Debat – Një vendim i Këshillit të Europës që thoshte se ligjet franceze nuk ishin të qarta mbi shuplakat e prindërve te fëmijët, ka nxitur një debat kombëtar nëse prindërit kanë të drejtën t’i disiplinojnë fëmijët me ndonjë shuplakë, apo duhet të ndjekin shembullin e suedezëve që e kanë të ndaluar?
Sinkronizohuni në radion franceze të vitit 1951 dhe mund të dëgjoni kontribuuesit të lëvdojnë përfitimet që vijnë nga shuplakat e prindërve për fëmijët. “Nuk më pëlqen ta godas në fytyrë”, thoshte një komentues. Shuplaka mund të dëmtojë veshët dhe sytë, veçanërisht kur është e fortë. Por kushdo e di që goditja e të pasmeve është e shkëlqyer për qarkullimin e gjakut.
Në atë kohë, pak e shihnin këtë këshillë si abuzive. U deshën edhe tri dekada përpara se Suedia të bëhej vendi i parë në Europë që e bëri goditjen me shuplakë të fëmijëve të paligjshme. Më shumë se 20 vende të tjera e ndoqën, por Franca qëndroi jashtë ndryshimit të mënyrës së edukimit të fëmijëve nga prindërit.
Në fillim të vendimit europian të këtyre javëve u shfaqën në median franceze artikuj me tituj si “Shuplakat: Një pasion francez” dhe kontribuues të ndryshëm kanë filluar të shkruajnë në forumet online për të mbrojtur përfitimet e “la fessee” siç njihet në gjuhën vendase.
“Ne jemi shumë të befasuar nga përgjigjja”, thotë Christine Hernandez, një shkruese në revistën më të njohur franceze për familjet, e titulluar Prindërit. Shumë prej lexuesve tanë thanë se shuplakat janë pjesë e edukimit të fëmijës. Është e çuditshme që prindërit ende mendojnë se është një mënyrë e mirë për t’i edukuar fëmijët. Ata mendojnë se duke u imponuar autoritetin e tyre fëmijëve, herë pas here ushtrojnë edhe traditën franceze.
Ashtu si vendet e tjera europiane, Franca e kriminalizoi dhunën kundër fëmijëve, por gjithashtu ua lejon prindërve t’i disiplinojnë fëmijët e tyre në një nivel të ulët. Çfarë e ndan disiplinën e nivelit të ulët nga shkelja e ligjit për mosdhunim të fëmijëve, kjo u mbetet gjykatave për të vendosur dhe shpesh nxit debate.
Në vitin 2013, gjykatat vendosën se një baba kishte shkuar shumë larg në goditjen e të pasmëve të fëmijës së tij 9-vjeçar, pjesërisht sepse e kishte zhveshur fillimisht. Ai u dënua me 500 euro gjobë, por vendimi ndau kombin.
Historiania e fëmijërisë, Marie-France Morel, thotë se me kalimin e shekujve, mësimet katolike dhe ato të shtetit ua ngarkonin prindërve francezë detyrën për të dhënë te fëmijët e tyre një model qytetërimi. “Prindërit kishin të drejta dhe detyrime, por fëmijët kishin vetëm detyrime”, thotë ajo.
Mbreti francez Luigji XIII ishte rrahur rregullisht nga mosha njëvjeçare me urdhër të babait të tij dhe kur Suedia e bëri të paligjshme këtë praktikë në 1979, Francës iu duk qesharake.
Por edhe sjelljet po ndryshojnë, thotë ajo.
“Ka pasur një ndryshim total të ambientit kur vjen fjala për fëmijët”, shpjegon ajo. “Me kontraceptivët, njerëzit filluan të kishin më pak fëmijë dhe bebet ishin më të dëshiruara prej prindërve të tyre. Ka një perceptim të ri rreth të drejtave të fëmijëve”.
Pavarësisht se sondazhet dhanë rezultate shumë të ngjashme si në Francë dhe Britani, për sa i përket ndalimit ligjor të shuplakave – ku rreth 69 për qind ishin kundër tyre në Britani vitin e shkuar, ndërsa në Francë 67 për qind ishin kundër në 2009 – mjedisi që i përmbush sondazhet, është krejt i ndryshëm.
Jashtë një shkolle fillore në qendër të Parisit, prindërit kanë një varietet të ndryshëm të këndvështrimeve për këtë çështje, por disa janë shumë të lumtur të mbështesin shuplakat.
“Nuk mund të jetë një gjë sistematike”, thotë një baba. “Por ndonjëherë shuplaka është e nevojshme për disa fëmijë që të mësojnë kufijtë e tyre, nëse nuk mësojnë limitin, do bëjnë gjëra më të këqija në të ardhmen”.
Një nënë e dy fëmijëve u shpreh se mendonte se një shuplakë e lehtë i bënte fëmijët të kuptonin më mirë, por gjykata europiane dha vendim të rëndësishëm, sepse shuplaka mund të çojë në abuzim dhe këto janë dy gjëra të ndryshme.
Një nënë tjetër ishte plotësisht kundër goditjes me shpulla të fëmijëve, ajo e konsideron këtë veprim si degradues për prindërit.
Pamela Druckerman, autore e një libri për rritjen e fëmijëve, thotë se Franca është më konservatore dhe tradicionale nga ana sociale dhe se ka një stil më autoritar të të qenët prind.
Gjatë 50 viteve, Franca ka ndaluar ndëshkimin trupor në shkolla dhe një numër në rritje prindërish duket se po e shmangin atë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht mbështetje për një ligj të ri.
“Prindërit francezë e shohin një ligj të ri si ofendim për ta, pasi mendojnë se kjo vë në dyshim aftësinë e tyre për të ndarë shuplakën nga abuzimi i fëmijëve”, tha Druckerman.
Ministrja e Familjes në Francë është shprehur ndërkohë se Franca nuk kishte nevojë për një ligj, por për një debat kolektiv dhe shtoi se nuk donte që vendi të ndahej në dy kampe.
Një arsye përse disa njerëz janë kundër ndryshimit të ligjit mbi familjen, është se atyre nuk u pëlqen të moralizohen ose të kenë ndërhyrje prej qeverisë.
I.D
*Burimi: BBC
Gazeta Shqip
Leave a Reply