Mbyllet votimi. Pjesmarrja 60 përqind. E majta dhe e djathta akuza të ndërsjellta për blejre vote e trysni ndaj votuesve. KQZ: Nuk u cënua mbarëvajtja e procesitNë Shqipëri sot u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Dibrës, pas shkarkimit nga detyra të kryebashkiakut të mëparshëm Shukri Xhelili i cili u përfshi në një skandal, ku në këmbim të punësimit, kërkonte favore seksuale. Në garë janë kandidatët e dy koalicioneve të mëdha, atij të udhëhequr nga Partia Socialiste dhe koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike. Dita e votimit u vlerësua përgjithësisht e qetë, pavarësisht incidenteve dhe tensioneve që kanë shoqëruar thuajse të gjithë fushatën për bashkinë e Dibrës.
Zgjedhjet në Dibër u kthyen në një fushë beteje të ashpër politike mes dy kampeve kryesore në vend. Ndonëse një Bashki relativisht e vogël, ajo ka marrë një vëmendje të pazakontë, ndërsa dy koalicionet në garë kanë angazhuar eksponentët e tyre më të lartë në mbështetje të kandidatëve. Kur vendi ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të qeverisë së kryeministrit Rama, votimi i sotëm ka marrë trajtat e një prove force.
Veçanërisht e djathta në opozitë, i ka kushtuar një vëmendje dhe interes të madh, gjë e cila u duk që në përzgjedhjen e kandidatit të saj, Sherefedin Shehut, deputet, ish-zëvendësministër i Financave dhe një figurë e njohur e demokratëve. Në të vërtetë, Dibra ka qenë një bastion i së djathtës, dhe në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar ajo u fitua nga koalicioni i majtë me një diferencë të ngushtë votash.
Angazhimi i fortë politik i të dy koalicioneve në garë ka rritur tensionin ndërsa palët kanë shkëmbyer akuza të shpeshta për blerje vote, apo ushtrim dhune e trysnie ndaj votuesve. Pak ditë më parë, një administrator lokal socialist u bë pre e dhunës nga përfaqësues të së djathtës, siç deklaroi ai vetë, ndërkohë që palët dhanë variante të ndryshme për ngjarjen.
Opozita ka hedhur akuza për përfshirjen e policisë, por dhe të elementëve kriminalë nga ana e së majtës, ndërkohë që kjo e fundit ka deklaruar se është e djathta e cila ka angazhuar struktura të posaçme që po ushtrojnë trysni. Mbrëmë, sipas demokratëve është kapur në flagrancë nga banorët një zyrtar i tatimeve duke shpërndarë para. Ndërkohë që një qytetar ka denoncuar ish ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, se ka ushtruar dhunë ndaj tij ndërsa ishte dhe i armatosur. Policia nga ana e saj tha se makina në të cilën sipas personit të dhunuar lëvizte deputeti Noka, nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Përfaqësuesi demokrat i hodhi poshtë akuzat.
Ndërkohë gjatë ditës palët kanë akuzuar sërish njëra-tjetrën për trysni ndaj votuesve duke denoncuar secila dhe raste të fotografimit të fletës së votimit. Ky fenomen është konstatuar dhe nga koalicioni i vëzhguesve vendorë, i cili ka përmendur dhe raste të votimit familjar apo problematika të tjera gjatë procesit.
Sipas Komisionit qendror të zgjedhjeve, në përfundim të procesit të votimit, pjesëmarrja ka qenë në masën 60 përqind, ndërkohë që tani ka nisur procesi i grumbullimit të kutive të votimit në komisionin zonal ku do të realizohet edhe numërimi.
Burimi /Zeri i Amerikes


Leave a Reply