
Ateizmi
Termi ateizëm vjen nga greqishtja e lashtë “atheos”, ku “a = pa” dhe “theos = zot”, me kuptimin “pa zot”, “pa perëndi”.
Si kuptim origjinar në kohët e lashta termi përkufizohej si mospranim i zotave të një qyteti, mosbindja ndaj zotave të një qyteti, mospasja e një zoti a zotave.Në vijim, me shfaqjen e feve meslindore, termi do të përdorej nga paganët kundër kristianëve dhe anasjelltas, meqënëse për secilën palë mosbesimi i palës tjetër ndaj zotave të palës akuzuese (ndonëse kishin natyrë të ndryshme) konsiderohej si ateizëm.
Gjatë lashtësisë ateizmi ishte shkalla më e lartë e mosbindjes ndaj ligjeve fetare apo ndaj besimit në zota të caktuar dhe shërbente si fjalë përbuzëse ndaj personit apo ndaj qëndrimit përkatës që binte në kundërshtim me fenë apo adhurimin a pranimin e hyjnive të qytetit për të cilin bëhej fjalë. Me kalimin e kohës, termi i është nënshtruar një saktësimi dhe përcaktimi më të qartë nga ana kuptimore ku duke ardhur deri në ditët tona ka marrë përmbajtje kuptimore dhe ngjyrim krejt tjetër nga përdorimi i vjetër.
Në kuptimin bashkëkohor, termi ateizëm, si qëndrim dhe si pikëpamje filozofike, do të thotë mosteizëm, të mosqenit teist, të mosqenit besimtar, të mospasurit besim në ato çfarë beson një teist, që jo përjashtimisht, por të paktën tradicionalisht dhe në përdorim të gjerë për kontinentin evropian kuptohet si të mosbesuarit në “zotin” monoteist të feve meslindore – kjo pasi vetë qëndrimi varet në thelb nga përkufizimi përkatës që teisti i bën fjalës “zot”, për t’u bërë i kuptueshëm gjatë komunikimit, dhe ky përkufizim buron nga fetë në fjalë e deri më sot nuk i qëndron zbërthimit logjik.
“Jam ateist” përmbledh në radhë të parë shprehjen “nuk jam teist”, pasi qëndrimi është prej vetvete mohues i pohimeve teologjike, dhe së dyti shprehjen “nuk besoj në ekzistencën e “zotit””, duke përfshirë në të të gjithë ata që nuk kanë besim në asnjë “zot”, apo në asnjë fuqi “mbinatyrore”.
Dallimi i kuptimit të sotëm nga kuptimi historik, sidomos nga ai mesjetar i dhënë nga fetarët, është se ateizmi përfshin gjithçka që nuk është teizëm dhe si e tillë gjendja nuk lë mundësi të tjera zgjedhjeje veç teizmit apo ateizmit, pasi është një rast pyetjeje me përgjigje po ose jo. Shkurtimisht, pra, me përkufizim, nëse nuk je teist, je ateist; nëse nuk je besimtar, je mosbesimtar.
Një keqkuptim që është kryer në përcaktimin e ateizmit për disa shekuj me radhë është ai se ateizëm do të thotë “besimi se nuk ka zot”. Kjo kryhej në lidhje me atë kategori të ateistëve që pohojnë hapur se “zoti” nuk ekziston, në dallim nga pjesa që thjesht nuk beson në “zot” e që nuk niset të pohojë asgjë në lidhje me “zotin”. Ndërsa është e diskutueshme nëse pohimi se “zoti” nuk ekziston është shprehje besimi ose jo, reduktimi i ateizmit në thjesht një pjesë të ateizmit eksplicit (teorik, pozitiv) nuk e paraqet të plotë qëndrimin ateist, ndaj dhe shihet në çdo rast si shtrembërim i qëllimshëm. Ateizmi (si term përmbledhës për krejt qëndrimet joteiste) nuk thotë “besoj se nuk”, por “nuk besoj se”, një dallim ky thelbësor, pasi i dyti e përfshin të parin, por nuk barazon me të dhe nuk vlen anasjelltas.
DemokritiDy kategoritë kryesore të ateizmit janë ateizmi implicit (praktik, negativ) dhe ateizmi eksplicit (teorik, pozitiv).
Ateizmi implicit është ai qëndrim apo mënyrë jetese ku “zoti”, besimi në “zot”, apo çështjet rreth fesë, apo “zotit”, nuk përfillen, nuk llogariten e nuk merren fare parasysh në asnjë instancë të jetës së përditshme të dikujt, nuk prekin asnjë veprimtari të njeriut a jetës së tij, pa qenë këtu e nevojshme që të kryhet ndonjë pohim rreth “zotit” apo fesë, ndaj dhe ka karakter të nënkuptuar e të pashprehur drejtpërdrejt (implicit). Këtu përfshihen tërë ata për të cilët besimi në “zot” nuk është fare pjesë e jetës së tyre.
Ateizmi eksplicit është ai qëndrim dhe ecuri ku “zoti” apo feja hetohen imtas në aspektin teorik dhe rrëzohen shprehimisht duke iu nënshtruar zbërthimit të rreptë logjik. Ky lloj ateizmi është i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë (eksplicite) dhe nis filologjikisht që në lashtësi me Epikurin, Demokritin, Anaksagorën, Stratonin, Protagorën dhe vazhdon deri në ditët tona me një sërë mendimtarësh të tjerë si Fridrih Niçe, Dejvid Hjum, Bertrand Rasëll, Xhorxh Smith etj. Këtu përfshihen tërë ata njerëz të cilët e hedhin poshtë shprehimisht besimin në “zot”.
Antiteizmi
Antiteizmi është kundërshtimi i drejtpërdrejtë ideologjiko-fizik i teizmit dhe drejtohet: 1) kundër besimit në “zot”, dhe 2) kundër fesë.
Dallimi kryesor që e veçon këtë term nga ateizmi si tërësi është se antiteizmi përtej mosbesimit apo qëndrimit të thjeshtë ateist shkon një apo disa hapa më tej duke vjelë nga fusha sociale, ekonomike, politike, filozofike e kështu me radhë, për të sulmuar dhe për të zhdukur teizmin.
Në këto raste, antiteizmi dhe thirret nga ideologji të caktuara duke u kthyer në mjet të tyre për zhdukjen e fesë dhe të besimit në “zot”. Nacionalizmi shqiptar është p.sh. një nga ideologjitë që shfrytëzon shpesh antiteizmin për mbrojtjen e integritetit kombëtar nga abrahamizmi.
Teizmi
Teizmi është besimi në një “zot” a disa “zota”, ose në “mbinatyrë” a “qenie mbinatyrore”.
“Zoti” dhe “mbinatyra” në teizmin tradicional janë fjalë që ende sot në shek. e XXI-të mbeten pa përkufizim konkret apo identifikim dhe nuk i qëndrojnë zbërthimit logjik, ndaj dhe në përkufizimin e teizmit, i cili pohon besim në “zot” apo “zota”, apo “mbinatyrë”, është praktikisht e paqartë se ku, apo çfarë, beson teizmi.
Si rrjedhojë parësore e këtij problemi pjesa dërrmuese e teizmit është agnostike, pra që pohon se nuk ka asnjë dijeni rreth “zotit” a “mbinatyrës”, por se gjithsesi beson në to.
Teizmi njeh disa forma historike ndër të cilat kryesoret janë politeizmi, monoteizmi, panteizmi dhe deizmi.
Paganizmi
Paganizmi është një emërtim përmbledhës për sistemin e praktikave burimore tradicionale, dokesore e folklorike të një populli, kryesisht përpara se këto të asimiloheshin ose të ndryshoheshin nga feja. Duke qenë se si i tillë emërtimi merr kuptim të ndryshëm në varësi të gjeografisë dhe të kombit përkatës, më poshtë trajtohet kuptimi i paganizmit shqiptar.
Paganizmi është hyjnizimi i vetive të natyrës dhe të njeriut. Zotat në paganizëm përfaqësonin përkatësisht lumenj, qiell, tokë, dete, pyje, ara etj. si dhe urrejtjen, dashurinë, dijen, gjakftohtësinë, frikën, trimërinë, shkathtësinë, plogështinë, aftësinë, pamundësinë, urtinë etj.
Në dallim nga fetë meslindore (nëse merren këto si kristalizim i monoteizmit, që përcaktohet si besim i verbër në absurd a pakuptueshmëri), paganizmi nuk shtron çështje besimi, por hyjnizon (pra, shpreh në formë zotash) natyrën dhe veçori të tjera të realitetit, për lehtësi interpretimi. Ai përbën mishërim të vetive e të ndjesive, antropomorfizëm në shprehjen, shpjegimin dhe interpretimin organik të natyrës dhe të dukurive.
Paganizmi shihet dhe praktikohet për funksionin kryesor që ky ka, rregullimin e jetës personale e shoqërore sipas një rendi natyror, me anë të ritualeve dhe të studimit të natyrës dhe, në dallim nga fetë meslindore, nuk ka në vetvete për bazë besimin në “zot” (ndonëse ky mund të shërbejë si mjet për disa nga praktikuesit), sesa pikërisht shprehjen e dukurive në formë zotash, ndaj dhe për shkak të kësaj strukture të veçantë nuk përfshihet nën teizëm.
