri të hipotekuar aftësinë gati të lindur për të artikuluar drejt dhe në linjën e tyre të muzikalitetit origjinal tingujt zanorë të fjalëve që përdoren në jugun e Shqipërisë.
Nëse nuk e ke aftësi që të flasësh në dialekt, rasti konkret atë përmetar, është e pamundur që atyre fjalëve të qëndisura të këngës popullore përmetare t’u gjesh tingëllimin adekuat që t’i sjellësh si të barabarta me veten.
Kjo duket kur ato këngë i këndon dikush që nuk është nga ajo trevë.
Ka një shfigurim të tingullit të fonemave dhe një largim jo të këndshëm nga muzikaliteti i gjuhës së trevës. Sado të përpiqesh të imitosh, është sforcim që nuk të nderon me realizimin artistik. Eda Zari njeh dialektin toskë, e ka të mëkuar nga nëna dhe sidomos nga e gjyshja. Brenda Eda Zarit po të vesh mirë veshin e të dëgjosh këngën e saj, ka shumë jug, ka ëmbëlsi dhe butësi që të joshin në një finesë ku sharmi dhe sensualiteti janë të shkrirë mrekullisht. Po qe se do të kurajonim të shtronim një pyetje se na kërkohet që “ontologjia e saj shpirtërore” të sillej si një instrument, por vetëm një ama dhe jo më shumë, në gjykimin tim krejt personal, unë do t’ia gjeja sozinë te klarineta. Tingujt e këtij instrumenti më duket se në atë që quhet “Syncopation”- kalimi nga notat e ulëta te notat e larta, mbajnë brenda gjithë arsenalin e ndjenjave nga e qeshura deri tek e qara.
Madje ajo gjendje shpirtërore që sjell pikëllimi, vuajtja, brenga, psherëtitja, gulçi që nuk gjen shteg të dalë, përshpirtja, pendesa, mallëngjimi, dhimbja e thellë, zhgënjimi, kllapia tallazitëse që e përmbys botën në çast, vijnë në gjithë tingëllimën kapilar dhe në rrjetin nervor të hollë të shpirtit dhe trupit nga ky instrument që në zonën e Përmetit e kanë jo thjesht vegël muzikore, porse është “baketa e shpirtit” të orkestruar nën marshin e fatit historik të lashtë që është lëkundur jo pa plagë mes lindjes dhe perëndimit.
Edhe gëzimi nga ky instrument rrjedh me një proizim goxha shkumëzues. Është si një piskamë që vjen nga thellësia e tokës e shkon me mesazh në kupë të qiellit, dhe anasjelltas nga jeta boheme e reve, te psherëtimat e mbytura të orgazmave të nëndheut. Është në këtë dancim gëzimi, ëmbëlsia dhe flladi pjalmues, është çiltërsia dhe drita e syrit që qesh nga thellësitë, është hareja e vajzërisë lozonjare dhe vështrimi djaloshar i të dashurit që dridhet vetëm para hireve të saj. Gëzimi i klarinetës përmetare, gjen një shprehje të përkryer interpretative në gëzimin që fal të kënduarit zarian. Mjeshtrit e mëdhenj të asaj treve të Frashëllinjve e kanë gjetur trashëgimtaren, quhet Eda Zari. Ky është fat edhe për kulturën tonë kombëtare, sepse mungesa të tilla hapin hone që zor të mbushen. Dialekti tiranas i të folurit ku shumë zanore hapen në “spelling out” dhe madje ndërrojnë tingullin e tyre si p.sh. a-ja me o-në, apo rastet kur ka një lidhje zanoresh që shtrihen në gjatësi, p.sh. “o mor jahuuu…”, është një nga format e dialektit geg. Madje, nga studimet fundamentale të autorëve më në zë si George von Hann, Çabej etj, (nuk po ndalem në këtë aradhë autorësh) rezulton se dialekti i ndërmjetëm është ai i Elbasanit që shkrin të dy të folmet e shqipes.
Profesor Rexhep Qosja në studimin e tij për Naim Frashërin, poetin tonë kombëtar, e nënvizon se poeti ka përdorur një dialekt që duket si një shkrirje e të dyve, toskërishtes dhe gegërishtes. Eda Zari ka fatin që të jetë rritur në një ambient familjar dhe farefisnor të tiranasve (tironsve-si thonë ata për veten e tyre) dhe e zotëron këtë të folur në të gjithë ngjyrimin e saj duke pasur gati gjenetikisht një urë lidhjeje me të gjitha ato treva që kanë pasur këtë dialekt bazik në komunikimin oral dhe të shkruar.
Te kënga Hëna dhe Zymbylat (ose si njihet Zymbylat) një këngë e mrekullueshme tiranase, ka një zanore shumë të bukur dhe delikate që do ngjyrim krejt të veçantë dhe përcjellje muzikore mjaft profesionale.
Është zanorja “y”. Ajo artikulohet dhjetë herë në tekst. Gjithashtu “r”-ja e dialektit toskë është e zbutur me “n”-në e dialektit geg. Thuhet “ata dimnin e bojshin verë” dhe jo dimrin e bënin verë. Thuhet “amon” dhe jo aman, ”kënojshin” dhe jo këndonin, “mun aty” dhe jo mu aty, etj.
Ja teksti integral i këngës. Nëse nuk e njeh këtë të folur dhe këtë të artikuluar të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, është në dëmin tënd si këngëtar dhe në dëm të këngës, po qe se guxon ta këndosh. Kur e dëgjon të kënduar nga Eda Zari, magjepsesh, mbushesh dhe frymëzohesh. Është një perlë, gati si një romancë që ka brenda gjithçka, por se mbi të gjitha një korrektesë brilante me tekstin dhe muzikën e tij autentike si tingëllima fjalësh.
Mun aty ke shtat zymylat,
Po kënojshin-o të shtat bylbylat,
Amon amoneee amoneee!
Po kënojshin-o të shtat prij here,
Ata dimnin, ata dimnin e bojshin vere
Eheeej amon!
Napër fusha t’barit-o bylbylo,
O në lule t’beharit-o bylbylo!
O rafsh në gju t’beqarit-o bylbylo!……..
Nënvizoj si përfundim, se Eda Zari ka si pasuri brenda vetes aftësinë të njohë dhe shprehë “muzikën” e fonemave dhe glozave, madje edhe të frazeologjisë lakonike të dialekteve. Është për këtë arsye që ajo është e mirëpritur dhe ndihet shumë ngrohtë si kur këndon këngë të Jugut dhe të Veriut të Shqipërisë, të zonave të Juglindjes dhe Shqipërisë së Mesme, kur këndon këngën qytetare shkodrane dhe atë të trevave të Kosovës.
Është me “destin” që kryqëzimi i prindërve të saj i ka dhënë këtë mundësi ideale të lindur, pasi një aftësi e tillë e mësuar falë ushtrimit, do të ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur.
Mes dy dialekteve ka disa dallime që nuk janë të parëndësishme.
Në dialektin gegë është e pranishme paskajorja (ose infinitive). “Në shumicën e gjuhëve ballkanike,- sillte përfundimin e tij profesor Eqrem Çabej,- është bërë zëvendësimi me lidhoren ndërtuese, psh.: dua të shkoj në vend të due me shkue.” Por në këngën shkodrane që këndon Eda Zari (pavarësisht nga titulli që gjejmë në albumin e saj “Spring in Blue”-konotacioni është për tingujt blu, dhe kjo bën sens), thuhet: “Fillon pranvera me ardh/pranvera nis me kënue/o shpirt sa të du/s’bashku jetën me kalue.”
E nëse kjo këngë kaq e mrekullueshme si një himn dashurie dhe gëzimi natyror, nuk do të sillej me këtë të folme të dialektit, gjithçka do të ishte jo vetja. Aftësia e këngëtares është që e ka brenda këtë dialekt natyrshëm, të rrjedhshëm në frymë, muzikalitet, përjetim dhe transmetim muzikor.
Infinitivi ”me”, është palcor në dialektin gegë. Po qe se nuk e ke familjar, mos e merr mundimin që të këndosh këngë të asaj hapësire të gjerë dhe të pasur etnokulturore dhe etnomuzikore. Në rastet kur në tekstin e këngës ka veprim që lidhet me të ardhmen, ose me futur-in, si edhe thuhet në gjuhësi, dallimet mes dialekteve janë sërish të dukshme.
“Në greqishten e re, bullgarishten, serbo-kroatishten, rumanishten, shqipen,- arsyeton profesor Çabej,- përdoret tipi “do të shkruaj” ose “do shkruaj” në vend të “kam me shkrue” që në disa raste mund të modulohet si “do të shkruej”.
