Ambasada e Kosovës në Tiranë dhe autoritetet e lartë të drejtësisë në Shqipëri janë shqetësuar për lirimin nga burgu të shtetasit të Kosovës, Shaip “Shaban” Zukaj
Denion Ndrenika
Lirimi nga burgu i një shtetasi nga Kosova ka nxitur shqetësim serioz dhe masa ndëshkimore në Shqipëri.
Shaip Zukaj i njohur edhe me emrin “Shaban Zukaj”, nga Deçani u lirua nga burgu i Shën Kollit në Lezhë pa vendim gjykate.
Shaip Zukaj u dënua në Shqipëri me vendim të formës së prerë për vrasje në tentativë dhe duhet të ekstradohej në Kosovë.
Lirimi që alarmoi autoritetet si dhe ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë po hetohet nga Prokuroria e Lezhës me ndihmën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Drejtësia në Kosovë e kishte dënuar Shaip “Shaban” Zukajn me 20 vjet burg si fajtor për një vrasje.
“Shqiptarja.com” raportoi se 41-vjeçari Zukaj pas ekstradimit nga Belgjika në 2012 i është drejtuar gjykatës së Lezhës dhe ka përfituar uljen e kohës së burgimit deri në lirim.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka dyshime që lirimi nga burgu i shtetasit të Kosovës të jetë çështje e thjeshtë:
“Dua të respektoj deri në pikën e fundit një hetim që ka nisur nga prokuroria e Lezhës dhe me kontributin e Prokurorisë së Përgjithshme, sepse e kam ende të vështirë ta besoj se kjo është një çështje zyrtarësh lokalë si pa rëndësi, por është një çështje që meriton ndërhyrje serioze”-tha ai.
Ministri pranoi se është vënë në dijeni që të premten në 20 maj për çështjen, por siç shtoi “nuk jam këtu që të shqetësohem për të bërë lajme, por për të bërë punën”.
Tri inspektorë të Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve janë shkarkuar nga detyra, por ministri tha se ata “kanë fjetur gjumë aty” dhe se “as më dridhet dora fare”.
“Jo tre inspektorë, por të gjithë drejtuesit e administratës së burgjeve dhe çfarë është në kompetencën e Ministrit të Drejtësisë është minimumi që unë mund të bëj, t’i shkarkoj nga puna. Por, pres zhvillime të tjera që i takojnë Prokurorisë së Shtetit”.
Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar të gjithë praktikën e të dënuarit nga Kosova.
http://illyriapress.com


Leave a Reply