
Dasma në zonat rurale është një eveniment i rëndësishëm që kërkon përgatitje dhe përkushtim. Ftesat nuk egzistojnë sepse miqve u çohet llaf me lajmës. Preokupimin më të madh e ka përgatitja e ushqimit. Hapi i parë është zgjedhja e mishrave, që duhet të jenë kryesisht desh kopeje, dhe llogaritet gati 1/2 -1 kg për mik të ftuar. Hapi i dytë është rakija, ajo duhet të jetë e fortë dhe llogaritet të jetë min 2L për person. Sa për pjesën tjetër të ushqimit nuk ka shumë rëndësi. Në qoftë se janë plotësuar këto kushte krijohet ideja që dasma po nis mbarë.
Më pas zgjidhen personat që do të pjekin mishin në hell dhe këta duhet të jenë expert, ndryshe miqtë do të jenë të pakënaqur. Më pas bëhet plani i uljes së miqve. Shtrimi bëhet në dy anë, në një anë gratë dhe në një anë burrat. Dasmën e hap i zoti i shtëpisë ku uron të gjithë për ardhjen, dhe e mbyll fjalën “Ua shpërblefsha në fëmijët Tuaj”.
Dollinë e parë duhet ta marri krushku më i freskët i familjes, dhe përgjatë natës dollia vazhdon sipas një riti të vjetër ku askush s’ka të drejtë ta prishi përndryshe kjo mund të çojë në përmbysjen e tavolinës, dhe dasmës gjithashtu. Bejtet janë pafund dhe këtu burrat tregojnë kush është më i fortë dhe më i zgjuar. Nëqoftëse dikush nuk mund të pijë aq sa i kërkohet, ose nuk di ta kthejë bejtën, ai nuk është burrë. Këngët janë ato polifonike të traditës, ndërprerë tek-tuk nga orkestra që duket se ka thjesht rol plotësues. Dhe dasma vazhdon deri sa më të fortët të mposhten. Pas dasme, të hënën gjithë miqtë duhen të pijnë kafe nga nusja ku do ta darovitin dhe urojnë për jetë të lumtur. Më pas hapet paja ku një i afërm do të tregojë se ç’ka sjellë nusja, dhe dhuratat për njerëzit e burrit.
Ndryshe ndodh në qytet.
Dasma rrjedh normalisht si në gjithë qytetet e Jugut, e hareshme me këngë, valle ku çifti është qendra e vëmendjes, dhe këngët, vallet, romuzet gjithçka u dedikohet atyre.


Leave a Reply