
Pas premierës së shumëpritur në kinematë e të gjithë botës të dy ditëve më parë, që i ndërpret ngjarjet aty ku bëhen më interesante, fansat i kanë kthyer sytë nga libri, duke shënuar rekorde të reja të librit më të shitur të të gjithë kohërave. Me gjithë joshjen e paprecedentë por edhe kritikën e pamëshirshme, askush nuk di ta thotë me saktësi se çfarë i nxiti lexuesit të marroseshin pas trilogjisë “50 hijet e Greit”. Stili i të rrëfyerit?Historia e dashurisë apo erotizmi eksplicit? Të gjitha bashkë apo asnjëra nga këto?
Mjaftoi zhurmnaja e premierës së shumëpritur të filmit, e cila këtë javë po bën xhiron me shpejtësi marramendëse nëpër kinematë e botës, duke nisur nga ajo e Berlinit, ku u mbajt edicioni i 65-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, për të vijuar me Londrën e për të mbërritur edhe në Shqipëri, që t’i bënte të pasionuarit pas historisë së dashurisë dhe aventurave seksuale, (ndoshta kureshtarët më të mëdhenj kanë qenë ata pas aventurave seksuale) së Anastasia Still dhe Kristian Grei, t’i kthenin sytë nga libraritë, duke i shtuar edhe më rekordet e bestsellerit që deri më tani i numëron 100 milionë kopje të shitura në të gjithë botën. Filmi mbyllet pikërisht aty ku përfundon edhe libri i parë i trilogjisë së autores britanike, E.L.James, e cila është edhe producente e versionit kinematografik, një truk marketingu ky për të rritur edhe më shumë arkëtimet e shkrimtares më të pasur në botë- me afro 100 milionë dollarë sipas revistës Forbes– për të tërhequr edhe njëherë vëmendjen te libri. Me gjithë joshjen e paprecedentë por edhe kritikën e pamëshirshme, askush nuk di ta thotë me saktësi se çfarë i nxiti lexuesit të marroseshin pas trilogjisë “50 hijet e Greit”. Historia e dashurisë, e përshkruar në vija të trasha, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Ajo një studente e thjeshtë 21-vjeçare, e cila bie në dashuri me bukuroshin miliarder 27-vjeçar. Një fabul e njohur alla-hirushe, me ndryshimin e vetëm ku seksi vjen i përshkruar detajisht. Të ketë qenë ky i fundit që i bëri për vete atë masë qindra milionë lexuesish? Fakt: Letërsia erotike ka ekzistuar përpara “50 hijeve…” madje shumë më e fuqishme, më e detajuar, edhe kapërcyese e kufijve moralë, edhe në shoqëri dhe epoka më të ndrydhura se ajo perëndimore e këtij shekulli. Ishte narracioni i autores së panjohur që i mbajti të gjithë të ngërthyer faqe pas faqeje, duke i gllabëruar të tre librat me uri të papërshkrueshme? Kritika e ka gjykuar me nota jo shumë pozitive, duke e quajtur përsëritës, të shkruar keq, madje as edhe seksi, duke e goditur edhe në pikën e fortë të tij. Trilogjia “50 hijet e Greit” është një trill i lindur në moshën e internetit. Ajo që më 2009-ën, do të niste si një fiction për fansat e website-it kushtuar serisë “Twilight” të autores Stephanie Meyer, shumë shpejt do të shndërrohej bestsellerin që kishte shitur më shumë kopje, në kohën më të shkurtër. Në thuajse tre vjet, qëkur shtëpia botuese “Random House” nisi të botonte librat- gjë që i dha prestigj trilogjisë, e cila ishte botuar nga një shtëpi e vogël australiane vetëm në version online, ata shitën mbi 100 milionë kopje në të gjithë botën dhe rreth 45 milionë në ShBA. “45 milionë amerikanë nuk mund ta kenë krejt gabim”, – shprehej drejtori i Random House, ndaj kritikave të librit. Libri ia kaluar në shitje edhe të gjithë librave të “Harry Potter” të marrë së bashku. Në çdo një sekondë shiteshin dy kopje të librin. Audienca, sigurisht ishin gra kryesisht në të tridhjetat, dyzetat dhe pesëdhjetat, megjithatë një në tre njerëz që e blinin librin- të paktën në ShBA ku ka edhe të dhëna statistikore të sakta për këtë libri blihej edhe nga grupmosha 18-29. Që prej botimit të librit të parë, “50 hijet e Greit” ka qenë frymëzim për industrinë, nga ajo e seksit, te e modës, ushqimeve dhe pijeve… Fenomeni që e pati pikun në vitin 2012 ngjitet sërish në kurbë falë filmit, i cili i ka tërhequr të gjitha hijet dhe nuancat e pëlqimeve dhe mospëlqimeve te grija… Për aq kohë sa flitet dhe ç ‘është më e rëndësishmja fitohet me të, gjithçka është mirë.
50 hijet e përkthimit shqip
Përkthyesja e trilogjisë, Manushaqe Bako rrëfen si e zbuloi dhe e solli në shqip atë që do të bëhej suksesi më i madh i arkëtimeve të Shtëpisë Botuese “Dritan”. Ajo vlerëson gjuhën e thjeshtë të autores dhe faktin që libri i çoi njerëzit sërish te letërsia. Për kritikët e përkthimit në shqip, ajo përgjigjet se ka ruajtur besnikërisht versionin origjinal…
Ishte pikërisht në vitin 2009 kur ekzekutivja televizive, Erika Leonard kishte publikuar librin e saj në faqen e fansave të “Twilight”, atëherë kur edhe dy protagonistët Anastasia dhe Kristian kishin emrat Eduard dhe Bella, kur përkthyesja shqiptare Manushaqe Bako u prezantua për herë të parë me krijimtarinë e asaj që më pas do të merrte emrin e penës E.L.James, duke e transportuar historinë në faqen tashmë shumë popullore “ 50shades.com”
“Kisha kureshtje mbi librat e fundit që qarkullonin ata më të zhurmshmit dhe kërkoja herë pas here se ç’mund të sillnim në shqip kur hasa në versionin online të “ 50 hijeve të Greit”. Më tërhoqi stili dhe nisa të kërkoja menjëherë për autoren, e cila ishte e panjohur. Gjeta një faqe të saj online, kontaktova me e-mail, ajo pastaj ia nisi agjentit të saj, të cilët kontaktuan me shtëpinë botuese dhe në fund më kontaktoi agjenti përgjegjës për Shqipërinë, i cili më njoftoi se edhe shtëpi të tjera botuese nga vendi ynë ishin interesuar për të blerë të drejtat e botimit”- tregon Bako, e cila ka sjellë në shqip të tre librat; “ 50 hijet e Greit” “ 50 hijet më të errëta” dhe “50 hijet e çliruara”. Kushti që Shtëpia Botuese “Dritan” të blinte të drejtat e autorit, ishte që të nënshkruante një kontratë për të tre librat.“Pas një mbledhjeje në redaksi, ku po shihnim kostot kundrejt përfitimeve hipotetike nëse libri do të shitej, kushtonte shumë ta blije të gjithë trilogjinë, duke pasur brenda edhe pasigurinë e tregut shqiptar, edhe lexuesit që është disi më tradicional dhe paragjykues, duke pasur parasysh që libri është shumë erotik. Megjithë hezitimet, intuita më thoshte ta merrnim. ‘Po të mos e bëjmë ne, do e marrin të tjerët’, – u shpreha”. Intuita nuk qe aspak e gabuar, përkundrazi. Do i bënte që në fund të shisnin rreth 10 mijë kopje, shifër goxha e konsiderueshme për tregun e leximeve shqip. “Nisa përkthimin e të parit, punova shumë me orë të zgjatura, më ngjalli kureshtje. Është libër që përtej erotizmit në thelb ka dramë, personazhet janë tërheqës dhe magnetikë dhe të bëjnë të mos e lëshosh librin nga duart. Unë vetë e kam lexuar trilogjinë në gjuhën angleze për 5 ditë. Është një stil që pëlqehet, i përfshin të gjithë lexuesit, larg autorëve konvencionalë një frymë e re në letërsi. Pas “50 hijeve…” po lëvrohet shumë letërsia erotike, pasi duket që është diçka që shet. Ndërkohë që përktheja shihja se në botë kishte nisur zhurma. Madje edhe në site blerjesh online, veshjesh kishin nisur të përdoreshin titujt me “50 shades of…”, gjë që të linte të mendoje se diçka do të ndodhte me këtë libër, që premtonte sukses”, vijon ajo. Pasi libri doli nga shtypshkronja pa mbaruar shpërndarjen në të gjitha libraritë, nisën telefonatat duke kërkuar kopje të tjera. Lajmi ishte shpërndarë me shpejtësi marramendëse edhe në libraritë e rretheve dhe ata nisën të kërkonin kopje. “Në një kohë relativisht të shkurtër botuam të dytin. Kishim një presion të vazhdueshëm nga lexuesit dhe libraritë që na e kërkonin shpejt. Madje edhe na sugjeronin që ta ndanim mes përkthyesish, por ishte diçka që nuk e doja, pasi një përkthyes jep nga bota e tij, këndvështrim i tij, stili dhe do të kërciste nëse do të bëhej nga disa duar përkthyesish. Libri është i thjeshtë në gjuhë dhe narracion, nuk është impenjativ ndaj edhe përkthimi ecte shpejt”- shprehet përkthyesja. Pasi ka dëgjuar kritika për përkthimin në shqip, ajo përgjigjet se i ka qëndruar besnike origjinalit, duke përdorur bash ato terma që ka zgjedhur të përdorë në përshkrime- sidomos ato erotike- edhe britanikja E.L.James. I kam qëndruar besnike origjinalit në përkthim, nuk mund të përdorja shprehje në zhargon ku vetë autorja zgjidhte terma më të elaboruar ose shkencorë. Ata që e kane kritikuar përkthimin, mendoj se as nuk e kanë lexuar fare versionin në shqip”. Madje ajo sqaron edhe shqipërimin e titullit, ku debati mes lojës së fjalës gjetur me kast nga autorja mes Grey- protagonistit dhe Grey- ngjyrës gri. “Pasi u konsultuam me autoren, vendosëm kështu. Edhe versioni spanjisht në Amerikë e ka përkthyes pas nesh, dhe ka zgjedhur termin “hijet”. Sa i përket suksesit marramendës të librit, Bako nuk mendon se ka ardhur për shkak të erotikës që ka brenda. “Ka libra erotikë shumë më të detajuar, shumë më të fuqishëm. Mendoj se është historia e dashurisë, ideja e një mashkulli i cili jepet i gjithi pas teje, kjo i bën femrat të ëndërrojnë…Libri është dinamik, i shpejtë, shpreh emocione jo përsiatje filozofike. Ndaj edhe është preferuar nga lexuesi femëror, megjithatë njoh mjaft meshkuj që e kanë lexuar dhe u ka pëlqyer”,- vijon Bako, e vetëdijshme se nuk ka sjellë në shqip letërsi të nivelit për çmim Nobel. “Është letërsi e një kategori më të gjerë. Një vlerë e madhe e librit është që i ka bërë njerëzit t’i kthehen leximit”. Për përkthyesen që e ka takuar autoren në Panairin e Frankfurtit më 2012-n, në një takim që ajo bëri me botuesit e librit nëpër botë, “50 hijet e Greit” nuk është gjetje komerciale. “ Mendoj se e ka shkruar siç e ka ndier. Ajo lexon shumë dhe atë çka ka lexuar gjatë jetës së saj e pasqyron në stilin e të shkruarit”. Si të gjithë të pasionuarit pas “50 hijeve” edhe përkthyesja ka qenë në kinema për të ndjekur premierën e filmit, i cili ende pa dalë është përfolur shumë për skenat e seksit. “Kur ke lexuar librin, pritshmëritë janë të ndryshme, edhe më të mëdha. Filmi i kishte prekur përciptazi detajet, nuk ishte aq i thellë sa është libri”. Ishte zhurma që në një botë kaq globale, trokiti sërish në Shqipëri duke e bërë librin të kërkuar këto ditë në librari, pranon Bako. “Ka nga ata që nuk e kanë lexuar librin dhe kanë parë vetëm filmin dhe janë bërë kuriozë. Sigurisht që ka ndikuar reklama botërore për shitjet. Këto janë raste një në një milion që u ndodhin shtëpive botuese, sidomos atyre shqiptare që përpiqen të mbijetojnë në një treg të vështirë e problematik si ky i yni” –thotë ajo, duke cituar një shprehje të Marlon Brandos. “Kur botuesi i kishte kërkuar të shkruante biografinë e tij dhe e kishte paguar shumë, ai thoshte: “ Më vjen turp për paratë që po marr për të shkruar jetën time, që nuk është se ka ndonjë gjë interesante. Vetëm pse jam Marlon Brando. Më vjen turp kur mendoj sa para po marr për këtë, pro nga ana tjetër, jam i lumtur sepse me paratë që do të fitojë nga ky libër, do e ndihmojë botuesin të sjellë letërsi të mirë. Ka autorë shumë të mirë, letërsi shumë të mirë, që nuk shesin”- pranon ajo. Pavarësisht motiveve, dy gjëra janë të sigurta: lexuesit besnikë dhe fitimet, për aq kohë sa do të zgjasë fenomeni, sigurisht.
Përshtypje
Floriana Garo, Prezantuese televizive
Libri, ndikues në rritjen e vetëdijes seksuale
Në fakt mua më ka pëlqyer edhe libri edhe filmi. Mendoj që libri ka tërhequr kaq shumë pikërisht sepse është një histori e mirëfilltë dashurie, e trajtuar disi ndryshe. Natyrisht që aspekti seksual në këtë histori është shumë i rëndësishëm dhe trajtohet shume guximshëm, por është historia e dashurisë që të lidh me të. Dy partnerë që sakrifikojnë nga vetja për t’u përshtatur me njëri-tjetrin. Ana, ajo vajza jo tradicionalisht e bukur, por me një botë të mrekullueshme shpirtërore dhe Kristian, djali perfekt në dukje, por me një botë shpirtërore të trazuar. Libri lexohet me një frymë dhe ka frymëzuar miliona njerëz. Ka ndikuar shumë edhe në rritjen e vetëdijes seksuale te shumë gra dhe vajza. Aspekti negativ i dhunës i trajtuar në formën e sadomazokizmit të Kristian Greit nuk është për t’u neglizhuar, por lexuesi duhet të jetë mendjehapur dhe ta shohë përtej asaj që duket. Për mua, libri dhe filmi janë një ide e mirë për t’u lexuar dhe parë nga të gjithë ata që duan të lidhen me partnerin në një nivel tjetër, krejt të ndryshëm nga ç’janë mësuar.
Iva Tiço, Gazetare
50 hijet e kotit
Nuk mund t’i rrije indiferent “50 hijeve”. Çdo revistë e huaj fliste për të. Një mikeshë që sapo kishte bërë pushimet e verës jashtë i kishte shkarkuar në iPad të tria vëllimet dhe i kishte përpirë brenda pak ditëve duke na këshilluar të gjithave se nuk duhej humbur. Ndaj nuk e humba. Veçse prita ca, sepse po lexoja diçka tjetër dhe sepse si besnike e letrës u desh të prisja sa të dilte botimi në shqip. Nëse do kishte një çmim për përkthimin më të keq të mundshëm, botimi i “50 hijeve të Grejit” dhe më pas “50 hije më të errëta” e në fund “50 hije të çliruara”, nuk do kishte asnjë rival të mundshëm. Përtej atij teksti të mjerë në shqip, u përpoqa ta mendoja si mund të ishte në origjinal. Ç’ishin ato pesëdhjetë hije? Pse jo 35? Ose 49? Ose 60? Ncuq, ncua, ncuq. E pakuptueshme. Skenat e seksit disi më të kuptueshme, edhe pse të mbetet në mendje se si një vajzë njëzetë e ca vjeçare ende e virgjër i jep fund pritjes dhe virgjërisë bashkë me të në një dalldisje dashurore që lind brenda ca orëve e pastaj performon në seks si yll pornografie. Shtoji kësaj edhe përkthimin në shqip ku organi seksual femëror quhet “nënvete” dhe ja ku ia hoqe librit dhe atë elementin kryesor të suksesit në botë: erotizmin që ngjall tek lexuesi.
Nëse vëllimi i parë kishte njëfarë tërheqje për të mësuar se si mund të jetë një lidhje sado- mazokiste (se dreqi e mori nuk është se kemi pasur rastin të dëgjojmë të tilla), në vëllimin e dytë e më tej në të tretin, autorja mesa duket është lodhur dhe vetë me gjithë atë seks dhe është lëshuar në të tjera sfera. Blackberry iPad, Saab dhe më pas Audi, pastaj rroba, shumë rroba, gjithë rrobat që një vajzë do donte t’i dhuronin, këpucë e çanta, pastaj diamante, apartamente, vila, udhëtime me jahte, me avionë privatë, në plazhe dhe në ski… Të gjitha që t’i jep një burrë, që të dashuron pafundësisht, që për ty heq dorë dhe nga gjërat më të errëta…
Këtu leximi i librit bëhet i mundimshëm, mund të kapërcesh faqe të tëra si në kohën e shkollës, me librat e detyruar. Por gjithsesi të tilla gjërave u duhet shkuar deri në fund. Për të parë se deri ku shkon budallallëku që në botë shet miliona kopje. Për të kuptuar që njerëzit kanë nevojë për të tilla histori me “princa’ gri që të dhurojnë telenovelën dhe channel x njëkohësisht. Për të parë se si me mijëra femra ëndërrojnë të gjejnë një të tillë burrë që ua blen të gjitha e nëse i rreh nga pak, punë e madhe, kjo ka lezetin e vet dhe është seksi. Dhe për t’i shkuar kotësisë deri në fund, duhet shkuar dhe në kinema. Sepse në film do ketë rroba të bukura dhe të dielën pasdite gjithkush ka nevojë për nja dy orë kotësi. Për të harruar gjithçka të hënën.
Albatros Rexhaj, Shkrimtar
Arti i shekullit të ri ka funksion çlirues
Libri ka komunikuar me fantazitë sekrete të secilit. Arti i ri i shekullit të ri ka funksion çlirues, përtej skemave të turpit dhe asaj që shoqëria e dogmatizon si të moralshme. Libri nuk është gjetje marketingu. Të gjithë botuesit fillimisht kanë refuzuar ta botojnë. Ky libër e ka gjetur vetë rrugën deri te lexuesi dhe pas suksesit ka vendosur standard të ri.
Arbër Kadia, Prezantues televiziv
Një letërsi prej dyqanesh seksi
Nuk e kam lexuar librin, por kam lexuar rreth tij për të krijuar një ide timen. Për mua, ky është kalimi në mainstream i një zhanri letërsie, i cili në dyqanet e seksit ka vite që ekziston. Bota po kalon ne një cikël të ri revolucioni seksual.
Blerina Zylyftari, Gazetare
Subjekt patetik
Më duket një libër pa vlerë letrare. U pendova kur e lexova. Duke qenë se i mungonte një subjekt për së mbari, ose të paktën, një subjekt normal, lexoja e lexoja mos në vazhdim do të zbulohej diçka interesante, por asgjë. Për të mos thënë që ishte patetik: Ajo një “gazetare” modeste e pabukur, ai 27 vjeç, i bukur si perëndi, miliarder dhe i ra në kokë për këtë vajzën. Sa i përket atyre që lexova rreth seksit, mund të them se i mësova ca gjëra, të cilat nuk i kisha menduar kurrë.
Klasikët erotikë përpara “50 hijeve të Greit”
“Madame Bovari” nga Gustav Flober
Ndoshta nuk i keni dhënë këtij leximi një shans të dytë që prej letërsisë së shkollës së mesme, por nëse është kështu, po humbisni një nga librat klasikë të konsideruar si skandalozë dhe revolucionarë për kohën e tij. Historia e një gruaje nga shtresa e mesme, Ema Bovari, dhe historitë e saj jashtëmartesore që ajo shijon në përpjekje për të gjetur emocion dhe kuptim për jetën.
“Venusi me peliçe” nga Leopold von Sacher-Masoch
Është një punë tipike e fetishizmit BDSM( bondazh, dominim, nënshtrim dhe mazokizëm) Historia sillet rreth një burri mazokist dhe deri ku do arrijë ai për t’i treguar dashnores dashurinë dhe adhurimin e tij. Është erotik dhe argëtues, ndaj mbetet një ndër të preferuarit e dashamirësve të librit erotik në të gjithë botën.
“Kama Sutra: Arti erotik i dashurisë dhe seksit” nga Mallanaga Vatsyayana
Flet rreth erotikës klasike. Kama Sutra është i mirënjohur mes shumë brezave dhe kulturave, edhe pse është shkruar në shekullin e katërt. Pavarësisht historisë së gjatë, kjo guidë informuese me ilustrime mbetet një “must” për dashnorët.
“Justine” nga Markezi de Sade
Jeta e vajzës së re Justinë ka përfshirë një seri takimet seksuale që variojnë nga eksplicite në ekstreme, duke përfshirë skena ku ajo detyrohet të bëhet një skllave seksi. Autori, Markezi de Sade është personi pas termit “sadizëm” dhe është i njohur për abuzimin dhe keqtrajtimin e grave, kryesisht për kënaqësi seksuale.
“Frikë nga fluturimi ” nga Erica Jong
Historia e Isadora Wing mbetet një rrëfenjë e qëndrueshme dhe çliruese për gratë kudo në botë. Flet për eksplorimin seksuale të Isadoras, ndërsa udhëton drejt Vjenës dhe efektet e fuqishme sensuale të udhëtimit në jetën dhe marrëdhënien e saj,
“Historia e O-së” nga Pauline Reage
Libri flet për një grua të re, O-në, dhe nënshtrimin e saj seksual ndaj partnerit Rene. Megjithëse kalon ndëshkim intensive dhe sensual në duart e dashnorit. E bën me vullnetin e saj. Një lexim tronditës që eksploron motivimet dhe dinamikat e marrëdhënieve BDSM.
“Lutja e bukuroshes së fjetur” nga Anne Rice
Rice ritregon historinë klasike të bukuroshes së fjetur, vetëm se kësaj here përfshin leksione të nxitjes seksuale dhe ndëshkimit erotik.
Vox nga Nicholson Baker
Historia e dashnorëve në telefon përmes një reviste për të rriturit. Historia është unike dhe sfiduese për zhanrin në të cilin është shkruar në formën e bisedës së tyre dhe detajet e fuqishme erotike e bëjnë një libër që duhet lexuar.
“Dashnori i Ledi Shaterleit” nga D.H. Lawrence
Tregon mbi një grua aristokrate dhe historinë e dashurisë që ndodh mes saj dhe një burri të shtresës së ulët që vjen për të punuar në pronën e saj. Ishte revolucionare për kohën sepse përfshinte përdorimin e disa fjalëve të “pabotueshme”. Shekuj më vonë, ende mbetet një fuqi sensuale.
“Emmanuelle” nga Emmanuelle Arsan
Një vajzë e sapomartuar kalon një sërë aventurash erotike dhe sensuale që përfshijnë gjithçka; nga hedonizmi te masturbimi i ndërsjellë. Konsiderohet një klasik për kohën dhe madje është bërë edhe film më 1974-n.
MAPO


Leave a Reply