Natyralizmi
Natyralizmi është qëndrimi filozofik sipas të cilit natyra dhe gjithësia, si sinonime, janë gjithçka që ekziston dhe çdo dukuri apo send që ka instancë në realitet është natyror dhe shpjegohet më së miri me ligjet e natyrës.
Natyralizmi nuk pohon detyrimisht se disa dukuri që rëndom konsiderohen si “mbinatyrore” nuk ekzistojnë, por se ato janë natyrore dhe gjejnë shpjegim logjik në natyrë e mund të studiohen me të njëjtat metoda si çdo send e dukuri tjetër e njohur, ndaj dhe çdo mëtim për t’i konsideruar këto si “mbinatyrore” është përveçse i panevojshëm në rrafshin hipotetik, dhe metodologjikisht i gabuar.
Natyralizmi metodik është dhe një nga parimet bazë të metodës shkencore, dhe quhet ndryshe dhe natyralizëm shkencor, sipas të cilit dukuritë e vëzhgueshme në natyrë shpjegohen me anë shkaqesh natyrore dhe nuk është e nevojshme të thirret në ndihmë qenësia e ndonjë subjekti të hamendësuar “jashtënatyror”.
Pragmatizmi
Pragmatizmi është qëndrimi filozofik sipas të cilit ideologjia, botëkuptimi, pikëpamjet, konceptet, tezat dhe teoritë e ndryshme janë vegla vlera e të cilave nuk matet me sa ato janë pasqyrime besnike të realitetit, por me sa ato janë të afta të sjellin një përfundim të synuar.
Në zbatimet shkencore ky qëndrim mbiquhet instrumentalizëm dhe përqendrohet në atë se sa e aftë është një teori të shpjegojë apo të parashikojë një dukuri të caktuar dhe jo se sa kjo teori pasqyron realitetin në vetvete.
Si i tillë pragmatizmi nuk pohon se e vërteta nuk ka vlerë, por se për arritjen e një përfundimi në realitet, metoda e ndjekur nuk është e nevojshme të jetë në vetvete besnike e realitetit.
Ky qëndrim shpjegon më qartë dhe motorin kryesor pas paganizmit.
Empirizmi
Empirizmi, nga trajta greke “empiria = përvojë”, por dhe “empirismos = përvojësi”, është qëndrimi filozofik që mbështet rolin thelbësor të përvojës, pra, të shqisave, në krijimin e ideve e të koncepteve. Ky qëndrim ravijohet qartë në kundërshtim me idenë teologjike se idetë e konceptet janë të lindura dhe se përftohen nga një farë rrafshi i hamendësuar idesh.
Në metodën shkencore empirizmi është parimi që thekson përftimin e dijes me anë të përvojës dhe të informacionit shqisor, dhe përbën bazën e eksperimentimit, sipas të cilit nuk mjaftojnë mendimi, arsyetimi, parandjenja, bindja e besimi për të provuar realitetin e një hipoteze, sesa që kjo duhet testuar dhe vëzhguar në natyrë për t’u konsideruar e mirëqenë.
Nihilizmi
Nihilizmi është qëndrimi që e zhvesh perceptimin apo interpretimin e realitetit nga vlerat që njeriu (kryesisht shoqëria) iu imponon objekteve dhe dukurive.
Nihilizmi pohon se objektet dhe dukuritë nuk kanë asnjë vlerë prej vetvete, përveç atyre që ne u imponojmë, ndaj dhe për njohjen dhe parashikimin e realitetit është e domosdoshme që këto vlera të mos merren parasysh, duke qenë se në të shumtën e rasteve burojnë si shkak i emocioneve, ideologjive, utilitarizmit apo marrëveshjeve shoqërore, sesa nga perceptimi objektiv, duke e shtrembëruar kësisoj perceptimin apo parashikimin e realitetit.
Si i tillë, nihilizmi rreshtohet krah objektivizmit si zbatuesi kryesor i këtij në njohjen e realitetit.
Objektivizmi
Objektivizmi është qëndrimi filozofik që pohon se gjithësia në tërësinë e saj është dhe funksionon në bazë rregullash të qëndrueshme dhe vepron mbi gjithçka në mënyrë të parashikueshme, pavarësisht aftësisë së njerëzve të ndryshëm për ta perceptuar apo parashikuar këtë gjendje e veprimtari.
Pra, gjithësia, si realitet, vepron e pavarur nga vlerësimet e mendjes njerëzore, e pavarur nga vlerat apo veçoritë që njeriu i vesh sendeve apo dukurive.


Leave a Reply