Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të informojë sot Senatin në vazhdim të përpjekjeve për të bindur kongresin të ketë durim ndërsa negociatorët ndërkombëtarë punojnë për një marrëveshje bërthamore përfundimtare me Iranin.
Zoti Kerry u takua mbrëmë me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe u tha gazetarëve se shpreson se gjatë 2 muajve e gjysmë që kanë mbetur deri në afatin e 30 qershorit, ligjvënësit do t’i japin hapësirë të përfundojë këtë detyrë të vështirë.
Kongresi po diskuton mbi një projektligj që do t’u jepte anëtarëve 60 ditë kohë për të shqyrtuar një marrëveshje të mundshme bërthamore dhe më pas të votojnë për të hequr ose jo sanksionet kundër Iranit.
Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat fillon sot debatin dhe votimin për të ndryshuar amendamente të ligjit. Presidenti Barack Obama ka paralajmëruar se një ligj i tillë do të minonte bisedimet mes Iranit dhe grupit Pesë +1 (Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania). Ai ka kërcënuar se do t’i vinte veton ligjit, nëse miratohet.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply