
Romancë – E keni pyetur ndonjëherë veten se sa kohë do t’ju duhet të rikuperoheni nga një dështim në dashuri? Shkenca ka zbuluar afatet në varësi të seriozitetit të lidhjes dhe të dhënat mund t’ju ndihmojnë shumë
Një studim i ri, që synon të zbulojë efektet pozitive të ndarjeve, ka sugjeruar se duhen tre muaj për të lënë pas lëndimin nga përfundimi i një marrëdhënieje.
Kërkimi i botuar në Revistën amerikane të Psikologjisë Pozitive, zbuloi se duhen 11 javë për të ndier efektet përfituese të një ndarjeje, sado e padëshiruar qoftë. Kjo vjen pas zbulimeve të mëparshme, ku thuhej se duhen gjashtë muaj për të marrë veten nga një zemër e thyer.
Gary Lewandowski dhe Nicole Bizzoco nga Universiteti Monmouth, Nju Xhersi, mori në pyetje 155 njerëz që kishin përjetuar një ndarje nga partneri/ja në këta gjashtë muaj e fundit.
Ata zbuluan se 71 për qind e njerëzve fillojnë t’i shohin aspektet pozitive të ndarjes në një periudhë të shkurtër kohore. Ata që ia dalin t’i kalojnë me sukses tre muajt e fillimit, përshkruhen si një kontingjent që e kanë lënë pas tashmë ‘zonën e shërimit’, një periudhë të mësimit me situatën e re të dhembshme dhe marrjen e vetes.
Lewandowski dhe Bizzoco zbuluan se njerëzit fillojnë të ndihen më mirë për veten dhe zhvillojnë strategji të forta për të vepruar më mirë në të ardhmen, brenda 11 javëve. Megjithatë, ky hulumtim mund të aplikohet vetëm për marrëdhëniet afatshkurtra.
Një studim i ndarë që analizoi sa kohë do t’u duhej çifteve të kalojnë një divorc, zbuloi se afati kohor është dukshëm më i gjatë.
Sipas faqes së njohjeve Fifties.com, duhen rreth 18 muaj për të kaluar një martesë të thyer, që do të thotë gjashtë muaj më shumë sesa vlerësimi i studimit të mësipërm për lidhjet afatshkurtra.
Kjo, për shkak se një martesë konsiderohet si një zotim më serioz. Një në gjashtë nga ata që u pyetën prej uebsajtit, thanë se e kishin të vështirë të përballeshin me dështimin e ndjenjave.
Dhe ndërsa 43 për qind e njerëzve thanë se kishin ndier në të njëjtën mënyrë çlirim pas këtij afati kohor, 31 për qind e të divorcuarve thanë se edhe pas 18 muajsh ndiheshin të dëshpëruar.
Si të kalosh tronditjen e një ndarjeje?
Nëse papritur e gjeni veten vetëm, mos u dëshpëroni. Një eksperte e lidhjeve në çift, Pam Spurr, ju këshillon si të shëroni lëndimin e zemrës.
Mos fajësoni veten
Rregullisht kujtojini vetes se marrëdhënia mori fund, për shkak se partneri juaj kishte problem me komunikimin, gjë që nuk ka të bëjë me ju. Ju kishit vullnet dhe ishit në gjendje të flisnit rreth problemeve tuaja, por partneri juaj nuk mund t’ia dilte me këtë. Është humbja e tij.
Merruni me diçka të re
Është e rëndësishme që të bëni një aktivitet të ri, i cili nuk ka lidhje me ish të dashurin tuaj dhe diçka që ai/ajo nuk donte që ju të bënit. Shumë njerëz që përjetojnë këto lloj ndarjesh, bëjnë të njëjtat gjëra që bënin më parë me ish të dashurit e tyre dhe kjo e rrit dhembjen. Lërini pas aktivitetet përsëritëse dhe bëni aventura të reja vetëm.
Dilni me të tjerë
Ndonëse pas një lidhjeje nuk është koha për të krijuar një tjetër marrëdhënie kuptimplotë, krijoni një lidhje për qejf. Shijoni miqtë tuaj, dilni me persona interesantë dhe fokusohuni 100 për qind që të harroni lidhjen e vjetër.
Mos mendoni vetëm atë që iku
Nëse kaloni shumë kohë vetëm dhe mendoni për lidhjen që kishit dhe nuk e keni më, kjo është një kohë e çuar dëm. Shpenzoni kohë me familjen dhe miqtë, ata do t’i keni pas çdo ndarjeje. Ata janë të vetmit persona që e duan lumturinë tuaj mbi të gjitha.
Nxirreni nga mendja
Edhe nëse e ndieni vërtet personin që keni humbur, është koha ta nxirrni nga mendja. Thojini vetes ‘nuk më intereson’ dhe pas pak kohësh, do ta besoni edhe vetë se kjo është e vërtetë.
Bota Sot


Leave a Reply