Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jetojnë në gjendje të rendë sociale, ekonomike dhe politike Ndaj kësaj gjendje kanë reaguar deputetët shqiptarë të Luginës në Kuvendin e Serbisë.Ata kanë vlerësuar se Qeveria e Serbisë është duke iu ikur obligimeve që ka marrë karshi zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve në Luginë. Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi ndaj të cilit ditë më parë Prokuroria serbe ka ngritur aktakuzë, për gjëja poshtërimin e flamurit dhe stemës serbe, me rastin e vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në zyrat e PVD-së në Bujanoc, më 28 nëntor të vitit të kaluar, ka thënë se qeveria serbe është duke ndjekur logjikën e Millosheviqit, transmeton “RTK”.
Ndërkaq, deputeti tjetër shqiptar, Shaip Kamberi, ka thënë se qeveria serbe ka aprovuar të ashtuquajturin plan shtatëpikësh për realizimin e kërkesave të shqiptarëve që në vitin 2013, por nga ky plan nuk është zgjidhur pothuajse asnjë kërkesë. Shkelja e vazhdueshme e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, mospërfillja e kërkesave për zgjidhjen e tyre, është duke ndikuar që nga ky rajon në mënyrë të heshtur të zbrazet nga shqiptarët.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR


Leave a Reply