Sadije e Dritëro Agolli, çifti që shkëmbeu unazat më 4 korrik 1965 javën e kaluar kanë përsëritur të njëjtin ritual. Shkrimtari i njohur i vuri një tjetër unazë në gisht të dashurës së tij, kësaj here më të bukur dhe me gurë më të çmuar, ashtu siç është bërë edhe martesa e tyre me kalimin e dekadave.
“E dashuruar si gjithnjë dhe me një unazë floriri në gisht (qesh dhe tregon unazën.) Ma bëri dhuratë Driteroi për 50-vjetorin e martesës. E pëlqyem dhe e zgjodhëm të dy. Ne nuk lëvizim dot nga shtëpia, por shkoi vajza dhe fotografoi disa unaza. Na i tregoi dhe ne zgjodhëm këtë”, tregon Sadije Agolli.
Ata janë njohur në dasmën e Helena dhe Ismail Kadaresë në 1963 dhe një vit më pas janë fejuar. Asokohe ai ishte 32 vjeç, ndërsa Sadija 21, një diferencë vitesh që nuk u vu kurrë në peshore.
Ajo tregon dhe për kushtet që i vendosi Dritëroit para se të martoheshin.
“Pasi ndenjëm një vit të fejuar, siç ishte tradita, vendosëm të martoheshim. Por në fillim I thashë: “Dua të pranosh disa gjëra Dritero. Im atë falet 5 herë në ditë…” Falej dhe kur nuk u lejua më. U fal fshehtas derisa ndërroi jetë. Ndaj I thashë Driteroit: “Kur të vijë babai në shtëpi, do të falet. Dhe ne nuk do të fusim mish derri në shtëpi kur të jetë ai në shtëpinë tonë.” Driteroi më tha që të falet si të dojë e kur të dojë, dhoma ka, nuk përbën problem. Kështu që u martuam më 4 korrik 1965.”
“Natën e parë të martesës e kaluam në ballkon, në një kolltuk dysh. Gjithë natën aty në ballkon dhe karshi nesh ishte ATSH-ja e vjetër dhe Driteroi thoshte: Se mos na shohin ata të ATSH-së…”
Historia e Sadijes dhe Dritëroit hyn tek ato të pazakonshmet, edhe pse e rrëfyer nga ajo e bën të duket si e zakonshme, çështje modestie kjo.
“Ka qenë sëmurë, vapë e madhe dhe gjithë këto kohë nuk ndihet mirë”, thotë ajo, ndërsa tregon për maskat e oksigjenit që i duhet t’i vërë herë pas here bashkëshortit të saj, tregon në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Gjendja e tij jo e mirë shëndetësore ka bërë që të ndërpresin punën edhe për një vëllim me poezi, të cilin dëshironin ta botonin me rastin e 50-vjetorit të martesës.
Është një libër që Dritëroi ia kushton ekskluzivisht Sadijes, ashtu siç Sadija i ka kushtuar gjithë jetën atij; plot dashuri e përkushtim.
“Nga vjeshta, shpresojmë”, thotë Sadija, që herë pas here futet në dhomën tjetër për të parë nëse është mirë Dritëroi. Ka një vit e gjysmë që ajo nuk largohet më nga shtëpia. Ai ka shumë më tepër. Që të dy rrinë brenda mureve të apartamentit, “të burgosur” nga gjendja shëndetësore, me akuzën “sakrificë për dashurinë”.
“Nuk më mungojnë shëtitjet jashtë të dal vetëm. Lirinë time e kam këtu brenda shtëpisë”, thotë ajo.
Leave a Reply