Dialektet arbëreshe të Italisë nuk duhet të braktisen, sepse janë pasuri të identitetit tonë historik. Ato e formojnë futurin – të ardhmen me “ka” ose “ka të “dhe në vetën e tretë ata thonë “ka vete”, “ka të vete”.
Futurin ose të ardhmen me foljen kam, e kanë gjuhët romane perëndimore: frëngjisht në rastin e foljes shkruaj, kemi trajtën j’écrirai, që do të thotë do të shkruaj, por se nëse e shohim në strukturë, kemi këtë formim; écrire+ai, që do të lexohej me shkrue ka. Është pra infinitivi plus foljen kam. Ja përse jo kushdo mund të hyjë profesionalisht dhe pa ciflosur asgjë nga ajo bukuri në këngët popullore të trevës veriore. Ne kemi pasur këngëtarë të mirë që ose kanë kënduar këngë të jugut ose të veriut.
Tefta Tashko ishte një bilbil jugor, Marie Kraja një bilbil verior. Porse nuk mund të ndodhte që t’i bënin të dyja dialektet.
Eda Zari e ka këtë kult shqipërimi muzikor të tingujve të dialekteve dhe nëndialekteve dhe kjo është jo vetëm pasuri e saj, por edhe pasuri kombëtare. Eda Zari është pa mëdyshje, një bilbil mbarëshqiptar.
“Futuri me “do” njihet në greqishten që në kohën e konesë (greqishtja e vjetër e përbashkët),- e vijon arsyetimin profesor Çabej,- e mund të quhet një ballkanizim i vërtetë në fleksion të verbit. Ky është një shembull tipik, që tregon se Shqipëria si në histori, ashtu edhe në gjuhë të saj ka marrë pjesë në botën lindore-perëndimore.” (Eqrem Çabej, Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe, pjesa e parë, faqe 175-176, botimi shqip, Shtëpia Botuese, Botimet Çabej)
Gjithsesi në lëmin e muzikës dhe këngës, trevat tona kanë prurje burimore që janë krejt autoktone dhe në një konservizëm historik kanë mbajtur të pandryshuar thelbin autentik. ”Iso-polifonia shqiptare pa instrument ose monodia e veriut shqiptar me instrumente tejet arkaike janë unikale. Brenda tyre gjen një harmoni universale mes tingullit njerëzor dhe tingujve të natyrës, që herë merren të gjallë si një dekor natyror i jehonës, herë si riprodhim i saj nga vetë njeriu si shenjë respekti për ndjenjat e falura nga natyra në mirëseardhjen që ajo i bëri të birit të saj, njeriut.
Ky dialogim është estetizmi i parë artistik ku natyrorja dhe njerëzorja pikëzohen në mënyrë të tillë sikur e dyta merr stafetën nga e para”.
(Libri Tingull, faqe 291, autori, P.K, botimi shqip).
Adresuar në mënyrë eksplicite tek “Isopolifonia pa instrumente”, preferoj të citoj në ligjëratë të drejtë një pasazh nga fjala e Zotit KoïChiro Matsuura, ish-drejtor i UNESCO-s në 25 nëntor 2005: “The Iso-poliphony is a highly elaborate musical genre mainly performed by the Tosks and Labs of Southern Albania. This mountainous region gave rise to a unique culture, in which became an expression of cultural identity.”
Në shpinë të Përmetit është krahina e Lunxhërisë që është toske dhe e këndon këtë lloj kënge si burrat dhe gratë, veç e veç, por edhe së bashku.
Kjo këngë jo thjesht si jehonë matanë malit, por edhe si marrëdhënie njerëzore në raste dasmash dhe vdekjesh, përbën një urë komunikimi dhe shkëmbimesh. Kështu që gjurmë të kësaj kulture polifonike i gjejmë edhe në ato zona ku isopolifonia është e shoqëruar edhe me instrumente.
Unë gjykoj se natyra në interpretimin e Eda Zarit është një “landscape” që ka të gjitha ngjyrat dhe është e mbushur me dritë, me kontrast, me shpirt, me ekzotizëm dhe trill dashurie e ankthi. Ky lloj përjetimi flet për kulturë të gjerë dhe profesionale në fushën e pikturës dhe letërsisë, adresuar thekshëm te poezia. Është një lloj “kutelizmi” dhe “lasgushizmi” poetiko-muzikor. Ky tipar unikal i saj, është edukuar porse ka edhe një lidhje si enët komunikuese mes mjeshtërve të fjalës dhe mjeshtres sonë të këngës dhe interpretimit të saj, zonjës Eda Zari. Timbri dhe timbrika e saj është në një bivalencë të tillë që të emocionon së kënduari dhe frymëzon me fjalët e kënduara. Kemi të bëjmë me një dikotomi fjalë-muzikë.
Edhe në kambanën e saj të të kënduarit, ku shpirti është kambanorja dhe gjuhëza është zëri i saj që përplaset ëmbël, është e gdhendur shpirtërisht fraza që gjendet në kambanat e kishave: “Vivos voco, mortuos plango”.
“Thërras të gjallët, qaj të vdekurit”. Ndërsa si kreshendo e këngës së saj është një tis gëzimi që herë trashet si re qiellore dhe herë darovitet si mjegull e bardhë, duke shkruar në ajrin gjithëkohor fjalët magjike:
”Vivamus, atque amemus.”- “Jetojmë, le të dashurohemi!”
Kënga e dashurisë te zëri dhe fryma e Eda Zarit vjen si një universalitet i apokaliptimit të dashurisë njerëzore, sepse gjithçka qysh nga një puthje, sytë apo buza vajzërore, një shikim, një vegim, një pritje, apo një ecje e lehtë drejt dashurisë, merr një detajim gati kapilar dhe një përshpirtje që vjen nga thellësia e qenies si përbetim shekullor. Zarianizmi si mënyrë të kënduari dhe dashuria në këngë, duken si binjakë të lindur në një çast pa diferencë asnjë sekondë në kohë. Dashuria këndon këngën e saj dhe ka zgjedhur pas një qëmtimi të hollë si zë të vetin atë të këngëtares Eda Zari.
Bazuar në tekstet mjaft pikante dhe në fabulën e tyre, thekset logjike që jepen në dashurinë si “Toka Incognita”, ku nënvizohen emocionalisht dy elementë, dyshimi dhe mosbesimi. Mund të vërtitemi gjatë dhe hollë që t’u gjejmë një përkufizim këtyre ndjenjave që e shtojnë ankthin dhe padurimin në një histori dashurie, por se mes atyre që mund të krijojë unë dhe atyre që shkruhen, në këtë rast preferoj të dorëzohem tek Oscar Wilde:
“Dyshimi dhe mosbesimi e transformojnë dashurinë në pasion dhe i shkaktojnë tragjedi të bukura që e bëjnë jetën të denjë të jetohet.
Ishte një kohë kur gratë e ndienin këtë, kurse burrat jo. Atëherë gratë sundonin botën”.
Këta tre elemente, pasioni që vjen nga tallazimet e ndjenjës, tragjeditë e bukura dhe që i japin kuptim jetës, si dhe kumti se bota dashurore është femërore, janë mushti i të kënduarit zarian të këngëve të dashurisë. Ai vjen e piqet në një pije aq frymëzuese dhe tejet përdëllenjëse sa të deh në pafuqi! Femra dhe dashuria e saj e brishtë, e sinqertë, delikate, e pastër dhe e dëlirë, gjejnë te “Toka Incognita” e Eda Zarit një himn shpirtëror modestie dhe fisnikërie që e sjell masën njerëzore feminile, në atë që e mban botën në ekuilibër.
Pasioni është i zjarrtë dhe i heshtur, veprues dhe pezm mosveprimi, pritje dhe imagjinatë, dyshim dhe kureshtje, ankth dhe ndjesim i fshehur. Kjo diagramë ndjenjash dhe performimi në skenë tregon se Eda Zari ka kulturë të dramës dhe të performimit skenik, por mbi të gjitha ka një botë shpirtërore jashtë së cilës nuk ka mbetur më gjë. Merita është se di ta sjellë, ta dhurojë, ta japë në një mënyrë të tillë që përpos se është art, çdokush që e dëgjon ndien se ka gjetur frymëzimin dhe gëzimin e paanë njerëzor. Dramaciteti është sa lozonjar aq edhe provokues, por asnjëherë kurth dhe pabesi, sepse Eda Zari e jep ndjesinë e dashurisë të butë, me dinjitet edhe kur dhimbja është fat i pakthyeshëm për atë që është humbur.
Të kuptuarit e botës dhe dashurisë nga një element femëror, nga një grua në dashuri ose në pritje të saj, apo nga një vashë që është plagosur, sepse ëndrra e saj është goditur, lënduar, apo humbur është një mozaik i tillë ndjenjash, është pasuri, është ushqim shpirtëror që e ngre lart figurën femërore dhe kur e gjitha kjo merret me këngën e dashurisë, qielli i brendshëm është më i gjerë dhe i paanë se ai që duket.
Duhet dëgjuar “Toka Incognita” që ta vjelësh këtë ndjesi, ta gjesh këtë frymëmarrje, ta shohësh ëndrrën tënde si muzikë. Dashuria përcillet në këto këngë të bukura popullore në stilin jazz, por se mbi të gjitha ato janë elemente të një kozmogonie shpirtërore. Të qenët mes lindjes dhe perëndimit edhe si ndërtim historik gjuhësor (dialektet) në komunikimin zyrtar, edhe pse ka një lloj përplasjeje opinionesh për rishikimin e standardit të gjuhës shqipe, çështjet e debatueshme fatmirësisht janë jashtë artit muzikor. Por kur këndohen këngë të vjetra, madje shumë të vjetra lypet korrektesa në raport me origjinalin. Është njësoj si të këndosh një këngë napoletane, por jo me atë dialekt. Roberto Murolo, këngëtari napolitan (1912-2003) lindi dhe vdiq në Napoli dhe magjia e tij interpretative është pasuri kombëtare në Itali. Po kështu, Gigi d’Alessio aq i dashur edhe për të rinjtë, është një napolitan genuin në interpretimin e këngës napolitane.
Do të ishte një shëmtim aestetik të provohej nga ata që nuk e njohin gjuhën në dialekt si edhe është teksti i këngës. Kënga shkodrane është këngë shkodrane, ajo përmetare është përmetare, kënga e Shqipërisë së Mesme është me atë ngjyrim dhe kënga e Kolonjës apo Leskovikut është me atë fizionomi. Të kënduarit e të gjitha këngëve e trevave shqipfolëse pa cenuar identitetin e tyre në muzikën dialektore që ka teksti origjinal e që lidhet me fonetikën, sintaksën dhe morfologjinë e asaj të folmeje, një aftësi e tillë e bën Eda Zarin unikale në historinë e etnomuzikologjisë sonë mbarëshqiptare.
Në këtë kuptim, krijimtaria e saj ka pasuruar fondin tonë muzikor duke ruajtur perlat nga “komploti i harresës”, apo nga dërrmimi komercialist që i bëjnë disa amatorë të dehur që fatkeqësisht mbushin “pazarin” e zhurmave.
Eda Zari, ky personalitet shumëplanësh, lëvron muzikologjinë e gjallë, trupin dhe shpirtin e saj, të tjerët duhet ta shkruajnë këtë histori. Autoritetet zyrtare, në administratë dhe në institucione të mirëfillta të kërkimit dhe arkivimit të vlerave, do të duhet të nxjerrin një fond të veçantë që ajo të na risjellë së paku njëqind këngë popullore, sepse nëse i lëmë në mëshirën e fatit do t’i dënojmë si të pafata, jo vetëm ato, por shpirtin tonë dhe identitetin që na bën shqiptar. E filloi mbledhjen e pjalmit shqiptar Jeronim de Rada me “Bletën Shqiptare” në 1878, vijoi pas çlirimit Zini Sako, dhe të tjerë shumë të respektuar, por se në kohën e dixhitalitetit na duhet një arkiviologji e kësaj natyre. Nëse realizohet ky projekt me Eda Zarin për të krijuar një fonotekë me këngët më të mira dhe më domethënëse si trashëgimi nga të gjitha trevat shqipfolëse, atëherë edhe në 100 vitet e ardhshme do të kemi në muzikologji një identitet të ruajtur si pasuri kombëtare dhe fizionomi etnomuzikore.
Kjo ndërmarrje lyp profesionalizëm, korrektesë dhe pasion, ka nevojë për vullnet dhe mund, do kohë dhe përkushtim, ose si thoshin latinët: “In Sacris!” Që do të thotë të respektosh rregullat si parime të shenjta.
Eda Zari e ka këtë buqetë atributesh profesionale dhe njerëzore!
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply