
Faton Mehmetaj
Ka dyshime të bazuara, se në sulmin sllavo-maqedonas kundër Lagjes së Trimave në Kumanovë, përveç njësive elite të policisë dhe një të tretës së forcave të përgjithshme të ushtrisë së Maqedonisë, të kenë marrë pjesë edhe njësitet e xhandarmërisë së Serbisë, trashëgimtare të njësisë famëkeqe për operacione speciale – JSO. Një gjë e tillë nuk është çudi, pasi që qysh para tre vjetësh Maqedonia ka marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë në këtë drejtim.
Marrëveshjen për bashkëpunim policor ndërmjet Serbisë e Maqedonisë e nënshkruan zyrtarisht më 18 prill të vitit 2012, në Beograd, homologët nga MPB e Maqedonisë dhe e Serbisë, Gordana Jankullovska dhe Ivica Daçiq. Përveç shkëmbimit të patrullave policore të të dy vendeve me territore gjatë sezonit veror, marrëveshja serbo-maqedonase parasheh që të shkëmbejnë policë edhe në situata të caktuara, si ato të rrezikut të lartë. Marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi në fushën e sigurisë ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Jankullovska, kishte nënshkruar edhe me Federatën Ruse, përkatësisht me homologun e saj rus, Rashid Nurgaliev, më 27 tetor 2011, në Moskë.
Ka vite që Maqedonia është duke u përplasur mes Lindjes e Perëndimit, por realisht kohëve të fundit ajo është pozicionuar në anën e Rusisë dhe kundër Perëndimit.
Gjatë kohës kur filloi lufta në Kumanovë, pikërisht më 9 maj, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov bashkë me homologun e tij serb Tomisllav Nikoliq gjendeshin në Moskë, bashkë me trupat ushtarake serbe e maqedone për të marrë pjesë në paradën ruse. Këta ishin të vetmit nga rajoni dhe bota perëndimore që u pozicionuan në anën e Rusisë në kohën e acarimit të marrëdhënieve Perëndim-Rusi, kur pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shteteve perëndimore e refuzuan ftesën e Putinit.
Në rastin e Kumanovës, siç është marrë vesh, kanë qenë të përziera edhe shërbime të huaja inteligjente, të cilat kuptohet se i kanë interesat dhe qëllimet e tyre, por në këtë rast, më shumë i kanë shërbyer Sasho Mijalkovit, i cili ka përfituar nga loja që e ka luajtur me shërbimet partnere në rajon dhe në vendet fqinje. Në përkrahje të Sasho Mijalkovit kanë qenë edhe shërbimet sekrete serbe dhe ruse, të cilat ishin influencuese dhe me ndikim tek shërbimi sekret i inteligjencës maqedonase. Kjo qasje e Mijalkovit është vërejtur të jetë një lloj mospërfillje apo shantazhi ndaj Perëndimit.
Maqedonia është treguar të jetë shtet tepër joserioz, shtet i paaftë, i rrezikshëm dhe mjaft agresiv, i influencuar nga Rusia dhe Aleancat Ortodokse, gjë që përbën rrezik potencial për rajonin e më gjerë. Si e tillë, Maqedonia i ka shkelur të gjitha rregullat, konventat dhe ligjet ndërkombëtare vetëm e vetëm për t’i realizuar qëllimet dhe skenarët kundër shqiptarëve.
Forcat e sigurisë, siç u mësua më vonë, ishin të parapërgatitura për aksionin në Kumanovë, sepse një përgatitje e tillë nuk mund të ndodhë vetëm brenda pak orësh. Së paku, ku e ditën forcat e sigurisë lokacionin, vendin, pozicionet, vendndodhjen e tyre, ku janë të vendosur, me çka janë të pajisur etj. Këto të dhëna, shërbimi sekret i Maqedonisë del t’i ketë pasur me kohë dhe operacionin e ka përgatitur me kohë. Përgjegjësit e sigurisë në Maqedoni nuk kanë dashur të vendosin kontakte me pjesëtarët e grupit për të negociuar, siç ndodhë zakonisht në raste të tilla në mbarë botën e civilizuar. Shërbimet sekrete maqedonase kanë pasur të dhëna se në Kumanovë gjenden disa prej ish-luftëtarëve, të cilët e kanë udhëhequr luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001, ku si rezultat i asaj lufte ishte arritur edhe Marrëveshja e Ohrit, me të cilën shqiptarëve u njihej e drejta e shtetformimit, por që kjo marrëveshje nuk është zbatuar as pjesërisht. Pastaj, si rezultat i luftës dhe i përpjekjeve të atyre luftëtarëve dhe të tjerëve si ata, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ka arritur në pozitat udhëheqëse që i ka, dhe ishte pjesë e pushtetit ekzekutiv edhe kur ndodhi rasti i Kumanovës.
Në fakt, këto rrethana është dashur që të merren parasysh për të filluar bisedimet me grupin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Vendi ku kanë qenë duke qëndruar pjesëtarët e grupit të Kumanovës, del të jetë rrethuar shumë më përpara se të fillonte sulmi kundër tyre. Këtë e kanë konfirmuar shumë dëshmitarë okularë të ngjarjes të intervistuar më pas. Po ashtu ka shumë dilema dhe duket si një teatër videoja e publikuar nga MPB e Maqedonisë, me skenat e dorëzimit të Sami Ukshinit dhe të tjerëve (mbase është inskenuar më vonë si e tillë) si dhe bisedat telefonike të zhvilluara ndërmjet Sami Ukshinit dhe Muhamet Krasniqit me Ali Ahmetin për t’ua hapur korridorin apo për t’u dorëzuar me ndërmjetësimin e OSBE-së, e cila është treguar tepër indiferente në këtë rast, edhe pse OSBE-ja ka përvoja të mëdha sa u përket negocimeve. Por, mbase një veprim i tillë ka ardhur pasi që kryesimin e OSBE-së e ka Serbia, pra në krye të saj është Ivica Daçiq, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.
Lidhur me këtë, ndërmjet deklaratave të luftëtarëve që kanë biseduar me Ali Ahmetin dhe intervistave televizive të tij lidhur me këtë rast, ka shpërputhje të plotë. Dikush ka hedhur benzinë në gjithë këtë situatë. Grupi i luftëtarëve të Kumanovës muaj më parë ishte në dijeni të plotë për krizën që e kishte pllakosur Maqedoninë, gjë që doli në pah edhe me skandalet e përgjimeve. Ata sigurisht kanë pretenduar ta shfrytëzojnë këtë situatë për t’i shpalosur kërkesat e tyre, duke u ngritur kundër padrejtësive që po u bëhen shqiptarëve në Maqedoni me vite. Cak i tyre në asnjë rast nuk ka qenë popullsia civile, por institucionet dhe qeveria e kriminalizuar. Një gjë e tillë është thënë edhe në disa komunikata e deklarata që janë lëshuar nga Mirsad Ndrecaj dhe disa të tjerë, prandaj është absurde të mendohet se ata më përvojën që kishin e kanë zgjedhur si vendbetejë Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Shtrohet pyetja: Pse u ndryshua numri i viktimave në luftën e Kumanovës?! Qeveria e Maqedonisë ka manipuluar me shifrat dhe me emrat e të vrarëve që në fillim. Fillimisht autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i përgjithshëm i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur. Kurse Prokuroria Publike e Maqedonisë për “Radion Evropa e Lirë” disa ditë më vonë tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 trupa të vrarë, 9 shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Maqedonisë. Manipulimin me numrin e të vrarëve e vërteton edhe dokumenti i lëshuar nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë që i është dorëzuar Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, më 12 maj, i publikuar edhe në televizionin Alsat-M. (Dokumenti i publikuar i MPJ të Maqedonisë, i datës 12 maj 2015, i cilësuar “shumë urgjent” me nr. protokolli 4012-14945/3 i është dorëzuar Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup në të njëjtën ditë dhe mban nr. e protokollit të pranimit të shkresës 73/2015 dhe datën 12. 5. 2015). Nëpërmjet këtij dokumenti njoftohet Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup për incidentin e shtetasve të saj të arrestuar gjatë aksionit policor në Kumanovë më 9 maj. Në këtë shkresë zyrtare qëndrojnë emrat e 23 shtetasve të Kosovës, tre prej tyre të përsëritur nga dy herë, dhe po ashtu në mesin e personave “të privuar nga liria”, sipas këtij dokumenti zyrtar janë edhe dy shtetas, të cilët më vonë rezultuan si të vrarë, pra janë ekzekutuar në burgje.
Rrethanat e dorëzimit të disa pjesëtarëve të rezistencës në Kumanovë kanë mbetur edhe sot të dyshimta. Disa janë dorëzuar në mbrëmje e janë të ekspozuar se janë dorëzuar gjatë ditës. Për këto ekzistojnë të dhëna të bollshme.
Shërbimi sekret maqedonas i ka shkatërruar dëshmitë dhe provat që mund të dalin nga ekzaminimi i trupave të luftëtarëve të rënë në Kumanovë. Lidhur me këtë ka qenë mirë ta japë fjalën e vet Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës, ngase sipas informacioneve të saktësuara nga Shkupi kjo ka ndodhur. Prandaj, është mirë të dilet në opinion me raportin objektiv pse ka ndodhur kjo dhe cilët janë shkaktarët e vdekjes së tyre. Deri më tani shumë gjëra kanë mbetur enigmatike, të mistershme dhe të pasqaruara. Në gjithë këtë vorbull të madhe ku teoritë e konspiracionit gjetën fushë të përshtatshme veprimi për ta devijuar dhe manipuluar këtë ngjarje të madhe. Elitat politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri u treguan të paafta për ta menaxhuar këtë situatë, për ta nxjerrë në pah realitetin dhe për t’i dhënë kahjen e duhur, përderisa të gjitha instancat ndërkombëtare perëndimore kishin mendim të peshuar sa i përket ngjarjes së Kumanovës.
Këto vrasje nuk janë te vetmet që janë kryer me paramendim ndaj shqiptarëve. Që nga viti 2001 e këndej janë ndërmarrë mbi 50 ekspedita policore e ushtarake ndaj popullsisë shqiptare që jeton në Maqedoni. Janë arrestuar, burgosur e dënuar edhe me burgime të përjetshme me fakte të montuara pjesa më e fuqishme e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Janë vrarë në prita në rrethana të pasqaruara deri më sot, nga policia dhe shërbimet sekrete të Maqedonisë djemtë më të mirë. Shtypja që pushteti maqedonas po e aplikon ndaj shqiptarëve në Maqedoni, është më e egër se në kohën e inkuizicionit. Në Maqedoni shqiptarët kanë pasur dhe kanë shumë arsye të protestojnë e në fund të fundit t’i drejtohen edhe forcës së armëve për t’i kërkuar të drejtat e tyre, sepse janë nëpërkëmbur dhe diskriminuar në të gjitha segmentet e jetës.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply