Në datën 11 Maj, e përditshmja MAPO botoi një informacion se Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) kishte informuar Prokurorin e Përgjithshëm Llalla dhe Presidentin Nishani se Policia e Shtetit po përdorte një pajisje të paregjistruar për gjurmimin dhe përgjimin e telefonëve celularë.Sipas burimeve të mediave, nisur nga ky informacion i SHISH-it, Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar para disa javësh informacion policisë në lidhje me këtë pajisje të supozuar përgjimi.
Po sipas mediave, policia i ka pranuar Prokurorisë se ajo ka patur, për një farë kohe, një pajisje të tillë përgjuese, e cila është përdorur për trajnimin e punonjësve të policisë. Policia pretendon se, mbas trajnimit, pajisja i është dorëzuar Misionit të Forcave të Policisë Italiane në Shqipëri (Interforze)–mision i cili pretendohet se ia ka ofruar pajisjen policisë si pjesë e mbështetjes për policinë shqiptare.
Prokuroria i ka kërkuar informacione të mëtejshme policisë dhe Misionit Interforze në lidhje me procedurat e ofrimit dhe marrjes së pajisjes përgjuese, si dhe qëllimit dhe mënyrës së përdorimit të saj nga policia shqiptare, por nuk ka marrë asnjë informacion prej tyre.
Ndërkohë, mediat deklarojnë se pajisja për të cilën bëhet fjalë është e tipit „Imci Catcher“–një pajisje e fuqishme për gjurmimin dhe përgjimin e celularëve pa patur nevoje për bashkëpunimin e kompanive celulare.
Partia Demokratike dhe LSI akuzuan policinë se pajisja është siguruar në shkelje të ligjit dhe është përdorur për përgjime të politikanëve.
Ish-kryeministri Berisha publikoi dje një listë me 375 telefonët e të cilëve ai pretendon se janë përgjuar. Në listë janë Presidenti Nishani, Kryetari i Opozitës Basha, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, ambasadorë të huaj dhe gazetarë.
Ministri i Drejtësisë Manjani deklaroi më 14 maj 2016 se Prokuroria ka nisur hetimin për këtë çështje, sipas Ministrit të Drejtësisë Manjani.
Që nga bërja publike e kësaj çështje, qeveria, Ministria e Brendëshme dhe Policia e Shtetit nuk dhanë për një javë asnjë deklaratë apo informacion publik edhe pse ajo është shëndërruar në fokusin kreysor të mediave dhe të PD-së dhe LSI-së.
Më në fund të hënën paradite, Ministri i Brendshëm Tahiri ndërsa dilte nga një aktivitet publik iu përgjigj interesit të mediave duke thënë se „policia e shtetit nuk disponon dhe as ka disponuar dhe as i lejohet të disponojë në të ardhmen një pajisje përgjimi.“ Sipas zotit Tahiri, qytetarët dhe gazetarët duhet të presin informacione nga prokuroria për këtë çështje.
Si funksionon IMSI-Catcher?
Telefonat celularë nuk e verifikojnë sinjalin që vjen nga një operator telefonik. Mjafton që sinjali të jetë i fortë dhe celulari lidhet automatikisht operatorin telefonik. Ky fakt është shfrytëzuar nga shpikësit e pajisjes së përgjimit IMSI-Catcher që disponohet nga policia shqiptare dhe është në Tiranë. Ajo vepron si një antenë false e telefonisë celulare dhe çdo telefon pranë saj mund të përgjohet në tekst dhe audio. Në shumë vende të botës përgjimi nga një pajisje e tillë ka shkaktuar debate për shkak të shkeljes së privatësisë dhe është pasur me hartimin e ligjeve të rrepta. Jo të gjithë telefonat pranë pajisjes bëhen pjesë e përgjimit. Vetëm ato që përzgjidhen nga personat që e kontrollojnë pajisjen mund të përgjohen. Mjafton që telefoni të jetë në gjendje pritjeje dhe që pajisja të jetë e lidhur me operatorin e duhur të telefonisë. Më pas telefonatat audio dhe mesazhet janë të lehta për t’u përgjuar, por tek to nuk mund të ndërhyhet. Në shumë raste një celular nuk jep shenja se po përgjohet. Por disa prej tyre tregojnë një symbol në ekran. Kjo varet edhe nga operatori përkatës i telefonisë celulare, shkruan lapsi.al.
Aplikacioni në Android (AIMSICD) IMSI-Catcher Detector është i vlefshëm në Google play por jo gjithmonë efektiv. Vetë operatorët telefonikë, gjithashtu janë duke zhvilluar teknologjinë për të zbuluar përdorimin e një pajisjeje të tillë përgjimi.
Tashmë është konfirmuar tashmë zyrtarisht se një pajisje e tillë ndodhet në Tiranë prej të paktën disa muajsh.
“Pas vendimit për nisjen e hetimeve në lidhje me këtë rast, grupi i hetimit ka kërkuar informacion me një shkresë zyrtare drejtuar Policisë së Shtetit.
Ky informacion është kërkuar me shkrim për efekt prove krahas komunikimit verbal që kanë pasur dy hetuesit e Prokurorisë që kërkuan këqyrjen dhe sekuestrimin e pajisjes në fjalë ditën e premte”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në përgjigje të kërkesës së Njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, policia me një shkresë të firmosur nga kreu i saj, Haki Çako, ka kthyer përgjigje se ekziston një pajisje e tillë (e llojit “Imci Catcher”), por që nuk është në pronësi të Policisë së Shtetit.
/GAZETA FAKTI
Leave a Reply