Nga RAMAZAN ÇEKA
Shkodra në periudhat e ndryshme historike ka qenë ajo që edhe sot e përmendim shpesh herë si “metropoli i veriut”. Si në çdo metropol njerëzit janë afruar për interesa të ndryshme, ekonomike, sociale e kulturore, janë afruar për një mirëqenie më të mirë, për një punë, për një dëshirë, për një ëndërr. Askund si në Shkodër këto ëndrra mund të bëheshin realitet.
Këto lëvizje nga treva të ndryshme të Shqipërisë janë bërë herë pas here spontane, por në periudhën që sapo kaluam kanë qenë edhe të detyruara, megjithatë siç thuhet rëndom “çdo e keqe e ka një të mirë” Ata shpesh i kanë shërbyer njohjeve dhe shkëmbimit të dokeve, zakoneve, traditave nga një krahinë në tjetrën. E tillë ishte edhe familja Laze që për motive klasore shpërngulet nga Jugu në Shkodër.
E filluam kështu këtë shkrim për të dalë tek karakteristika më interesante që e bën të veçantë këngëtaren Myfarete Laze. Ajo në shpirtin e saj ka të harmonizuar ngrohtësinë e vajzave të Jugut me çiltërsinë e vajzave shkodrane. Myfaretja trashëgoi butësinë e mirësinë e prindërve të saj duke i shtuar atyre virtute të reja me të cilat e pajisi qyteti ku lindi, Shkodra e artit, kulturës, humorit e qejfit.
Lozonjare, çapkëne, djaloshare, e guximshme erdhi që e vogël në ambientet e familjes, lagjes dhe shkollës, duke pasuruar portretin e saj deri një ditë që mësuesit e saj të nderuar zbuluan se ky fëmijë ishte ndryshe nga të tjerët dhe se e ardhmja saj do të ishte kënga dhe muzika.
Askush nuk mund ta ndalte më dëshirën dhe pasionin e saj, pavarësisht tekave dhe trilleve të moshës.
Myfarete Laze fillon të këndojë që në shkollën fillore. Zëri i saj i veçantë, i kristaltë e tingëllues e bëri pjesëmarrëse të padiskutueshme të aktiviteteve muzikore të qytetit deri në performimin në festivalet kombëtare të këngës për fëmijë dhe pionierë e më vonë në ata për të rritur lokale e kombëtare, duke fituar edhe çmime të ndryshme.
Me pjesmarrjen e saj në festivalin e femijëve ajo fiton një çmim të parë, dy çmime të dyta dhe një çmimë të tretë.
Në festivalin e këngës qytetare shkodrane fiton çmim të parë me krijimtari të kompozitorit Zef Çoba, çmim të dytë me Adil Ujkashin dhe Zydi Barbullushin, çmim të tretë me Pjetër Gacin dhe kështu po përgatitej të ecte në përfaqësime kombëtare të këngës shqiptare.
Shkodra, vendi i shenjtë i artit dhe i këngës e rriti, e edukoi dhe bashkë me inkurajimin e familjes, e përgatitën atë si një artiste të ardhshme.
Publiku me duartrokitjet e tij e mbajti në rrugën e këngës. Jeta artistike i mbushi jetën me gëzim e vlerësim, jo vetëm Myfaretes, por gjithë familjes.
Vitet kalojnë, Myfaretja tani një vajzë e re 17 vjeçare ngjitet në skenën e festivalit të këngës në RTSH në vitin 1979.
Ky format prestigjioz i kohës kishte nevojë për zërin e saj gjithashtu prestigjioz. Interpretimi i parë befasoi audiencën dhe la me gojë hapur specialistët. Karriera e gjatë e Myfaretes në skenë sapo kishte filluar.
Kënga që ajo debutoi titullohet “Shoqet tona ilegale” me tekst të Xhuljana Jorganxhi dhe muzikë të Agim Prodanit, të cilën e këndoi përkrah legjendës së këngës shqiptare Vaçe Zela, e cila kishte dhënë edhe pëlqimin e saj për këtë këngëtare të re.
Myfaretja ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe pjesëmarrja në aktivitetet artistike nuk e pengoi atë që të përfundonte studimet e larta, në mënyrë paradoksale jo për kanto, por për gjuhë-letërsi duke u bërë kështu një mësuese e mrekullueshme.
Këngëtarja Myfarete Laze me zërin e saj të bukur dhe me interpretimin brilant, përcillte emocion dhe kënaqësi të veçantë që buronin nga shpirti i saj duke e përjetuar fuqimisht me mjaft mjeshtri; pra ajo është vërtetë një artiste e pakrahasueshme në skenë dhe ekran.
Myfarete Laze është një këngëtare me një repertor të gjërë të një niveli të lartë artistik të shtrirë jo vetëm në muzikën e lehtë, por edhe në interpretimin krejtësisht të veçantë të këngës popullore dhe në realizimin brilant të jareve shkodrane me të cilat ajo u rrit.
Entuziazmi dhe emocioni i krijuar nga ajo ka arritur të rrëmbejë zemrat e shumë fansave brenda dhe jashtë vendit me zërin e saj të magjishëm.
Më pëlqeu shumë një vlerësim që lexova në rrjetet sociale të cilin po e citoj: “E gjendur kudo ku ka aktivitete, Myfarete Laze mbetet këngëtarja më e palodhur. Ajo nuk i ka munguar skenës shqiptare. Emrin e saj nuk mund ta lexojmë dot jashtë muzikës. Është një ndër këngëtaret e suksesshme në skenat e festivaleve. Edhe pse lëviz kudo, dashuria për vendlindjen nuk i shteron, pasi Shkodra gjithmonë e frymëzon”.
Skena është vendi prej të cilit nuk u shkëput asnjëherë. Myfarete Laze, është këngëtarja e cila ka triumfuar me 13 çmime në festivale, e lidhur pashmangshmërisht me këngën, të cilën e ka sjellë në skenë me një interpretim të jashtëzakonshëm e gati-gati të “frikshëm”.
Myfarete Laze suksesin e saj ia dedikon edhe bashkëpunimit me figura të shquara të muzikës shqiptare. Zëri i saj, perfeksioni interpretativ, nuk mund të mos ishin pjesë e kompozitorëve më të njohur për krijimtarinë e tyre. Ajo, gjatë bisedave, me një kujtesë të jashtëzakonshme i përmend, siç thonë shkodranët “krye e për emër”: Agim Prodani, Kujtim Laro, Agim Krajka, Limoz Dizdari, Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari, Zef Çoba, Xhavit Ujkani, Luan Barova si dhe poetët Xhuliana Jorgaxhiu, Gjok Beci, Xhevahir Spahiu, Jorgo Papingji, Agim Doçi, etj.
Ka marrë pjesë në 17 festivale, ka qenë pjesëtare e Koncerteve të Pranverës, në festivalin e interpretuesve dhe gjithmonë është vlerësuar nga juritë. Është nderuar me çmimin “Çesk Zadeja” dhe urdhërin “Naim Frashëri”, “Nderi i Kombit” nga shoqata Unioni Artistik Mbarëkombëtar. “Mirënjohje” nga shoqata kulturore Tiranë. “Mirënjohje e qytetit te Shkodrës” 2004 dhe së fundmi “HONORARY DEGEREE”.
Ndoshta dikujt mund t’i duket çudi, por e veçanta bashkëkohore e Myfaretes është vazhdimësia e aktiviteteve të saj me formate të reja muzikore e me kompozitor të një brezi më të ri që e kanë përsëri në spektaklet e tyre. Mund të përmendim bashkëpunimin me spektaklet e Ardit Gjebresë, krijimtarinë e bukur të Edmond Zhulalit, Shpëtim Saraçit etj.
Këtë shkrim që mora përsipër për të shkruar për këngëtaren e madhe Myfarete Laze, ma pasuruan edhe kujtimet e opinionet e disa prej bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të saj.
Ja si shprehet Poeti i palodhur, pena e pandarë nga këngët, i mirënjohuri Agim Doçi: “Në kapërxyell të viteve ’78-të, në koridoret e Radio Televizionit Shqiptar, kur të gjithë drejtuesit, krijuesit dhe interpretuesit ishin në “ethet” e përgatitjes së festivalit të fundvitit, një zë dridhërues që doli nga studioja e madhe, ku bëheshin përgatitjet nën drejtimin e të paharrueshmit Ferdinand Deda, Eno Koço, apo Ermir Krantia dhe Jetmir Barbullushi, na rrënqethi të gjithëve me vibraton e saj! O Zot na solli ndër mend Edith Piaff, Mirel Matjë.
Futemi tek studioja dhe shohim një vajzuke, me sy gjithë dritë, me flokët me krrela dhe me një siguri të jashtëzakontë në interpretim. “Nga ka ardhur ky zë fenomenal, kjo këngëtare e magjishme?…” Është Myfaret Laze, është shkodrane! – u përgjigjën plot krenari e dashamirësi Bashkim Alibali dhe dirigjenti e kompozitori i talentuar Jetmir Barbullushi. Pa dyshim edhe unë, i lindur dhe i rritur në Shkodër, ndjehesha krenar sepse në suksesin e Myfaretes, kisha dhe unë “një hise”. Myfaretia ishte symbol i dashamirësisë, i mirësjelljes, i buzqeshjes plot dritë dhe simbol i mirënjohjes, simbol i humorit të mënçur dhe çiltërsisë. O Zot sa e mirë dhe fisnike që ishte dhe është!
Pastaj rodhën vitet dhe në festivalet e këngës, Myfaretia asnjëherë nuk u nda pa çmim ose më saktë asaj nuk iu ndanë çmimet! Shpërthenin duartrokitjet sapo spikeret e festivalit lajmëronin: “këndon Myfarete Laze”.
I paharruari Kujtim Laro (Morikone Shqiptar), ishte kompozitori gjenial që lumturohej kur Myfaretja pranonte me “ia këndu muzikën e tij”.
Jam shumë i kënaqur që në bashkëpunimet e mia të para me këta dy korifenj, ikona të këngës shqiptare, pata dhe unë fatin të bashkëpunoj.
Po e mbyll këtë shkrim duke sjellë ndërmend një poezi timen të kompozuar nga i madhi K.Laro dhe interpretuar nga e madhja Myfarete Laze, që meritoj çmim në festival:
“Fjalë e nuses thellë më lëndoj
Aq më shumë im bir që foli rëndë
Janë të dy të rinj, e se kuptojnë,
Nusja nesër vetë, do bëhet Nënë!”
Kompozitori i shquar, pjesëmarrës në sa e sa festivale të këngës në RTSH, përfaqësues i muzikës shqiptare në skenat evropiane Edmond Zhulali, priti me kënaqësi kërkesën time dhe me respektin e shpirtin e një artisti u shpreh kështu për këngëtaren Myfarete Laze: “Myfaretja është një nga emrat më të spikatur të këngës shqiptare. Me një karrierë të gjatë e të susksesshme ajo mban në repertorin e saj krijime të shumta muzikore që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien muzikore kombëtare.
Që në hapat e parë të saj ajo u shfaq dinjitoze plot talent dhe e veçantë. Në opinionin publik ajo u identifikua që në interpretimin e saj të parë si një zë premtues dhe me vlera të vërteta artistike të veçanta duke sjellë një frymë të re.
Fati e solli që Myfaretja të interpretonte në festivalin e RTSH ku këngët interpretoheshin në dy variante, të këndonte të njëjtën këngë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ishte një konkurrencë e paimagjinueshme për një vajzë të re. Por Myfaretja jo vetem që interprtoi në mënyrë të shkëlqyer por mori dhe vlerësimet më të larta nga Vaçja e madhe duke u bërë menjëherë një yll i këngës. Padyshim që ky fillim ishte shumë impresionues për Myfareten por dhe një hap i vendosur mirë për të ardhmen të cilën e ndërtoi me shumë dashuri e pasion. Tani Myfaretja ka një repertor shumë të madh me këngë nga të gjitha rrymat muzikore duke filluar me këngën e lehtë e deri te kënga popullore shkodrane e çame.
Myfaretja zotëron një vokal tejet të veçantç me një ngjyrë kadife me një shtrirje të madhe dhe me shumë nuanca, me një intonacion perfekt të cilin sa e degjon nuk mund ta harrosh lehtë.
Me Myfareten ndryshe nga shumë këngëtare me të cilët kam bashkëpunuar, kam patur një lidhje të veçantë, atë të shokëve të një klase në moshen më të sinqertë, atë të shkollës së mesme. Myfaretja edhe sot ashtu ka mbetur një shoqe e mirë korrekte, dinjitoze e plot humor e mbi të gjitha një mike e mirë. Kemi bashkëpunuar shumë bashkë dhe e njoh mirë zërin e saj të cilin e kam regjistruar sa herë në studion time.
Një kujtim i paharrueshëm do të jetë kënga “Sa më mungon” me poezi të Gjokë Becit në festivalin e RTSH . Është një këngë që unë e kam kompozuar për Myfareten duke parë dhe aftësitë e mëdha vokale të saj. Aty Myfaretja ka dhënë tërë fuqinë e saj vokale e shpirtërore, duke bërë një interpretim të jashtëzakonshëm. Edhe një këngë tjetër do doja të përmendja që kam kompozuar për Myfareten me poezi të Gjokë Becit “Jare Shkodrane” të cilën Myfaretja me shumë mjeshtëri e ka interpretuar.
Një zë melodioz me shumë emocione do të plotësonte gjithë këto vite këngën shqiptare, duke i dhënë shumë interpretime, vlera të veçanta, duke ngrohur zemrat tona e duke u bërë i pazëvendësueshëm. Festivalet e RTSH kanë ngjyrat e zërit të saj. Skenat, radiot, ekranet televizive e kanë prekur këtë talent, e kanë rritur dhe presin përsëri magjinë e zërit të saj”.
Myfarete Laze ka interpretuar këngën e saj në skena të ndryshme brenda e jashtë vendit. Nuk lihen pa përmendur turnetë jashtë shtetit, ku ka përçuar vlerat më të mira të muzikës shqiptare në vitet ’85-2014 në Itali, Francë, Gjermani, Austri, Belgjikë, Spanjë, Kanda, Amerikë, Greqi, Zvicer, etj .
Myfaretja është aktivizuar jo vetëm si këngëtare, por ka organizuar e ideuar shumë aktivitete. Një prej tyre, që tashmë është kthyer në traditë në qytetin e Shkodrës, është “Dita e Luleve”. Në këtë aktivitet, që zhvillohet që prej katër vitesh, në bashkëpunim me grupin e punës që përbëhet nga Isa Alibali, Ritvan Karakaçi, Ahmet Osja, në kalanë e Rozafës bashkë me larminë e luleve që rriten në oborret e Shkodrës, sillet edhe një buqetë e freskët këngësh, sepse vetë qyteti i Shkodrës ka rreth 150 këngë për lulet.
Kompozitori dhe profesori i shquar shkodran Zef Çoba e priti me kënaqësi ftesën time për opinionin e tij, për këngëtaren Myfarete Laze dhe ai i gatshëm ndër të tjera u shpreh: “Këngetarja Myfarete Laze e ka nisur karrieren e saj që në bankat e shkollës. Karakteri energjik e kurajoz, talenti e pasioni për artin muzikor, kanë qenë faktorët kryesorë që e kanë bërë të njohur emrin e saj.
Myfaretja, arriti që në fillim të ecjes së saj si artiste, të tërheqë vëmendjen e muzikantëve që drejtonin intitucione të rëndësishme artistike, e të prezantohet në skenat më të rëndësishme dhe aktivitetet më prestigjioze në shkallë kombëtare, duke fituar simpatinë dhe besimin e kompozitorëve. Emrat më të njohur të krijuesve i besuan asaj interpretimet e këngëve të tyre në koncerte e festivale. Falë dhuntive vokale e karakterit të zërit, kryesisht ka kënduar këngët e muzikës së lehtë dhe këngët popullore. Interpretimet e saja kishin fantazi dhe spontanitet.
Që kur fillova aktivitetin tim në Shtëpinë e Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore në nëntor të vitit 1980 në Shkodër, u njoha me aftësitë e Myfaretit, me talentin e saj, e mbi të gjitha me karakterin e hapur e kurajoz. Me guxim e pretendime artistike, e thoshte gjithnjë mendimin e saj dhe kërkonte të mos bëhej kompromis me kërkesat artistike. Gjithnjë ishte e dashur me shoqet dhe shokët, e shoqërueshme me të gjithë e në mënyrë të veçntë me këngëtarët. Gjithnjë me fantazi krijonte situata të këndshme humori.
Kam bashkëpunuar me Myfareten si në aspektin organizativ e artistik me koncertet që zhvillonim me Orkestren simfonike të Shtëpisë së Kulturës e Formacionin e Ansamblit, po edhe si krijues. Ruaj kujtimet më të mira, sepse gjithnjë na ka dhënë sadisfaksion, duke u prezantuar më së miri”.
