
Tani kuptoj se ajo hapësirë e pafundme vetmie dhe trishtimi që prej kohësh më shkatërronte, ajo ndjenjë që mundohej të thithte si një gjakpirës energjinë dhe dëshirën time për të jetuar, që më bëri të mendoj se e gjithë bota është njësi shkatërrimtare e quajtur ferr dhe se njerëzit mundohen t’i japin pamjen e parajsës duke gënjyer vetveten dhe duke zhgënjyer ëndrrat e tyre, sepse ndoshta në këtë mënyrë dilnin të pafajshëm përpara asaj fuqie të mbinatyrshme, që s’është gjë tjetër, veçse ndërgjegjja e të gjitha qenieve njerëzore, e mishëruar si diçka mistike, e plotfuqishme, por ata harrojnë se gjithçka që realizojnë në këtë jetë, kthehet në makth në fund të saj. Çuditërisht tani është ndryshe, shpirti rinor i plakur nga vetmia dhe monotonia u rikthye për të marrë atë që koha dikur i rrëmbeu, atë që loti dhe ndjenja kërkonin prej kohësh. Ndoshta ky pasion bëri që të ushqehej përsëri ai shpirt i djegur nga lotët dhe të fillonte procesin e tij jetësor, të mbytur nga një vorbull imagjinare që u zhduk menjëherë në procesin e ringjalljes së tij.
Në këtë moment imagjinar, kur dilemat dhe paradokset mundoheshin të zëvendësonin njëra tjetrën si puthja e parë e një dashurie të vërtetë, u zgjua brenda meje ai pasion për të zbuluar gjithçka me anë të fjalëve dhe koleksioneve të tyre, “librave”, Fjalët! E si mund t’i harrosh fjalët, kur ato ngulen në trupin tonë si copëza të vogla xhami, që edhe pas shumë kohe kullojnë gjak dhe të detyrojnë t’i kujtosh gjithmonë, sepse edhe mbas zhdukjes së tyre aty mbeten shenjat që të kujtojnë ato vuajtje, të cilat të sillen përpara syve si mjegulla të errëta. Fjalët janë ato njësi hapësinore, që pasqyrojnë në mënyrë graduale kufijtë e së panjohurës, të dashuruar mbas një realiteti imagjinar dhe të fshehura tek “libri”, i cili si njësia e madhe strukturore, lavdërohet me suksesin e tij. Kurse unë mbetem vetëm një admirues i fshehur mbas hijes së tij, që shkruan në kujtesë ngjarjet që emërtojnë periudhat mijëvjeçare dhe shumëshekullore të ekzistencës së qenies më të pakuptueshme në univers. Mbetem vetëm një i burgosur i përjetshëm i atij kompleksi universal, i cili u dënua nga një juri veprash, gjykatësi i të cilave ishte imagjinata. Imagjinata që e udhëhoqi për një kohë të gjatë duke u munduar të mblidhte provat e mjaftueshme për të provuar fajësinë time. Por të rikthehemi te dashuria ime e parë,te pasioni im i momentit,”libri”. Me anë të fjalëve të shkruara në të mësova të vlerësoj përsëri atë që kisha dhe të shpresoj a, sepse në fund të fundit shpresa është e vetmja gjë që e shoqëron njeriun deri në vdekje dhe më pas hyjnizohet me të. Ky pasion, i cili më bëri të dashurohesha me “librin”duke më joshur me fjalët e rrënjosura thellë, të cilat çuditërisht nuk janë të kuqe si gjaku i derdhur ndër shekuj, por janë të zeza për të treguar vuajtjet e tij. Diku në atë gjithësi të errësuar kam lexuar parimet e jetës,të cilat kushtëzojnë instinktet e shoqërisë njerëzore, të pjellave të realitetit të sotëm, që tregojnë se bota është e pashpirt. Për mua libri mbetet gjithmonë një gjendje e paarritshme në jetën reale dhe kur jam me të ndiej se përmbushem emocionalisht. Dhe ëndërroj që edhe unë të përmbush atë që Jose Saramango e përcakton si “ realitetin ideal”duke thënë se ky fenomen do të realizohet vetëm atëherë kur pjellat e këtij realiteti të arrijnë një moment ndershmërie dhe sinqeriteti, ndoshta për herë të parë në të gjithë historinë e shoqërisë njerëzore. Dhe fraza e përmendur prej tij: “Më mirë më urreni për atë që jam, sesa të më dashuroni për atë që s’jam”, e ka pushtuar qenien time si një jehonë e fuqishme që përplaset me parimet shoqërizuese.
Fabiola ZEKA
Gjimnazi “Sami Frashëri” – Tiranë


Leave a Reply