Në vigjilje të Krishtlindjeve, një vajzë 20-vjeçare hidhet nga kati i 11 i një ndërtese të Tiranës. Mbase vërtet jeta të vjen përpara syve kur je pranë fundit; mjafton të ngjitesh në taracën e një pallati për të parë smogun e jetës së çdo shqiptari.
Klea Shyti quhet 20 vjeçarja që vrau veten sepse, siç shkruhet, ‘shkak ishte ndarja nga i dashuri’. Por duke parë profilin e saj në Facebook dhe Instagram, gjetëm më tepër sesa një arsye që ajo të vriste veten. Përtej gazetarisë, mund të themi me plot gojë se Klea nuk ishte një adoleshente e zakonshme. Ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, që dëgjojnë dance, pop, e tallava, Klea dëgjonte rock metal e eksperimental; Pink Floyd, Slayer; David Bowie; këngë që, kush i njeh, e di mirë se u referohen njerëzve që shohin më larg, sesa thjesht adrenalina e një nate në pab.
Sa të rinj e njohin Sylvia Plath? Një prej poeteshave më emblematike të letërsisë amerikane e botërore, e cila vrau veten në të 30at. 20-vjeçarja shqiptare e njihte, dhe i ka uruar ditëlindjen më 27 tetor: ‘Ashtu siç kacavirremi në shpirtëra të tjerë, e me trupa të tjerë ngrohemi, pushojmë e u besojmë besimin tonë dhe shpirtin në fshehtësi, mua më duhet, më duhet dikush mbi të cilin të lëshohem’, janë vargjet e Sylvia Plath që Klea Shyta ndan në Facebook-un e saj.
Mes jetës sipërfaqësore të kryeqytetit, me muzikë të shpejtë, ushqim të shpejtë, Klea përdorte rrjetet sociale, dilte me miqtë, vishej, krihej, dhe në fund, çdo moment e përjetonte përtej kënaqësisë së thjeshtë. Në fotot që hedh me miqtë, ajo shkruan: ‘Nëse ke miq të mirë, pavarësisht sa e shëmtuar është jeta, ata përsëri arrijnë të të bëjnë të qeshësh’. Portreti i saj shpreh pastërti; jo thjesht sepse nuk ka make up të tepërt, jo vetëm sepse flokët e saj janë natyralë. Ajo tregon moshën e saj, 20 vjeç. Dhe kur je 20 vjeç, por rininë e jeton duke lexuar libra dhe dëgjuar këngë që përcjellin ndjenja të vërteta, jo thjesht citime Facebook-u, është e vështirë të jetosh në botën e shpejtë e të përkohshme të Fast Food-it.
Ne nuk e kemi njohur Klean, por kemi njohur pak të rinj që i njohin vlerat e artit të mirë. Flasim për makina, veshje, aplikacione smart phone-sh, për vajza blloku dhe squats-e. Shikojmë filma 3D me efekte speciale, por nëse kthejmë kokën, mes fansave të konsumizmit masiv, mund të gjejmë të rinj si Klea që mund t’a shohin jetën në 7 dimensione. Janë të rinjtë që nuk gjejnë vend në kryeqytet, që nuk arrijnë të bëhen njësh me realitetin e cekët, sado të përpiqen. Ndoshta ka qenë një dashuri e humbur, por ndoshta ajo ka qenë jehona e mundësive të humbura për të qenë vetvetja, në një vend ku të gjithë janë si dikush tjetër, që nuk e di kush është.
Genta Hodo/Anabel
——————————————————————————–
Kush ishte Klea Shyti, studentja nga Fieri. Çfarë shkruante në rrjetet sociale dhe muzika që dëgjonte /FOTO

Vetëvrasja e 20-vjeçares nga Fieri, me banim në Tiranë, në prag të ditës së madhe të Krishtlindjes ka marrë gjithë vëmendjen në opinionin publik. Jo vetëm për moshën e re, por edhe për atë që përfaqësonte.
Studente e shkëlqyer e Ekonomikut, një vajzë kultivuar siç e komentojnë ata që e kanë njohur, por edhe siç shfaqej në rrjetet sociale. Klea duket se dëgjonte rock metal e eksperimental; Pink Floyd, Slayer; David Boeie. Pra ishte pak ndryshe nga brezi i saj edhe në shije.
Duke parë llogaritë e saj në rrjetet sociale duket se Klea e kishte paralajmëruar ngjarjen e rëndë… ose më saktë e shprehte trishtim, mungesën e besimit dhe dilemat emocionale.
Një muaj më parë në nëntor, Klea kishte postuar një foto bardhë e zi mbi të cilën shkruante në gjuhën angleze: Pas gjithë kësaj kohe, ndërsa pyesja nëse mund t’i besoja vetes, instikti im ma provoi: “Duhet të kisha gjetur një shteg në pyje pa rrugë.”
20-vjeçarja postonte vazhdimisht këngë me përmbajtje pesimiste. “Jeta ime është një mister…”, shkruante ndër të tjera 20-vjeçarja.
Klea i ka marrë me vete dilemat e saj dhe shkaqet e vërteta të vetëflijimit. Por, referuar burimeve në polici, Klea kishte pasur një lidhje me një bashkëmoshatar. Duket se kohët e fundit, gjërat mes tyre nuk shkonin siç duhet. Ky mendohet të jetë shkaku…


——————————————————————————-
Vetëvrasje demonstrative. Emrat, profilet dhe shkaqet e vetëflijimeve në 2015 /EMRAT

Dashuritë e ndërprera duket të kenë qenë fatale për disa të rijnë që i dhanë fund jetës duke u hedhur nga pallati. Tre ditë më parë ndodhi edhe vetëvrasja e një studenteje në të një mënyrë. Hedhje nga tarraca e pallatit apo vinçi.
Çfarë po ndodh? A ndikoi ekzagjerimi që i bëri media vetëvrasjes së parë duke transmetuar kohë pa kohë edhe videon horror të hedhjes nga vinçi në qendër të Tiranë të një të riu gjerman? A po imitojnë viktimat njëri-tjetrin? Në Tiranë po ndodhin vetëvrasje në të njëjtën mënyrë makabre. Ja kronologjia e vetëvrasjeve demonstrative.
17 korrik 2015
Arjan Karaj, i ka dhënë fund jetës pasditen e sotme duke u hedhur nga një pallat pranë shkollës “Harry Fultz” në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së pallateve të Hipotekës, ku 43-vjeçari i identifikuar si Arjan Karaj është vetëflijuar duke u hedhur nga godina rreth orës 15:00.
16 korrik 2015
Një i moshuar 70vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i shtatë i një pallati në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20 të pasdites së datës 16 korri, te “Rruga e Thesarit”, pranë zonës së “Freskut”.
15 korrik 2015
Një vajzë 20-vjeçar i ka dhënë fund jetës sepse nuk ishte kthyer dashuria. E reja kreu vetëvrasje duke u hedhur nga tarraca e një pallati, pranë zonës së “21 Dhjetorit” në Tiranë. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet se, është bërë dashuria e viktimës ndaj një femre tjetër, e cila nuk iu është përgjigjur ndjenjave të 20-vjeçares.
14 korrik 2015
Në qendër të Tiranës, një person ka vendosur ti japë fund jetës duke u hedhur nga një vinç që ndodhet tek ish-selia e PD, në qendër të Tiranës. Viktima ishte një i ri gjerman. Viktima ishte Dimo Drralla dhe kishte vetëm pak ditë në Tiranë. Mësohet se ai i kishte dhënë fund jetës për shkak të dashurisë së humbur.
1 nëntor 2015
Një vajzë e mitur në qytetin e Korçës tentoi të vriste veten duke u hedhur nga kati i tetë i një pallati. Për më shumë se një orë, 14-vjeçarja me iniciale S.C., shkaktoi një gjendje ankthi mes banorëve të lagjes dhe familjarëve, duke kërcënuar se do t’i jepte fund jetës me hedhje nga tarraca e pallatit ku kishte hipur.
10 Nëntor 2015
Një ish-i përndjekur vuri në alarm policinë e kryeqytetit pasi për një orë qëndroi në majë të një vinçi në një lartësi të konsiderueshme. Vinçi ndodhej në një pallat në ndërtim e sipër pranë Gjykatës së Lartë, ndërsa Xhemal Zhuri vazhdimisht bënte veprime që cenonin sigurinë e tij.
24 dhjetor 2015
Klea Shyti, studente 20-vjeçare nga qyteti i Fierit, vendosi të vetëvritej rreth orës 21:00, duke u hedhur nga kati i 11të i një pallati në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të Parkut të Autobusëve, ku Klea u ngjit në katin e 11të të pallatit dhe u hodh në sheshpushimin e brendshëm të tij. Sipas hetimeve Shyti sapo ishte ndarë nga i dashuri dhe mendohet se ky ka qenë edhe shkaku për kryerjen e aktit ekstrem


Leave a Reply