Profesori i kantos Ferid Bala në një libër të tij titulluar “Kënga dhe këngëtarët shkodranë” ndër të tjera thotë për Myfareten: “Për diplomën e maturës Myfaretja përgatiti një program të gjerë pjesësh të huaja dhe shqiptare, ariesh, romancash dhe këngësh popullore. Ajo kishte një ndjeshmëri të madhe emocionale dhe gjithnjë kur këndonte arien finale të “Butterfly”ishte shumë e shqetësuar, jo për vështirësitë tekniko-vokale që paraqiste aria, por për atë thellësi emocionale e shprehëse që e përshkonte gjatë realizimit në interpretim e sipër. Ajo gjithnjë harronte vetveten dhe ndjehej deri në qelizën e fundit të trupit një “Butterfly” e vërtetë. Unë gjithnjë mundohesha që të krijoja një gjendje të qetë psiqike tek ajo, por Myfareti gjithnjë kërkonte maksimalen nga vetja”.
Mjaft interesant është dhe mendimi i profesorit të muzikës dhe Ma.Sci i shkencave Folklor-Etnologji, Behar Arllati nga qyteti i Gjakovës:
“Çdo këngëtar, si synim parësor ka krijimin e një individualiteti që më vonë do ta bëjë të dallueshëm nga të tjerët. Problemi është se shumë pak këngëtarë arrijnë ta krijojnë një individualitet të tillë dallues. Në këtë aspekt, Shkodra dallon, pasi ky qytet me shumë traditë ka nxjerrë disa këngëtarë që janë shquar për individualitetin e tyre. Një ndër ta është pikërisht Myfarete Laze.
Ne në Gjakovë kemi pasur privilegjin që ta ndjekim çdo festival të këngës në RTV dhe mbaj mend mirë se, që në Festivalin e Parë ku ka debutuar në vitit 1979, Myfarete Laze ka treguar se dallon nga këngëtaret tjera. Fillimisht ne në Gjakovë, duke mos pasur dijeni në atë kohë, mendonim se Myfaretja ka kryer studimet për kanto në Tiranë, pasi shtrirja e ambitusit të zërit të saj, përdorimi i regjistrave të zërit, deklamimi dhe artikulimi i fjalës-tekstite deri tek frymëmarrja, ishin në nivelin dhe lartësinë e një këngëtareje operistike.
Kam mendimin se ngjyra dhe timbri tepër i veçantë i zërit të saj veçanërisht në regjistrin e lartë, e bëjnë këtë këngëtare krejt ndryshe nga të tjerat. Vokalet e saj plot dritë, emocionojnë dhe imponojnë pranimin nga ana e dëgjuesit të cilësdo këngë që ka interpretuar kjo këngëtare.
Siç duket, bashkimi i mentalitetit jugor me sjelljet, natyrën dhe qëndrimin shkodran, si dhe pasuritë kulturore shpirtërore të këtij qyteti me nam të madh, ka sjellë deri në një hibridizim shumë të bukur prej nga është krijuar një këngëtare si Myfaretja.
Pothuajse të gjitha këngët e saj janë kënduar vazhdimisht në qytetin e Gjakovës, por do të dalloja sidomos këngët “Shoqet tona ilegale”, “Pragu i vegjëlisë”, “Nusja e maleve”, “Nën kurorën e ullirit”, “Kur çelin bozhuret” dhe sidomos “Udhët e atdheut më thërrasin” që në vitet ’90 ka qenë si një himn në Kosovë”.
Dhe së fundmi si qershia përmbi tortë, mbyll këto opinione bashkëqytetari i saj, bashkëpunëtori dhe partneri artistik, këngëtari i mirënjohur shkodran Bashkim Alibali, i cili me karizmen e tij, shoqëruar me humorin që e karakterizon e fillon kështu opinionin: “Myfareten e njoh prej shumë vitesh. Ajo ka pasur një natyrë të tillë si të një djali çapkën. E dashur me shokët dhe shoqet dhe gjithmonë me humor. Shprehja e saj e përhershme si një shkodrane ka qenë gjithmonë “He moj ta marrsha, si po je “. Ne për shumë vite kemi kënduar me estraden e Shkodrës. Ka një koicidencë me pjesmarrjen e saj në festivalet e RTSH, sepse e ndjek numri i fatit 7-ta. Ka marrë pjesë për herë të parë në festival në moshën 17 vjeçare dhe kjo në festivalin e 17, në vitin 1977 dhe është 17 herë pjesmarrëse ndër festivale.
Kur kjo filloi provat me orkestrën, në festivalin e 17 të gjithëve u ra në sy zëri i saj i bukur e duke e krahasuar me kengetaren e madhe franceze Mirel Matje. Dhe kështu vazhdoi të këndojë bukur dhe me shumë profesionalizëm në të gjitha festivalet dhe aktivitetet e tjera muzikore.
Duke pasur një kohë të gjatë njohjeje, unë e konsideroj si një shoqe të vërtetë, si një motër, sepse edhe jemi arbëresh të ardhur nga Shkodra ne Tiranë ( qesh).
Myfaretja është një shembull i një bashkëshorteje shumë të mirë dhe e një nëne të përkushtuar për femijët e saj.
Ajo mbetet prap një zë i bukur, i ri dhe vital, ku këngëtarët e rinj duhet të marrin shembull nga ajo. Unë kam dëshirë ta shoh sa më shpesh në skenat tona, sepse zëri i saj brilant mbetet shumë i ndryshëm nga timbrikat e njëllojta të shumë këngëtareve të tjera”.
Jeta saj artistike ka pasur larmi edhe në Tiranë ku edhe banon sot. Ajo, përveçse një artiste e madhe është edhe një aktiviste sociale. Në qendrën “Arbnori” ka organizuar disa aktivitete: “Dita e jetimëve”, koncert me pjesë të zgjedhura nga Prekë Jakova, konkursi i grupeve korale, koncert simfonik, muzikë popullore dhe të lehtë, promovime të librave të rinj, ekspozita pikture, etj.
Myfarete Laze është e vlerësuar nga të gjithë artdashësit shqiptarë, nderohet dhe ftohet në aktivitete të mëdha të skenës e të këngës. Ajo vazhdon të këndojë dhe më me shpirt se, kuptohet, tani ana profesionale e lirshmëria skenike janë pjesë e saj.
Sot ajo punon në një fushë tjetër, në DPB (Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve), ku me vajzat psikologe e sociologe, organizon aktivitete të ndryshme letraro-artistike e sportive. Artisti falë ngrohtësi, gëzim, rrezaton mirësi e afimitet me praninë e tij në këto institucione, për t’ua bërë sa më të lehtë e më aktive jetën e përkohshme “banorëve” të institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Përkushtimi ndaj kësaj pune nuk do të thotë se Myfarete Laze është larguar nga skena, sepse është një pjesë e mirë e jetës saj që s’mund ta largojë, pra kjo do të thotë se ajo e do skenën dhe skena e do Myfareten si një këngëtare shqiptare, me tradita, parime e emancipime që koha dhe fati i ka mundësuar. Ajo i ka qëndruar kohës, dhe ndryshimeve, e ka publikun e saj që e mirëpret dhe kërkon akoma nga ajo e cila s’e ka zhgënjyer asnjëherë.
Myfaretja i është përshtatur zhvillimit të këngës në kohë dhe ka bërë bashkëpunime shumë të suksesshme, që i japin siguri e përgjegjësi për arritje të reja. Thonë; “njeriu plaket” por shpirti i një artisti nuk plaket kurrë. Artisti veç krijon, e gjen të bukurën, gëzon publikun dhe është njësh me të gjatë gjithë jetës. Këto i plotëson karakteri i fuqishëm, guximi, alegria dhe humori që është pjesë e natyrës së saj dhe që e bën të duket si një vajzë 20 vjeçare çapkëne.
Pavarësisht nga ngarkesa e madhe në jetën artistike, Myfarete Laze është një nënë dhe një zonjë shtëpie shembullore. Ajo e ka gjetur kurdoherë mundësinë për mbarëvajtjen e familjes e në mënyrë të veçantë të rritjes dhe edukimit të dy vajzave bashkë me bashkëshortin, për të cilin siç thotë me humor: “asht një tip i kundërt me mua, por siç thotë fizika, dy pole të kundërta tërhiqen ma shumë”.
Duke dhënë një vlerësim ajo mendon se brezi i saj i artistëve e ka të kalitur pasionin dhe përgjegjësinë ndaj këngës dhe insiston të thotë me të madhe se “artistët shqiptarë janë heronj”. Ka kaluar shumë prova të vështira në jetë, megjithatë optimizmi i saj kalon çdo cak. Humori që buron brenda kësaj natyre e ka mundur çdo peripeci dhe beson me optimizëm në ditët që do vijnë.
Albumi “Më mungon” që Myfaretja ka nxjerrë kohët e fundit me 11 këngë të përzgjedhura nga krijimtaria e saj, siç thotë këngëtarja nuk erdhi thjesht si një album komercional, por si një peng, si plotësim i një boshlleku që do të plotësonte fondin e fonotekës së muzikës shqiptare, por njëkohësisht edhe si plotësim i dëshirës së adhuruesve të saj.
Në këtë album spikasin këngët: “Të ndez një shpres”, “Sa më mungon”, “Unë e dua Çamërinë”, bashkëpunim me Aleksandër Gjokën, “Zemër nëne”, “Zemër e trazuar”, “Për një grua”, “Po të lindja dhe një herë”, “Bozhur” duet me vëllezërit korçar, “Shoqet ilegale” duet me Anjeza Shahinin, Potpuri me këngë të Jugut së bashku me Ervin Bushatin, Soni Malaj, duet me Françesk Radin,etj, që janë edhe arritjet më të spikatura të karrierës së saj si këngëtare.
Jo për statistikë, por për një njohje më të gjërë të veprimtarisë së saj po evidentojmë edhe pjesëmarrjet dhe çmimet që ajo ka fituar në mënyrë të veçantë në festivalet e këngës në RTSH deri në vitin 2002, ku nuk ka munguar asnjëherë.
Në repertorin e kësaj këngëtareje numërohen mbi 85 këngë, kompozuar vetëm për zërin e saj.
Çmimet e Festivaleve në RTSH
“Shoqet ilegale” muzika Agim Prodani, teksti Xhuliana Jorganxhi, çmimi i parë.
“Nën kurorën e ullirit” muzika Enver Shëngjergji, teksti Xhuliana Jorganxhi, çmimi i dytë
„Nusja e maleve“ çmimi i dytë me Agim Prodanin
“Gjuha e jonë” çmimi i tretë
„Kur çelin bozhuret“ Limoz Dizdari çmimi i tretë
„Udhët e atdheut më thërrasin„ L. Dizdari, çmimi i tretë
„Të përshëndes atdheu im“ L. Dizdari, çmimi i tretë
“Pragu i vegjëlisë“ Flamur Shehu, çmimi i tretë
“Lumturia s’është dhuratë” F. Shehu, çmimi i tretë
“Eja” F. Shehu, çmimi i tretë
“Po të lindja dhe një herë” Kujtim Laro, çmimi Çesk Zadeja
“Për një grua” Alfred Kaçinari, çmimi i tretë
Çmimi i parë tek festivali i interpretuesve 1981
“Zemër nëne” Enver Shëngjergji, çmimi i tretë
Fituese e shumë e shumë anketave muzikore si “Nina nana” Xhavit Ujkani, ”Pakëz dritë” Spartak Tili, “Faqe kuqja” Pjetër Gaci, “Biri im” Ruzhdi Keraj, Zef Çoba , Kujtim Laro, Gazmend Mullai etj.
Në përvjetorin e dyzet e pestë të RTSH, në mbrëmjen gala, Myfaretja u zgjodh në pesëshën më të mirë të këngëtarëve të viteve 60-85, përkrah Vaçe Zela, Ema Qazimi, Gaqo Çako, Luan Zhegu, Myfarete Laze.
Në festivalet e këngës qytetare të organizuar në Shkodër: çmim të parë me këngën e Zef Çobës, çmim të dytë me një këngë të Adil Ujkashit, çmim të tretë me një këngë të Zydi Barbullushit.
Myfaretja në planet e saj krijuese po punon për disa bashkëpunime me muzikën çame me grupin polifonik të Ansamblit shtetëror.
11220835_1053467464684295_3981297530358646077_n
12011196_1053468361350872_2123510527088035582_n
11014959_1053468374684204_3064069961298297033_n
11210438_1053468364684205_3509057179389725720_n
12009612_1053468368017538_3984696550679661436_n
11214294_1053468371350871_3010335104744461402_n
12003185_1053468341350874_8475310363503599831_n


Leave a Reply