( Në mjediset e ShB e Shtypshkronjës “Edlora”)
Nga: Prof. Murat Gecaj
1.
Radhët e kësaj skice modeste nuk përshkruajnë ndonjë ngjarje të rrallë, pra të padëgjuar. Përkundrazi, po tregoj për një vizitë “suprizë” në Tiranë, të poetes tropojane Albana Ponari, bashkëkrahinase e imja. E veçanta është sepse erdhi, posaçërisht, nga qyteti Milano i Italisë, për t’i marrë vetë kopjet e librit të dytë poetik, “Larg, m’u tret vështrimi…”.
Shkollën e mesme e ka ambaruar në fshatin e bukur Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe pastaj, bashkë me familjen, qendroi disa kohë në Laç e, së fundmi, në kryeqytet. Duke punuar në gazetën “Koha Jonë”, rasti e solli që të njihej me një Italian, nga Milano dhe e lidhi fatin e jetës me të. Atje jetojnë e punojnë familjarisht dhe kanë një djalë e një vajzë, të cilët ndjekin shkollën.
E “ngarkuar” me ndjenja dhe mendime të shumta për vendlindjen e Shqipërinë, në një peridhe kohore afër 20 vjeçare emigrante, Albana nisi të thurë poezi. Sepse ndjente që aty e shpehte më mirë dufin e zemrës së saj dhe i afronte ato me vetëveten. Një lexues i vëmendshëm, sigurisht, mund të ketë parë të publikuara në faqet e Internetit, poezi të saj të frymëzuara.
Megjithëse larg Shqipërisë, pra me vendbanim e punë në Milano, mendoi që një pjesë të poezive të saj t’i tubonte në një libër të veçantë dhe atë ta botonte në Tiranë. Me kërkesën e Albanës, pata kënaqësinë që atyre poezive t’ua bëja redaktimin letrar dhe të shkruaja “Hyrjen” e librit, që e dërguam për botim në ShB&Shtypshkronjën “Edlora”. Ballinat e përkujdesjen grafike i mori përsipër administratorja e palodhur dhe e kujdesëshme, Edlira Kame.
Pas mbarimit të procesit të përgatitjes dhe botimit të këtij libri, ditët e fundit, përmes Internetit, ajo shprehu dëshirën dhe vendosi që të vinte vetë e t’i merrte këta libra. Lehtësi për të ishte se këtu ndodhej, për pak ditë edhe vëllai, Luani, me makinën e tij Ndërsa mëdyshja e fillimit, për të ardhur ose jo, ishte se në Milano do të linte fëmijët e bashkëshortin dhe punën, për 2-3 ditë.
2.
Nuk dua ta lodhi lexuesin me sqarime të mëtejshme, por këtu po tregoj se pardje poetja Albana Ponari mbërriti me avion, në Rinas dhe pastaj në kryeqytet. Sigurisht, takimet e para i bëri me familjarët e saj, për të cilët kishte shumë mallë.
Ndërsa ditën e djeshme Albana ia kushtoi tërësisht librit të saj të ri. Së pari, ne shkuam në mjediset e ShB & Shtypshkronjës “Edlora”, që ndodhet në afërsi të Pazarit të Ri të Tiranës. Aty na pritën me dashamirësi, administratorja, Edlira Kame dhe punëtorja e libërlidhjes, Ariana Mbrakulli. Bashkë me ne ishte dhe vëllai i vogël i Albanës, gjithashtu emigrant, në Bergamo të Italisë. Poetja i vizitoi me kënaqësi të gjitha mjediset e këtrij enti botues dhe dëgjoi me kureshtje shpjegimet e Edlirës. Ndër të tjera, kjo i tregoi për tematikën e larmishme të librave, që përgatiten e shtypen aty, për kujdesin ndaj tyre që ato të jenë sa më të mira nga ana teknike etj.. Po kështu, i foli se, krahas mjaft poetëve, shkrimtarve e studiuesve, janë disa autore, sidomos të reja, që kanë botuar aty librat e tyre, me poezi ose në prozë. Gjatë këtij bashkëbisedimi të ngrohtë, u shpreh gatishmëria e ndërsjelltë për ta vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
3.
Pas vizitës së mësipërme, me kërkesën dashamirëse të Albanës, ne drekuam së bashku, në një lokal, në afërsi të qendrës së kryeqytetit. Përsëri aty i vazhduam bisedat tona miqësore, si për familjet, botimet e ndryshme, bëmë shaka etj. Po kështu, shkrepëm edhe disa fotografi, që do të mbeten kujtim i bukur dhe i paharruar për ne, nga kjo vizitë e paparashikur e kësaj poeteje të pasionuar dhe të talentuar.
Sot Albana u rikthye në vandbanimin e saj, pra te familja, në Milano. Plot emocione, gjatë udhës për në Rinas, ajo postoi në Internet pamjen e Shqiponjës, që ndodhet në hyrje të kryeqytetit, bashkë me fotografinë e saj, shoqëruar me fjalët plot mallëngjim, sipër : “Mirupafshim, Tiranë! 27.90.2016”.Ndërsa mori me vete jo vetëm librin e ri poetik, “Larg, m’u tret vështrimi”, për të cilin ajo mbeti mjaft e kënaqur nga cilësia e botimit, por gjithashtu e mbushur me kënaqësi dhe emocione, që u ndodh përsëri ndërmjet familjarëve dhe miqëve të saj.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, e përshëndesim dhe e falënderojmë poeten Albana Ponari, që u ndodh ndërmjet nesh këto ditë dhe e urojmë përzemërsisht për librin e ri të saj. Me këtë rast, shpresojmë që përsëri të kemi nga ajo botime të reja, sa më cilësorë, në tematikë e trajtimin poetik. Gjithashtu, i urojmë: Shëndet, mbarësi dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!
Tiranë, 27 shtator 2016
Derguar nga z. Flori Bruqi


Leave a Reply