Nga 42 bashki ku është mbyllur numërimi, koalicioni I kryeministrit Rama ka fituar në 30 prej tyre. Surprizë disa rezultate të së majtës në Veri, e djathta hakmerret në jug, merr Përmetin dhe Pogradecin. Në Tiranë Veliaj kryeson ndjeshëm
Në Shqipëri vazhdon procesi i numërimit të votave. Në afro 42 bashki ku ky proces ka përfunduar deri në orën 19.00, koalicioni I majtë I drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka marrë shumicën e tyre, ndërkohë që është në avantazh thuajse në të gjithë qytetet kryesore të vendit. E majtë ka mundur të marrë disa Bashki në veri, të cilat historikisht kanë qenë të djathta, ndërsa ka humbur në të tjera që konsideroheshin si pika të forta të saj në jug të vendit.
Rezultatet kanë ofruar jo pak surpriza në ato bashki ku procesi i numërimit ka përfunduar. E majta ka shtrirë praninë e saj në disa bashki në Veri. Mund të flitet për suprizë në Has, Pukë dhe Fushë-Arrës, ndërkohë që ka lëshuar Matin. Jo pak të papritura janë dhe disa fitore të së djathtës, si ato në Përmet, në Pogradec apo dhe në Selenicë e Mallakastër. Koalicioni i udhëhequr nga Lulzim Basha ka mundur të ngushtojë diferencën deri në disa qindra vota edhe në Berat, zona ku e majta ka qenë me një avantazh prej mijëra votash ndaj saj. Edhe në Lezhë, kur duhen ende afër 20 kuti për t’u hapur, kandidati i së djathtës është në avantazh.
Rezultatet e deritanishme kanë sjellë një rikonfigurim të ri të hartës elektorale e cila nuk është më e ndarë me një të djathtë që dominon Veriun dhe të majtën Jugun e vendit. Tani shpërndarja gjeografike nuk është më aq uniforme.
Deri afër mbrëmjes ishin numëruar votat për 42 Bashki, nga të cilat 30 kanë shkuar për të majtën dhe vetëm 12 për të djathtën. Bëhet fjalë kryesisht për zona ku numri i zgjedhësve nuk është shumë i lartë. Në lojë janë ende bashkitë e mëdha. E majta ka zgjeruar vazhdimisht avantazhin e saj në kryeqytet. Kandidati i saj Erion Veliaj ka krijuar një diferencë prej më shumë se 29 mijë vota kur janë numëruar afër 70 përqind e kutive të votimit. Zoti Veliaj është mbi 14 pikë përqindje ndaj kandidatit Halim Kosova. Në Tiranë bie në sy se kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi vazhdon të ruajë një kuotë prej 5-6 përqind të votave. Një shifër domethënëse, nëse kihet parasysh se rivalët e tij kishin mbështetjen e një numri të madh forcash politike.
Edhe në Durrës, ku procesi po ecën me ngadalësi, kandidati i majtë Vangjush Dako ka vazhduar gjithashtu të thellojë diferencën me rivalen Grida Duma, me mbi 5 mijë vota kur kanë mbetur ende për tu numëruar gati dy të tretat e kutive.
Thuajse në të gjitha Bashkitë e mëdha e majta është në avantazh me përjashtim të Shkodrës, ku e djathta shpreson të rikthejë kontrollin e saj pas humbjes në zgjedhjet e 2013-ës.
Procesi i numërimit nuk po ecën kudo njëlloj. Shpesh ai ndërpritet për shkak të lodhjes së numëruesve apo dhe mosmarrëveshjeve mes tyre. Duke patur parasysh se pas rezultateve për kryetarët e Bashkive do të nisë dhe procesi për këshillat Bashkiak, procesi rrezikon të kërkojë disa ditë të tjera për t’u përmbyllur.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply